Gati dyzet shkolla në rang vendi, shumica në Durrës, Tiranë e Krujë janë bërë të pafrekuentueshme pas dëmeve të mëdha që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit.
Nga këto, vetëm tetë janë në kryeqytet. Pas një javë pezullimi, për arsye sigurie, ato nuk do të hapen as javën e ardhshme. Akt-ekspertiza thotë se kthimi i nxënësve në ato mjedise përbën rrezik.
Për shembull, 1440 nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri”, ku mësohet të ketë rënë tavani i katit të tretë, do të shpërngulen te “Qemal Stafa” dhe “Sinan Tafaj”. Kujtojmë që kjo shkollë është rikonstruktuar vetëm një vit më parë. Këto janë vetëm të dhënat paraprake, pas shtyrjes disa herë të mësimit nga ana e Ministrisë së Arsimit.
Të prekur nga ndryshimet e fundit figurojnë në total 1572 nxënës dhe 123 mësues, të cilat do të transferohen në “shkollat pritëse” me një rreze jo më të gjatë se 5 kilometra nga shkolla aktuale. Sidoqoftë, bëhet me dije se verifikimet e detajuara në terren vazhdojnë ende dhe numri i shkollave mund të rritet në ditët në vijim.
Sakaq, MAS po punon për gjetjen e zgjidhjes përfundimtare për nxënësit e mësuesit e prekur. Të gjitha objektet arsimore i janë nënshtruar ekspertizës së inxhinierëve të Institutit të Ndërtimit. Në urdhrin për rifillimin e mësimit, ministrja e Arsimit, Besa Shahini, u ka kërkuar shkollave private të pajisen me akt-konstatimin e Institutit të Ndërtimit, si kusht për një proces normal mësimor.
Emri i shkollës Shkolla Pritëse
“Sami Frashëri” “Qemal Stafa” dhe “Sinan Tafaj”
“16 Shtatori”, Pezë Godinë e gjetur
Kopshti Tufinë “Pal Engjëlli”
Shkolla Pajun Ambient me qira
Pezë e Vogël “Seit Brahja”
“Lasgush Poradeci” “Myslym Keta”
“Murat Toptani” “26 Nëntori”
“Musine Kokalari” “Betim Muço”
PANORAMA