Edi Reja shuajti çdo dyshim në lidhje me të ardhmen e tij në kombëtaren e Shqipërisë. Por trajneri italian jo vetëm që ka arritur marrëveshjen me Armand Dukën, por edhe ka vendosur firmën e tij në kontratën e re. Gjithçka është mbyllur, ndërsa tani pritet zyrtarizimi formal, ku tekniku dhe presidenti i FSHF-së do të shtrëngojnë duart përpara mediave.
“Balkanweb” mëson nga burime të sigurta në qeverinë shqiptare të fubollit se pasditen e së hënës, Reja dhe Duka kanë firmosur zgjatjen e bashkëpunimit mes tyre. Detajet e kontratës nuk kanë ndryshuar nga sa është folur javët e fundit. Trajneri do të qëndrojë në drejtim të kombëtares kuqezi edhe për katër vitet e ardhshëm.
Eliminatoret e Botërorit 2022 nuk janë një kusht, ndërsa objektiv mbetet kualifikimi në finalet e Europianit të ardhshëm. Edi Reja nuk do të jetë eksluzivisht trajner i kombëtares së parë, teksa pritet të japë eksperiencën e tij edhe në ekipet zinxhir të Shqipërisë.