BallinaKryesore“Tërmeti i dytë që shkaktoi largimi Agron Tufës”- Besnik Mustafaj: Pse ata...

“Tërmeti i dytë që shkaktoi largimi Agron Tufës”- Besnik Mustafaj: Pse ata që e kërcënuan s’kanë frikë dhe fshihen pas Edi Ramës. Kush u trondit…

spot_img
spot_img

BESNIK MUSTAFAJ 

Agron Tufa është tashmë de facto azilant politik. Tërmet i dytë, e quajti poeti i mirënjohur Bardhyl Londo largimin e tij. Agron Tufa është një nga autorët më të spikatur të letërsisë së sotme shqipe, me një vepër të gjerë në prozë, poezi, ese dhe përkthime.

Është edhe një profesor universiteti shumë i dashur dhe i çmuar për studentët dhe ish-studentët e tij. Përfytyrimi i largimit të tij si një kataklizëm nga ana e poetit Bardhyl Londo, nuk lidhet megjithatë as me dëmet që do të pësojë nga ky largim letërsia bashkëkohore shqipe dhe as mësimdhënia në universitet. Mungesa (e përkohshme) fizike e autorit në arealin e Republikës së Shqipërisë nuk do të ketë asnjë ndikim në përhapjen e veprës së tij letrare të shkruar e të botuar tashmë dhe as në atë që ai do të vazhdojë të shkruaj.

Sepse unë jam i bindur që ai do të vazhdojë ta plotësojë veprën e tij në prozë, poezi e ese. Asgjë nuk mund ta ndalojë për t’u ngjitur pareshtur në rrugën e letërsisë që është edhe destini i tij hyjnor. Bindja ime se ai nuk do ta ndalë punën e shkrimtarisë mbështetet edhe në përvojën e dy paraardhësve të tij të shquar, të cilët ishin në moshën e tij sot, kur u detyruan të merrnin, për të njëjtën arsye, rrugën e emigrimit politik drejt Europës Perëndimore: Ernest Koliqit dhe Ismail Kadaresë. Pra, mua si lexues i të gjithë veprës së tij, nuk më shqetëson fare mungesa fizike e autorit në Tiranë. Madje, sikur të mos e kisha mik Agron Tufën, ndoshta as që do të mendoja se ku jeton ai.

Përfytyrimi i ikjes së Agron Tufës si një tërmet nga ana e poetit Bardhyl Londo lidhet me një dimension tjetër të personalitetit të tij. Në mos gaboj, Agron Tufa ishte në mandatin e tij të tretë si drejtor i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. Sipas ligjit, mandatin e tij e jep bordi i këtij Instituti, i zgjedhur ky nga Parlamenti, që do të thotë se puna e këtij Instituti vlerësohet si e rëndësisë së veçantë për shtetin dhe për shoqërinë. Agron Tufa është në drejtimin e tij qysh në themelim. Nuk është vendi këtu të bëjmë bilancin e punës së tij afro dhjetëvjeçare, por fakt është se rrallë ndonjë institucion shqiptar i ngritur nga hiçi është afirmuar kaq shpejt, duke zënë vend qendror në vëmendjen e elitave dhe të publikut shqiptar lidhur me problematikat që burojnë nga studimi i krimeve dhe pasojave të komunizmit në Shqipëri.

Përmbledhtazi do thënë se këto problematika do të duhet të mishërojnë së bashku qëndrimin kolektiv të shoqërisë tonë ndaj të vërtetës historike dhe politike të regjimit komunist, e vërtetë kjo që kalendarikisht i përket të kaluarës, pra, nuk mund të ndryshohet, por që rrezatimet e saj vazhdojnë të veprojnë mbi të sotmen, rrjedhimisht edhe të ardhmen e shoqërisë tonë. Nevojën që ka procesi i ndërtimit të një realiteti demokratik për nxjerrjen në dritë të kësaj të vërtete më duket se e ka shprehur afro 30 vjet më parë më thjeshtë dhe më mirë se kushdo ish-Presidenti i parë paskomunist i Bullgarisë, i ndjeri Zhelju Zhelev, një historian i shquar i periudhës së fashizmit, të cilit, kur iu kërkua ta kthente faqen e historisë se komunizmit në emër të hedhjes së vështrimit përpara, u përgjigj se po, do ta kthejmë patjetër faqen, por më parë duhet ta lexojmë.

Me hamendje e them se një nga arsyet kryesore pse Zhelev nuk mori një mandat të dytë si President i Bullgarisë, qëndron pikërisht te përpjekjet e tij për t’i dhënë mundësi shoqërisë bullgare ta lexojë me vëmendje dhe ndershmëri faqen e historisë së komunizmit para se ta kthejë atë par ta mbyllur përgjithmonë. Përvoja ka treguar se leximi i një historie kombëtare të dhunshme, të përgjakshme, nuk është një detyrë që mund ta kryejë shoqëria civile, përfshirë këtu edhe Akademinë e Shkencave, sado i madh të jetë përkushtimi i saj. Për vetë kompleksitetin e saj, një punë të tillë mund ta kryejë vetëm shteti, si akt dhe si shprehje e vullnetit të tij për t’u pastruar nga metastazat e të keqes. (Me ndihmën e amerikanëve) Këtë e kuptuan menjëherë pas Luftës edhe gjermanët. Më në fund,në vitin 2010, këtë e kuptoi edhe shteti shqiptar dhe ngriti, me ligj të posaçëm, Institutin për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, në krye të të cilit u emërua Profesor Doktor Agron Tufa.

Siç do të provohej gjatë viteve në vazhdim, ishte gjetur njeriu i përshtatshëm. Agron Tufa kishte formimin intelektual, integritetin moral, si edhe frymëzimin personal për ta kryer me nder këtë detyrë. Po, edhe frymëzimi duhej, në mënyrë që puna e ekipit të vogël të këtij Instituti të shndërrohej në mision, ashtu siç u shndërrua me të vërtetë. Shumë veta në Shqipëri kishin parë gjatë kohës tek Edi Rama simptoma të një nostalgjie enveriste për metodat si i pëlqente ta ushtronte pushtetin.

Por të rrallë do të kenë qenë ata, ma merr mendja, të cilët e kishin kuptuar se bërthama e fortë elektorale, e cila do ta sillte Edi Ramën në krye të pushtetit në vitin 2013 dhe do ta mbante atje kaq gjatë, ishin enveristët, jo më ca “gërdalla pa dhëmbë”, siç i quajti një nga opinionistët tanë në modë, por skuadrone të organizuara mirë, me ndjeshmërinë dhe disiplinën e një sekti. Shkak real që ata të dilnin nga nëntoka e kriminalizuar, prej ku tërhiqnin fijet e pushtetit rilindës, për t’u shfaqur para mbarë opinionit publik me zë dhe fytyrë, u bë pikërisht Agron Tufa me ekipin e Institutit, që drejtonte. Duke pasur pushtetin nëpërmjet Edi Ramës, ata dëshmuan se nuk kanë më frikë jo vetëm nga e kaluara e tyre, por as nga shteti i sotëm.

Vetëm kjo shpjegon pse shteti nuk e mori Agron Tufën në mbrojtje përballë kërcënimeve të tyre të hapura e të fshehta dhe të përsëritura me një intensitet në rritje, sidomos gjatë dy viteve të fundit. Nga ana e tij, Agron Tufa, me vetëdijen e lartë të një shërbëtori të shtetit, bëri gjithçka ishte në dorën e tij për t’i shkuar përpara misionit të vet, në emër të interesit madhor të Shqipërisë. Ai hodhi poshtë me përbuzje të gjitha ofertat për të bërë kompromise që do t’i kthenin qetësinë vetjake e familjare, por që do t’i mbyllnin gojën dhe kërkoi mbështetje atje ku i takonte me ligj ta gjente mbështetjen: te shteti. Nuk e gjeti këtë mbështetje te Policia. Por nuk e gjeti as te Prokuroria, as te gjykatat, të cilave iu drejtua me denoncime konkrete, ndoshta jo me ndonjë shpresë të madhe te drejtësia e tyre, por me besimin prej qytetari të lirë tek e drejta e vet mbështetur në kushtetutë. Shpërfillja e plotë, që të denoncuarit prej tij i bënë gjithë kohën sistemit të drejtësisë, ku nuk u paraqitën as edhe një herë, përbën një fakt tronditës.

Jo vetëm kaq. Ata vazhduan kërcënimet e tyre, të artikuluara deri edhe në foltoren e Parlamentit të Republikës sonë. Me këtë sjellje, ata treguan praktikisht se pushteti i tyre është mbi shtetin. Çfarë mund të bënte Agron Tufa në rrethana të tilla dramatike për të ruajtur integritetin fizik, domethënë jetën e vet dhe të familjes së tij? Kur në letrën e tij të dorëheqjes, ai thotë se u gjend vetëm, sigurisht që ka plotësisht të drejtë. Por unë besoj se ka parasysh braktisjen që i bënë përballë rrezikut ekzistencial ata që i detyron ligji për ta mbrojtur dhe që paguhen me taksat tona për ta kryer këtë detyrë. Nuk besoj që ai ka pritur që ne, kolegët e tij të letrave e që pajtoheshim me veprimtarinë e tij si drejtor i Institutit për Studimin e Krimeve të Komunizmit, ta mbronim me trupat tanë. Do të ishte shumë naive dhe jo realiste sikur të mendohej një gjë e tillë.

Ai nuk ka qenë kurrë i braktisur nga një pjesë e madhe e elitës intelektuale të vendit. Përkundrazi, ka qenë dhe mbetet i mbështetur dhe i vlerësuar. Pra, çfarë mund të bënte ai në rrethanat dramatike për jetën e vet dhe të familjes? Zgjodhi të vetmen rrugë që i kishte mbetur: kërkoi mbrojtje nga një shtet tjetër për jetën e vet dhe të familjes dhe ku do të mund ta zhvillojë pa pengesa vokacionin e tij si njeri i fjalës dhe imagjinatës së lirë. Po punën e tij këtu për studimin e krimeve të komunizmit kush do ta bëjë, për sa kohë spartakët e Rilindjes janë ende plot me pushtet? Pikërisht këtë aspekt kishte parasysh poeti Bardhyl Londo, kur largimin e Agron Tufës e quajti tërmet. Po kush u trondit nga ky tërmet? Panorama

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular