Rreth 205 familje të një pallati në lagjen 17 në Durrës kërkojnë ndihmën e shtetit për rikonstruksionin e godinës, pasi ndërtuesi nuk është shfaqur në asnjë moment që pas tërmetit të 26 nëntorit.
Banorët e 205 familjeve të këtij pallati protestuan dje para Bashkisë së Durrësit, ku kërkuan inspektimin e objektit dhe rikonstruksionin e tij. Ata thonë se kanë dalë vetëm me rrobat e trupit, ndërkohë që nuk lejohen të hyjnë brenda apartamenteve as për të marrë veshmbathje. Banorët kërkojnë zgjidhje nga bashkia, si i vetmi institucion ku mund të gjejnë zgjidhje afatshkurtër.
UJESJELLESI
Qytetarët, të cilëve iu është dëmtuar banesa, duket t’i drejtohen Ndërmarrjes së UjësjellësKanalizimeve Durrës për të pezulluar kontratat. Ujësjellës-Kanalizime Durrës njofton të gjithë abonentët, të cilët janë larguar nga banesat e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, se mund t’i pezullojnë kontratat e furnizimit me ujë me UKD duke filluar që nga ky muaj. Ndryshe nga ditët normale, ku qytetari për të pezulluar kontratën duhet të paguante 2000 lekë, tashmë ky shërbim do të jepet falas.
“Për pezullimin e përkohshëm të kontratës abonentët duhet të paraqiten personalisht pranë zyrave të UKD-së dhe të kenë me vete librezën e ujit dhe kartën e identitetit. UKD bën me dije se pezullimi i kontratës do të jetë falas (ndërkohë që më parë ky veprim kushtonte 2000 lekë). Afati për pezullimin e kontratave është deri në 31 janar 2020. Në lidhje me pagesën e faturës për muajin nëntor, UKD njofton se nuk do të aplikohet kamatë në rast të vonesës nga ana e qytetarëve, duke pasur parasysh problemet e shfaqura nga pasojat e tërmetit”, thuhet në njoftimin e UKD. PANORAMA