Është zbardhur diskutimi i artistëve dhe kreut të shtetit, Ilir Meta, gjatë takimit në Presidencë ditën e djeshme, ndërsa mësohet se artistët kanë kërkuar mbështetjen e Presidentit për kauzën e tyre, për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar.
Në bisedën me Presidentin, aktori Naun Shundi e konsideroi rast unik mbështetjen e artistëve nga Presidenti i tyre, ndërsa tha se artisti është gjithmonë në opozitë me pushtetin.
“Artisti është gjithmonë në opozitë me pushtetin. Rasti konkret është një rast unik ku artistët ndjejnë mbështetjen dhe përkrahjen e presidentit të tyre. Kjo na bën që ne si artistë, të jemi krenar për presidentin që kemi”, u shpreh Shundi.
Regjisori Robert Budina tha se marrja e Teatrit në mbrojtje nga Europa Nostra tregon forcën dhe supremacinë e tyre, krahasimisht me faktorin politik.
“Kur ne tentuam të sensibilizonim ndërkombëtarët për shkeljet e kushtetutës që po bënte qeveria me ligjin special, na thanë që nuk ndërhyjmë dot në punët e brëndshme të Shqipërisë. Kur aplikuam në Europa Nostra, pjesë e Këshillit të Europës për ta mbrojtur Teatrin nga shëmbja ata e morën në mbrojtje. Faktori ndërkombëtar u sensibilizua përmes Trashëgimisë dhe Kulturës që tregon forcën dhe supremacinë e tyre krahasimisht me faktorin politik”, tha regjisori i njohur.
I pranishëm në takimin me Presidentin, Gentian Gaba tha se “Teatri hyri në Europë para nesh”.
Ja çfarë u tha në takimin me Presidentin:
Justina Aliaj
Unë jetoj në Bruksel dhe kur na erdhën informacionet se Shqipëria ishte përfshirë nga tërmetet, me gjysëm zëri pyeta – Po teatri?! Ai është realisht një vend i shenjtë Faleminderit për gjithcka bëtë për teatrin tonë zoti President
Naun Shundi
Artisti është gjithmonë në opozitë me pushtetin. Rasti konkret është një rast unik ku artistët ndjejnë mbështetjen dhe përkrahjen e presidentit të tyre. Kjo na bën që ne si artistë, të jemi krenar për presidentin që kemi.
Robert Budina
Kur ne tentuam të sensibilizonim ndërkombëtarët për shkeljet e kushtetutës që po bënte qeveria me ligjin special, na thanë që nuk ndërhyjmë dot në punët e brëndshme të Shqipërisë. Kur aplikuam në Europa Nostra, pjesë e Këshillit të Europës për ta mbrojtur Teatrin nga shëmbja ata e morën në mbrojtje. Faktori ndërkombëtar u sensibilizua përmes Trashëgimisë dhe Kulturës që tregon forcën dhe supremacinë e tyre krahasimisht me faktorin politik.
Lindita Komani
Kam dëshirë të ndaj dy gjëra këtu me ju. Së pari, në gjithë shkëmbimet e diskutimet me të huaj, por edhe tani me vendimin e Europa Nostra, kuptojmë që Europa e Kulturës është me ne. Europa ka zbuluar një popull të ri të cilin nuk e njihnin fare, një popull me vlera, një popull që e do kulturën, një popull me shpirt artist që lufton me vetëmohim dhe këmbëngulje për të mbrojtur kulturën e dinjitetin e vet. Europa e Kulturës e ka kuptuar që ky popull e meriton të jetë pjesë e Europës. Tani është e nevojshme që edhe Europa e Politikës ta kuptojë këtë dhe ndryshojë qëndrim ndaj nesh, një gjë që kërkon njëkohësisht edhe një ndryshim rrënjësor në Shqipëri, në politikën tonë. Së dyti, një gazetar gjerman i cili i ka kushtuar shumë vëmendje çështjes së Teatrit, është shprehur i entuziazmuar që zhvillimet në sheshin e Teatrit i kujton atij Gjermaninë Lindore në vitin 1989, kur njerëzit mblidheshin në kisha, në teatro, në rrethe letrare për të diskutuar mbi tema që ishin të ndaluara në televizion apo gazeta sepse ishte diktatura ende që vendoste. E njëjta gjë sipas tij duket se po ndodh këtu te ne dhe unë uroj që të kurorëzohet ashtu si viti 1989 në Gjermaninë Lindore!
Juli Emiri
Zoti president, ju thate pak me pare siç keni thene dhe here te tjera, qe duke na mbrojtur ne keni bere vetem detyren tuaj. Por ne kohet ku po jetojme, sic eshte cudi te gjesh qytetare me ndjenja te mirefillta njerezore si keta qe po luftojne per kete kauze, eshte cudi dhe te gjesh burra shteti qe bejne detyren e tyre. Keshtu qe une dua t’ju falenderoj per mbeshtetjen tuaj gjate gjithe rrugetimit tone, qe me mosdekretimin e ligjit special, me denoncimin me date 24 korrik e deri te kulmimi I mbeshtetjes se deritanishme, firmosja e aplikimit per Europa Nostren. Une jam me e reja ketu dhe sic e dini, shumica e moshes sime duan te largohen nga ky vend, dhe une nuk bej perjashtim. Kjo lufte me keta njerez me ka motivuar qe une per here te pare te shoh shprese dhe te dua te jem ketu, te ky vend, me zgjedhjen time. Ju falemnderit qe jeni pjese e ketij motivimi!
Orilda Kalami
Në këtë proteste u bashkuam artistë e qytetarë, luftuam bashkë mes miqsh e kolegësh. Forca jonë ka qenë besimi në vetvete. Ne nuk u ndikuam nga ata që shpesh na thonin “e keni të kotë”. Ne besuam te vetja dhe te njëri-tjetri. Mbështetja juaj bëri lidhjen e munguar prej kohësh qytetar-institucion dhe risolli besimin e munguar ndaj institucioneve. Ky trekëndësh besimi është një model i mirë shpresëdhënës në një shoqëri me të rinj që duan të largohen nga vendi, me papunësi e varfëri. Na kanë quajtur idealistë, të çmendur, nostalgjikë etj, por ne dhamë një model se duhet luftuar për atë që beson.2. Ne besuam te vetja dhe te njëri-tjetri dhe mbështetja juaj rikthen besmin e qytetarit tek institucionet. Na quajtën të çmendur e idealistë, por ne së bashku me ju rikthyem modelin e besimit dhe shpresës në një shoqëri të vuajtur, me të rinj që duan të largohen nga vendi, me papunësi e varfëri. Faleminderit zoti President.
Gentian Gaba
Teatri hyri në Europë përpara nesh, tashmë është një monument kulture i mbrojtur nga Europa, dhe kjo erdhi si pasojë e një pune të madhe të një grupi qytetarësh, artistësh, intelektualësh, të cilët dëshmuan se ne si shqiptarë kemi mjetet dhe vlerat e duhura për të hyrë në BE. Mirënjohje Presidentit për mbështetjen për aplikimin për në Europa Nostra, por kjo betejë nuk ka mbaruar këtu. Ne duhet të ecim përpara, kërkojmë një sensibilizim të mëtejshëm dhe një veprim ndërinstitucional, për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare çështjes së Teatrit Kombëtar.