BallinaAktualitetRadio Franca: Ligj me pasoja të frikshme, e pamundur të bësh gazetari...

Radio Franca: Ligj me pasoja të frikshme, e pamundur të bësh gazetari në Shqipëri

spot_img
spot_img

‘Gazetaria nuk është krim’. Me pankarta në duar, disa qindra njerëz u mblodhën përpara parlamentit këtë të mërkurë në mëngjes. Ata protestuan kundër një projektligji kontrovers për të rregulluar aktivitetin e medias online

Nga Louis Seiller, Radio France Internacional

“Vetëm një emër domain-: Rama.al?”, lexohet në një prej pankartave, duke iu referuar kryeministrit Edi Rama. Të gjithë këto masa, të njohura si paketa kundër shpifjes, do të autorizojnë në mënyrë të veçantë një organ administrativ që të gjykojë përmbajtjen e mediave në internet, sanksionet financiare, ose edhe mbylljen e faqeve. Qeveria shqiptare thotë se kërkon të luftojë lajmet e rreme dhe shpifjet në këtë mënyrë.

I pranishëm përpara parlamentit është edhe Gjergj Erebara, një nga gazetarët e Rrjetit Ballkanik të Raportimit Investigativ (BIRN). “Për të luftuar shpifjet dhe lajmet e rreme, qeveria nuk duhet shpifë dhe të prodhojë vetë lajme të rreme,” akuzon ai. “Prodhuesi kryesor i lajmeve të rreme është zyra e kryeministrit. Projekti është një nga hapat e fundit drejt një regjimi autoritar”.

Një ligj me pasoja të frikshme

Gazetarët shqiptarë kanë frikë nga pasojat e këtij ligji në punën e tyre, veçanërisht përmes sanksioneve financiare të parashikuara në tekst. “Paga mesatare e një gazetari këtu është 500 euro,” shpjegon Gjergj Erebara. “Dhe dënimet e parashikuara nga ky projekt mund të shkojnë deri në 5 mijë euro. Këto presione financiare mund të shkatërrojnë çdo gazetar”.

Në parlament, kryeministri socialist Edi Rama shfaqi vendosmërinë e tij për të miratuar këtë projektligj, të cilin e konsideron të domosdoshëm për të ‘disiplinuar’ mediat online. “Liria e shprehjes nuk është vetëm një e drejtë, por edhe një përgjegjësi,” përsëriti ai, duke iu referuar disa informacioneve të rreme që qarkulluan në disa faqe në internet pas tërmetit të 26 nëntorit. Ai siguroi se ishin bërë modifikime të rëndësishme në projekt dhe se tani ishte “100 përqind në përputhje me standardet ndërkombëtare”.

Një ditë më parë, Harlem Desir, përfaqësuesi për lirinë e mediave te Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë, kishte deklaruar përmes një serie mesazhesh në Twitter, se kishte punuar “deri në minutën e fundit me kryeministrin dhe qeverinë e Shqipërisë për të përmirësuar projektligjin për median dhe për ta sjellë atë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe angazhimet e OSBE-së”. Ndërsa përshëndeti “përmirësimet”, ai tha se zyra e tij “do të monitorojë nga afër zbatimin e ligjit, i cili nuk duhet të ndërhyjë në lirinë e shprehjes dhe medias”.

Ndërsa liderët shqiptarë shpresojnë ende të sigurojnë hapjen e negociatave të pranimit me Bashkimin Europian, objektivat e këtij projektligji javët e fundit kanë tërhequr shumë kritika nga organizatat ndërkombëtare. Komisionerja e Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatoviç, tha se ishte “thellësisht e shqetësuar” për këtë projekt. Në një njoftim për shtyp të martën, ajo tha se “disa dispozita nuk janë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe europiane të të drejtave të njeriut”.

“Tashmë është pothuajse e pamundur të bësh gazetari në Shqipëri”

Ky konstatim vjen nga Flutura Kusari, e cila punon për Qendrën Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Mediave. Ajo erdhi për të protestuar përkrah gazetarëve shqiptarë. “Procesi i hartimit të këtij ligji nuk ishte transparent, nuk u këshillua me publikun dhe shoqërinë civile,” shpjegon ajo. “Ne nuk duhet të bëjmë vetëm modifikime kozmetike për këtë projekt, duhet ndryshuar thelbi i tij”. Flutura Kusari tha se ishte shumë e shqetësuar për lirinë e informacionit në vend. “Në Shqipëri është pothuajse e pamundur të bësh gazetari. Në këtë kuptim është vendi më i keq në rajon. Nëse ky ligj kalon, do të jetë çështje javësh ose muajsh para se gazetarët të dorëzohen”.

Ish-basketbollisti dhe artisti profesionist, kryeministri Edi Rama prej kohësh ka përfituar nga një imazh pozitiv në Europën Perëndimore, veçanërisht falë pozicionimit të tij pro-eurpoian. Në Shqipëri, ai akuzohet se qeveris në një mënyrë gjithmonë e më autoritare, duke komunikuar kryesisht përmes kanalit televiziv Edi Rama, që transmeton në Facebook, dhe duke i trajtuar herë pas here gazetarët si ‘plehra’ apo ‘injorantë’. Në renditjen e fundit nga Reporterët pa Kufij, Shqipëria humbi shtatë vende, duke u renditur në vendin e 82-të nga 180 vende.

Një shtet me një popullsi prej më pak se 2.9 milionë banorësh, Shqipëria ka një duzinë kanalesh televizive dhe mbi 600 portale lajmesh. Projektligji vjen ndërsa vendi po merr përsipër kryesimin e OSBE në vitin 2020.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular