BallinaAktualitetSi "turistë gjermanë"; jeta mes rrënojave që la pas tërmeti në Laç

Si “turistë gjermanë”; jeta mes rrënojave që la pas tërmeti në Laç

spot_img
spot_img

Më shumë se 3 javë pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit, disa banorë të Laçit vazhdojnë të jetojnë mes rrënojave të pallateve të shpallura të pabanueshme; ndërkohë, autoritetet i bëjnë thirrje që të zhvendosen dhe mos të rrezikojnë jetën.

Nga Elvis Hila-Birn

Tre javë pas tërmetit shkatërrimtar që goditi Shqipërinë e Mesme në 26 nëntor, Ded Stojani është rikthyer në pallatin e tij të ndërtuar gjatë ish regjimit komunist edhe pse ndërtesa e dëmtuar rëndë është shpallur e pabanueshme nga bashkia e Kurbinit. 55-vjeçari, invalid i kategorisë së parë, të cilit 15 vjet më parë i kanë prerë të dyja këmbët për shkak të sëmundjes së diabetit, i kalon ditët e ftohta të dimrit i shtritë në një krevat në hyrje të ndërtesës, pjesë e mureve të cilës janë shembur.

‘Pas tërmetit jam larguar nga banesa ku kam jetuar prej vitesh. Ka pësuar dëmtime i gjithë pallati dhe është shpallur i pabanueshëm. Qëndrimi këtu është shumë i rrezikshëm,’ shpjegoi Stojani, i cili shtoi 10 ditë ka jetuar me një shok.

‘Prej dy ditësh kujdestarja ime ka marrë një krevat dhe jam vendosur në hyrje të pallatit dhe këtu po qëndroj,’ shtoi ai.

Ngjashëm me pallatin e Ded Stojanit në bashkinë e Kurbinit janë shpallur të pabanueshëm 80 pallate, si pasojë e dëmtimeve që kanë pësuar nga tërmeti. Megjithë thirrjet e vazhdueshme të autoriteteve ndaj banorëve që të largohen, një pjesë prej tyre vazhdojnë të jetojnë në ndërtesat e dëmtuara, ndërsa ankohen se nuk janë ndihmuar për të gjetur strehim.

E pyetur nga BIRN për ankesat e tyre, kryetarja e bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara i tha se deri tani rreth 800 persona të lënë të pastrehë nga tërmeti në këtë njësi të qeverisjes vendore, pos strehohen në hotele, çadra dhe tek të afërmit.

‘Të gjithë personat që pallatet iu është vendosur shenja e kuqe ju është kërkuar që mos të qëndrojnë brenda deri në një verifikim të dytë,’ tha Cara.

‘Ata nuk kanë aplikuar pranë [bashkisë] për t’u strehuar, pasi kemi vende serish ne Shëngjin për t’i strehuar. Kur të behet verifikimi përfundimtar dhe nëse do vendoset se do shemben atëherë do të nxirren me polici nga banesat e tyre,’ shtoi ajo.

Tërmeti 6.4 të shkallës Rihter që goditi Shqipërinë në mëngjesin e  26 nëntorit shkaktoi 51 viktima, më shumë se 900 të plagosur dhe la mijëra vetë të pastrehë.  Deri tani Këshilli Bashkiak i Kurbinit ka marrë vendim që të shemben 7 pallate, ndërsa pjesa tjetër e pallateve të shpallur të pabanueshëm do të inspektohen sërish dhe do të vendoset për fatin e tyre. Duke folur në parlament të mërkurën, kryeministri Edi Rama u mburr se qeveria e tij po i trajtonte të pastrehët nga tërmeti s i turistë gjermanë.

Image

‘Dua të shpreh ndjenjën e krenarisë që ndiej për qeverinë që unë drejtoj, për shumicën tonë qeverisëse, për të gjithë ministrat, deputetët, për kryetarët e bashkive që u angazhuan në vijën e parë pas tërmetit të 26 nëntorit,’ tha kryeministri, duke shtuar se në 10 ditë 13 mijë persona janë akomoduar në kushte shumë të mira.

‘Janë akomoduar në hotele luksoze si të ishin turistë gjermane dhe holandezë,’ shtoi ai.

Megjithatë, duke gjykuar nga kushtet  ku jeton Ded Stojani, është e vështirë ta besosh se një turist gjerman apo holandez do të zgjidhte të jetonte, aq më tepër të pushonte në një mënyrë të tillë.

‘Unë jam i paralizuar dhe lëviz vetëm me karrocë. Kam kërkuar strehim dhe askush nuk më kë ardhur në ndihmë. Ka shkuar kujdestarja ime disa here tek bashkia, por nuk ka gjetur asnjë zgjidhje,’ tha ai.

‘Në këto kushte jam detyruar të qëndroj në hyrje të pallatit, pasi të hy në banesë të cilën e kam në katin e 3 kam frikë, pasi rrezikon të shembet,’ shtoi Stojani ‘Këtu është shumë ftohtë, por nuk kam çfarë të bëj s’kam ku shkoj tjetër,’ përfundoi ai.

Kunata e Stojanit e cila është edhe kujdestare e tij tregon se po has në vështirësi të shumta për t’i ardhur në ndihmë 55-vjeçarit, teksa shton se gjendjen e tij e ka parë edhe kryeministri, Edi Rama gjatë vizitës që ai zhvilloi paraditen e së shtunës në qytetin e Laçit.

‘Deda është invalid prej 15 vitesh. Ai ka pas jetuar me nenën e tij deri 5 vite më parë, por ajo ka vdekur dhe tani është i vetëm. Unë e kam kunat dhe jam dhe kujdestare e tij. Që prej momentit të tërmetit po kalon një situatë tepër të vështirë,’ tha ajo.

Gruaja tregon se gjatë vizitës së tij në Laç, kryeministra Rama e ka parë drejtpërdrejtë gjendjen e Dedës, por zgjidhja e vetme që sugjeroi ishte që të gjenim një shtëpi me qira për ta strehuar.

‘Unë i kam kërkuar bashkisë disa herë që të gjeje zgjidhje për të, por asnjë masë nuk kanë marrë,’ tha ajo. ‘Në këto kushte dhe unë e kam tepër të vështirë t’i shërbej, pasi ky lëviz vetëm me karrocë’ shtoi kujdestarja e Dedës.

Ivalidi 55-vjeçar nuk është banori i vetëm i Laçit i cili vazhdon të jetojë mes rrënojave. Në lagjen nr. 4, Vlash Selela vazhdon të strehohet në një pallat me shenjë të kuqe.

‘Ka 1 javë që pallatit ku unë jetoj i kanë vendosur shiritin dhe shenjen e kuqe, është dëmtuar dhe shpallur i pabanueshëm, por unë vijoj të qëndroj aty sepse nuk kam ku të shkoj,’ tha Selela

‘Nuk na kanë ofruar asnjë strehim pavarësisht se kam bërë kërkesë pranë bashkisë. Na kanë thënë se nuk kemi vende,’ shtoi ai, duke nënvijëzuar se ishte i vetëdijshëm se ndërtesa ku banon është e rrezikshme.

Një tjetër banore e Laçit i tha BIRN se prej 1 jave, sëbashku me familjen është zhvendosur në një hotel afër ‘autostradës’ Fushë Krujë-Milot dhe e paguan me paratë e veta, pasi autoritet nuk i kanë siguruar strehim falas.

Image

‘Tek pallati im thjesht kanë vendosur shenjen e kuqe dhe na kanë thënë mos të qëndrojmë brenda,’ tregon Marije Pjetri. ‘Kam kërkuar vendstrehim, por kanë thënë se s’kemi ku t’iu çojmë,’ tha ajo, duke shtuar se prej 1 jave fle në hotel se bashku me 4 anëtarët e familjes.

‘Ditën vij këtu dhe natën shkoj tek hoteli të cilin e paguajmë vete se s’kemi zgjidhje tjetër,’ shpjegoi Pjetri. ‘Kështu si unë po bëjnë shumë familje në Laç,’ përfundoi ajo.

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular