Gazetarët janë mbledhur para Kuvendit për të protestuar kundër “paketës antishpifje”. Në një prononcim për gazetaren Fjorela Beleshi, gazetari Enton Abilekaj i bëri thirrje të gjithë gazetarëve t’I bashkohen protestës.
“Nuk kundërshtojmë një pikë të ligjit por të dy ligjet në tërësi sepse mohojnë të fjalën e lirë. Krijojnë një administratë që merr kompetencat e gjykatës dhe duhet të kthehen mbrapsht. Nuk diskutojmë teknikalitete. Kur vjen diktatura nuk diskutojmë cila pjesë pranohet dhe cila jo, refuzohet i gjithë regjimi diktatorial. Kundërshtojmë përpjekjen e fundit për të marrë në dorë Edi Rama çdo pushtet në Shqipëri”
Abilekaj ftoi të gjithë gazetarët në protestë.
“Unë i ftoj të vijnë të gjithë edhe ata që mungojnë sot këtu dhe që nuk i janë bashkuar në një formë apo një tjetër. Kjo nuk çështje e një grupi gazetarësh. Gazetarët nuk mund të ndahen në pro dhe kundra, gazetarët janë gazetarë dhe mbrojnë të drejtën e tyre për të folur, lirinë e tyre. Nëse i mohohet liria e medias ata që e përfitojnë duket sikur përfitojnë por do u vijë radha dhe atyre.”