Pasojat e tërmetit do të ndikojnë negativisht edhe në ekonomi. Paralajmërimi ka ardhur nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.
“Pasojat e tërmetit pritet të jenë në tërësi negative, ndonëse ato do të jenë të përqendruara në një zonë të kufizuar gjeografike dhe jo të njëjta në sektorët e ekonomisë. Kanalet kryesore të transmetimit do të jenë tkurrja e mundshme e konsumit dhe investimeve private në zonat e prekura, si dhe rënia e mundshme e prodhimit në to, sidomos në sektorin e turizmit.
Nga ana tjetër, programi i rindërtimit pritet t’i japë një stimul pozitiv këtij sektori. Intensiteti i goditjeve dhe shkalla e kompensimit të tyre nga programi i rindërtimit do përcaktojnë dhe efektin tërësor të tërmetit në ekonomi”, vuri në dukje Sejko.
Përfundimi i procesit të vlerësimit dhe nxjerrja e faturës së dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit do të diktojnë edhe politikën monetare që Banka e Shqipërisë do të ndjekë në të ardhmen.
“Në mungesë të vlerësimeve të plota zyrtare mbi shkallën dhe madhësinë e dëmit, është pothuaj e pamundur të bëhen vlerësime të sakta mbi ndikimin e pritur në ekonomi. Në veçanti, rëndësi ka evidentimi i dëmeve në kapacitetet prodhuese të biznesit, qofshin këta operatorë të sektorit të turizmit apo të sektorëve të tjerë të ekonomisë, për të vlerësuar kostot e rindërtimit dhe të ardhurat e mundshme të munguara në ekonomi”, shtoi Sejko.
Sipas tij, adresimi me shpejtësi i dëmeve do të lehtësonte ndikimin e tyre në ekonomi. Po ashtu, ndikim do të ketë dhe struktura e financimit të këtij programi rindërtimi dhe pesha relative e granteve dhe donacioneve, rritjes së huamarrjes dhe rialokimit të shpenzimeve. Nisur nga treguesit aktualë, por edhe nga situata, në të cilën ndodhet vendi, Guvernatori Sejko tha se norma e rritjes ekonomike pritet të mbetet në territor pozitiv për vitin e ardhshëm.
“Në këto kushte, Këshilli Mbikëqyrës vendosi: Të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin aktual prej 1.00% dhe të mbajë të pandryshuara normat e interesit të depozitës dhe të kredisë njëditore, përkatësisht në nivelet 0.1% dhe 1.9%”. Sa i takon kreditimit, Sejko tha se vijon tkurrja e kredive me probleme. Njëkohësisht pozitiv është fakti që bankat kanë zgjeruar portofolin e kredive përkundrejt bizneseve dhe individëve. “Ambienti i favorshëm financiar dhe përmirësimi i kërkesës dhe ofertës për kredi kanë diktuar një përmirësim të mëtejshëm të kreditimit. Në veçanti, konsolidimi i sektorit bankar dhe reduktimi i rrezikut të kreditit, sikundër ilustrohet nga rënia në nivelin 9.5% e raportit të kredive me probleme në muajin nëntor, kanë diktuar një përqasje më aktive të bankave drejt kreditimit. E pastruar nga efekti i kursit të këmbimit dhe ai i nxjerrjes së kredive të humbura jashtë bilancit, kredia për sektorin privat regjistroi një rritje vjetore prej 8% në muajin tetor. Kjo rritje ka shfaqur një bazë të gjerë. Ajo është ushqyer nga zgjerimi i kreditimit si në segmentin e individëve, edhe në atë të bizneseve”, tha Guvernatori.