Një vajzë 16-vjeçare prej kohësh është kthyer në shqetësim për Policinë e Bulqizës, por jo vetëm.
Shtetasja me inicialet P. Sh., sipas burimeve nga Policia, është bërë një personazh “problematik” në qytetin e Bulqizës. Prej një viti, ajo shqetëson dy prindërit, Policinë lokale, si dhe Drejtorinë e Shërbimit Social në Qarkun e Dibrës.
DENONCIMI
Largimet nga banesa me javë e muaj kanë bërë që familjarët e P. Sh., të bëjnë denoncime në Polici për “zhdukjen” e saj. Burimet zyrtare nga Policia e Dibrës kanë bërë të ditur për gazetën “Panorama”, se të paktën pesë herë brenda një viti babai dhe nëna e 16-vjeçares kanë denoncuar në Komisariatin e Policisë Bulqizë humbjen e vajzës.
Ata kanë thënë se vajza largohet “në drejtim të paditur” dhe kanë kërkuar ndërhyrjen e Policisë për gjetjen e saj.
“Ne, janë shprehur prindërit në Polici, e trajtojmë vajzën mjaft mirë, ashtu siç trajtojmë gjashtë fëmijët e tjerë. Por ajo largohet nga shtëpia tinëz, kryesisht natën. Nuk dimë ku vete, me kë rri, çfarë bën, ku ushqehet. Kemi frikë se po e trafikojnë apo e shfrytëzojnë për prostitucion. Disa ditë më parë është ndalur në doganën e Morinit, teksa udhëtonte drejt Kosovës. Nuk na thanë me kë po udhëtonte dhe pse tentoi të largohej nga Dibra”.
Këto janë pohimet e prindërve në Policinë e Dibrës, ndërkohë kjo e fundit nuk ka arritur ende të sqarojë prindërit rreth aktivitetit të 16-vjeçares. Sakaq, Policia bën të ditur se adoleshentja dyshohet se konsumon lëndë narkotike, ndërsa nuk është zbuluar nëse trafikohet për prostitucion apo jo.
Gjatë shoqërimeve të saj në Polici, 16-vjeçarja është shprehur: “Unë largohem nga shtëpia sepse prindërit nuk më lejojnë të dal me shoqet e shokët. Nuk mund të rri e mbyllur në shtëpi. Kur largohem zakonisht qëndroj te shoqet e mia në Bulqizë, Peshkopi e Tiranë”.