BallinaAktualitet“Kreu i SPAK, hetues i komunizmit”, Autoriteti i Dosjeve e konfirmon: Arben...

“Kreu i SPAK, hetues i komunizmit”, Autoriteti i Dosjeve e konfirmon: Arben Kraja trajtoi dosjen për “arratisje” më ’90

spot_img
spot_img

Një ditë pasi “Gazeta Shqiptare” botoi përgjigjen zyrtare të Autoritetit për Informim mbi Dosjet e Ish-Sigurimit të Shtetit mbi 8 prokurorët e SPAK, ku thuhej se janë emra për të cilët nuk ka dosje tek Ish-Sigurimi i Shtetit, dalin në dritë dokumente të reja. Duke qenë se të enjten Autoriteti vuri në dispozicion vendimet në versionet e tyre të shkurtuara, ‘Gazeta Shqiptare’, në zbatim të ligjit ‘Për të drejtën e informimit’, kërkoi versionin e gjatë të vendimit nr. 185 datë 03.04.2019 sa i takon kreut të SPAK, zotit Arben Kraja.

Njëherësh, “Gazeta Shqiptare” kërkoi të dinte nëse Autoriteti ka dokumente që vërtetojnë apo hedhin poshtë deklaratat publike, sipas të cilave z. Kraja ka qenë hetues para vitit 1990, pra në kohën e komunizmit. Kërkesa në fjalë u përligj kur studiues të periudhës së diktaturës sinjalizuan dhe kur ish-drejtori i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, z.Agron Tufa, tha publikisht se “Ish-sigurimi komunist i diktaturës rilindi plotësisht me pushtetin e Edi Ramës dhe rilindjen

Konfirmimin absolut e shohim me zgjedhjen në krye të SPAK-ut të një ish-hetuesi të komunizmit, Arben Kraja. Imagjinoni se me çfarë drejtësie e për çfarë ‘krimesh e kriminelësh të komunizmit, do mund të shqyrtonim ne me hetuesit dhe oficerët operativë grusht bashkuar rreth partisë-nënë!”.

Për sa më sipër, pas kërkesës së “GSH”-së, koordinatori Për të Drejtën e Informimit në AIDSSH, Selami Zalli, thotë se, “duke vlerësuar rëndësinë e rastit dhe në funksion të transparencës maksimale, vë në dispozicion versionin e gjatë e të pashkurtuar të vendimit të muajit prill”, ndonëse refuzoi të vërë në dispozicion procesverbalin e mbledhjes me argumentin se “në procesverbal janë pasqyruar të dhëna personale dhe informacione që kanë të bëjnë me shumë persona, njohja e të cilave nuk është e lejueshme, përveç rrethit të personave të parashikuar me ligjin 45/2015”.

Sipas versionit të gjatë të vendimit, Autoriteti pohon që z.Kraja ka qenë hetues më 1990-ën dhe se ka hetuar çështje të kalimit të paligjshëm të kufirit. Kujtojmë se gjatë kalimeve të paligjshme të kufirit, dhjetëra qytetarë shqiptarë janë vrarë.

 

KËRKESA E ‘GSH’-së
Të nderuar

Për t’i ardhur në ndihmë informacionit të saktë publik, në bazë të ligjit nr. 119/2014 neni 15 pika 1 dhe 2 (Për të drejtën e informimit), kërkojmë të na vihen në dispozicion vendimi i AIDSSH nr. 185 datë 03.04.2019, versioni i gjatë, i pashkurtuar dhe procesverbali i diskutimit (përfshirë mendimet paralele) për z.Arben Kraja, atëkohë prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme, sot kryetar i SPAK.

 

Njëherësh kërkojmë nga ana juaj të dimë, nëse keni dokumente që vërtetojnë apo hedhin poshtë deklaratat publike, sipas të cilave, subjekti i vendimit nr.185 datë 03.04.2019 ka qenë hetues para vitit 1990 në vendin tonë.

 

PËRGJIGJA E AUTORITETIT
E nderuar znj. Nikolli,

Në përgjigje, të kërkesës për informacion nr.1736/2 e datës 19.12.2019, në zbatim të dispozitave ligjore të përcaktuara në Ligjin 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, në lidhje me vazhdimin e kërkesës për informacion për vënien në dispozicion të vendimit nr. 185 datë 03.04.2019 të AIDSSH, versioni i gjatë, i pashkurtuar dhe procesverbali i diskutimit (përfshirë mendimet paralele) për z.Arben Kraja, atëkohë prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme, sot kryetar i SPAK, ju informoj sa me poshtë:

Vendimet e marra nga ana e AIDSH–së gjenden të gjitha të publikuara në faqen zyrtare të institucionit tonë, www.autoritetidosjeve.gov.al.

Duke vlerësuar rëndësinë e rastit dhe në funksion të transparencës maksimale, bashkëlidhur ju dërgojmë vendimin e plotë për qëllimin e kërkuar nga ana juaj, i cili përmbush në mënyrë të plotë të gjitha kërkesat tuaja në lidhje me informimin e saktë të publikut, në bazë të parashikimeve të ligjit nr.119/2014 “Për të drejtën e informimit”.

Në lidhje me procesverbalin e mbledhjes dhe diskutimet e bëra, nuk mund t’ju vihen në dispozicion, pasi në vendim është pasqyruar gjithçka e kërkuar, për të përmbushur qëllimin e kërkimit tuaj, si dhe për faktin se diskutimet në këto raste kanë vlerën e dhomës së këshillimit në proces dhe në procesverbal janë pasqyruar të dhëna personale dhe informacione që kanë të bëjnë me shumë persona, njohja e të cilave nuk është e lejueshme, përveç rrethit të personave të parashikuar me ligjin 45/2015.

Me respekt,

Koordinatori Për të Drejtën e Informimit

Selami Zalli

DOKUMENTI I PLOTË

Autoriteti për Informim mbi Dosjet e Ish-Sigurimit të Shtetit me pjesëmarrjen e anëtarëve znj.Gentiana Sula kryetare, Altin Hoxha anëtar, z.Marenglen Kasmi anëtar dhe z.Simon Mirakaj anëtar.

OBJEKT

Kërkesa e paraqitur nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, me shkresën nr.144 “Kërkesë për verifikimin e pastërtisë së figurës, përpara emërimit të kandidatëve për prokuror të Prokurorisë së Posaçme, kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”.

AIDSSH pasi shqyrtoi kërkesën për informacion, paraqitur nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë me shkresën nr.144/1, datë 21.02. 2019 sipas objektit të saj,

VËREN

Nga përmbajtja e shkresës nr. 144/1 prot. datë 21.02.2019, “Kërkesë për verifikimin e figurës së pastërtisë, përpara emërimit të kandidatëve për prokuror të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar” sipas listës së dërguar Institucioni Këshilli i Lartë i Prokurorisë në zbatim të detyrimeve ligjore që rrjedhin nga Ligji nr. 45/ 2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste Shqipërisë nenit 34, pika 2, germa g) të ligjit 95/2016 ‘Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar’ i ka kërkuar Autoritetit nëse disponon informacion, të dhëna apo dokumente, lidhur me procesin e verifikimit të cilësive etike, morale dhe profesionale të punonjësve të tyre, me përbërje sipas shkresës së dërguar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Me shkresën nr. 144/1 prot. datë 21.02.2019, institucioni ka dërguar formularët e aplikimit, të plotësuar nga punonjësit që aplikojnë për prokuror të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Nga verifikimet e kryera deri tani rezulton se, shtetasi A.K. ka qenë me detyrë hetues në Hetuesinë e Rrethit Shkodër në vitin 1990, pra përpara datës 2 korrik të vitit 1991, që është edhe fushëveprimi i ligjit mbi bazën e të cilit vepron Autoriteti. Nga përmbajtja e dokumentacionit që ndodhet në arkivat tona rezulton se z. A.K., ka hetuar një çështje penale në ngarkim të dy të pandehurve për kalim të paligjshëm kufiri në bashkëpunim. Si vepër penale, kalimi i paligjshëm i kufirit bën pjesë në kreun 8 të ‘Krime kundër rendit administrativ’ dhe jo në kreun ‘Krime kundër shtetit’, vepra penale këto, të parashikuara në kreun e parë neni 47 të Kodit Penal të vitit 1977.

Si e tillë, vepra penale “kalim i paligjshëm kufiri” nuk bën pjesë në kategorinë e veprave penale në kuptim të ligjit nr. 7514, datë 30.09 1991 “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë” dhe si rrjedhim nuk bën pjesë në fushën e veprimit të ligjit nr.45/ 2015 neni 2, sipas të cilit, ‘Ky ligj zbatohet për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë për periudhën 29 nëntor 1944 deri në ditën e krijimit të Shërbimit Informativ Kombëtar më 2 korrik 1991, të cilat disponohen nga të gjitha arkivat e rrjetit arkivor të Republikës së Shqipërisë dhe që lidhen me veprat penale politike të parashikuara në ligjin nr. 7514, datë 30.9.1991.

Për këto arsye, Autoriteti për Informim mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, vendosi që:

Të informojë Institucionin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për informacionin që kërkohet me shkresën nr., 144/1 prot. datë 21.02.2019, “Kërkesë për verifikimin e figurës së pastërtisë, përpara

emërimit të kandidatëve për Prokuror të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar” se:

a).Për zotin A.K., nga verifikimet e kryera deri tani, nuk figuron të ketë materiale, në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, në emër të tij, sipas Nenit 29, pika 2 të Ligjit Nr.45/2015, “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”./GSH.al

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular