Mospjesëmarrja e Kosovës në samitin për Shengenin Ballkanin ka qenë një nga temat të cilës kryeministri Edi Rama iu rikthye disa herë në konferencën për mediat pas takimit të 3-të Rajonal për Ballkanin Perëndimor.
Në krah të Vuçiç, Gjukanoviç e Zaev, ai tha se kjo nismë nuk përjashton askënd dhe nuk ka asnjë kusht. Rama theksoi se sa herë duhen marrë vota predikohet hapja e kufirit me Kosovën por që sipas tij nuk do ndodhë por do ndodhë hapja e të tërë kufijve të rajonit.
Sipas tij, nga vendet që janë pjesë e këtij procesi nuk ka asnjë kush apo përjashtim dhe se kjo është rruga e duhur për zhvillimin ekonomik e integrimin edhe për Kosovën.
Ai deklaroi se rrugët e tjera të fantazive neomarksiste, të proteksionizmit absurd, të vendosjes së pikave krahasimore me tarifat e SHBA-ve apo me tarifat e Kinës janë vetëvrasje në planin ekonomik por edhe në planin politik.
“Kjo nismë është gjithëpërfshirëse, nuk përjashton askënd, nuk ka asnjë kusht. Ka 20-30 vjet që sa herë duhen marrë vota dhe sa herë duhet bërë politikë predikohet hapja e kufirit me Kosovën. Kufiri nuk hapet dhe nuk hapet jo thjesht se çohen në Beograd kundër hapjes së kufirit por se çohen në Ëashington, çohen në Bruksel dhe sot me këtë nismë ne po themi të hapim të tërë kufijtë dhe nuk ka asnjë kusht. Do të ishte vërtetë për t’u konsideruar e papranueshme nëse mungesa e Kosovës do të ishte rezultat i ndonjë kushti të vendosur nga Serbia. Nuk ka asnjë kusht dhe asnjë lloj klauzole përjashtuese për asnjë nga marrëveshjet që ne biem dakord. Pra, nëse ne biem dakord me Maqedoninë e Veriut, biem dakord me Serbinë, biem dakord me Malin e Zi për të bërë liberalizim në çdo aspekt, çfarë fiton Kosova duke mos ardhur, ndërkohë që askush nuk thotë që kjo nuk duhet bërë me Kosovën, përkundrazi. Nga ana tjetër për sa i përket deklaratave më vjen shumë keq. Janë deklaratat për politikë të brendshëm në një rrugë që e konsideroj qorre për Kosovën. Kosova nuk ka nevojë për izolim, nuk ka nevojë për vetëpërjashtim, nuk ka nevojë për një garë të brendshme se kush është më refuzues ndaj proceseve të integrimit dhe gjithëpërfshirjes dhe mbi të gjitha nuk ka nevojë të bëjë të pakënaqur dhe ata që e mbështetën pa kushte në ditët më të vështira. Sot këtu janë BE, SHBA, sot këtu janë 4 vende që e kanë të hapur derën edhe për 2 të tjera të Ballkanit Perëndimor. Nëse Kosova ka nevojë sot për respekt, për integrim, për zhvillim ekonomik, kjo është rruga. Rrugët e tjera të fantazive neomarksiste, të proteksionizmit absurd, keni parë ju në botë ndonjë vend të varfër që bën proteksionizëm; të vendosjes së pikave krahasimore me tarifat e SHBA-ve apo me tarifat e Kinës janë vetëvrasje në planin ekonomik por edhe në planin politik. Pasi, miqtë, mbështetësit dhe partnerët në këtë proces janë këtu, nuk mungojnë.
Pa diskutim kjo nuk bëhet për pushtet apo për vota. Po të ishte për pushtet dhe vota mbase nuk do ishim këtu sot. Kjo bëhet për të ardhmen, për njerëzit. Njerëzit e zakonshëm, njerëzit që merren me sipërmarrje, që duan të punojnë, që duan investime. Ne jemi shumë të vegjël të ndarë dhe nëse duam më shumë investime në sektorë strategjikë, në energji, në të gjitha fushat ne duhet tu ofrojmë investitorëve një treg të hapur. Serbia shënon numrin më të madh të investimeve të huaja. Është e pamjaftueshme edhe për Serbinë.
Kjo nismë është nismë për të ardhmen. Nuk është një oxhak për të shkuarën, ne po ndërtojmë një urë mes të shkuarës dhe së ardhmes. Në të tashmen duhet të kemi kurajën t’ia themi njeri-tjetrit në sy të vërtetën”, deklaroi Rama.