Partia Demokratike ka publikuar një video ku duket një urë në Zall Bastar që gati merret nga uji i rrëmbyeshëm. Lumi që kalon aty është fryrë si pasojë e reshjeve të rëna këto 24 orët e fundit.
“Prej shumë vitesh banorët kanë protestuar, kanë kërkuar zgjidhje nga qeveria dhe bashkia për një urë të re të sigurtë, por problemi i tyre nuk është zgjidhur.
3 vjet më parë, Erion Veliaj dhe Xhemal Qefaliaj inspektuan punimet e nisura për një urë të re, por në realitet nuk ka asnjë të tillë.
Disa muaj më parë, kur protestuan për urën e munguar, banorët u thanë përfaqësuesve të PD, Gent Strazimiri dhe Abi Malltezi se fondet për urën e Zall Bastarit shkuan në Surrel, për kompaninë e ish kryetarit të komunës Dajt, Kujtim Qefaliaj, njëkohësisht edhe kryetar i njësisë administrative Dajt.
Zall Bastari është pjesë e Bashkisë së Tiranës, por premtimi i Erion Veliajt se “banorët e periferisë do të trajtohen njësoj si ata në ish Bllok, rezulton një nga mashtrimet e tij të shumta”, shkruan PD, në një postim në facebook.