Kryeministri Edi Rama ia doli të tërheqë mbi vete zemërimin e politikës dhe opinionit publik në Kosovë me qëndrimin e tij për Mini Shengenin.
Reagimet dhe etiketimet ndaj tij janë të panumërta, në median tradicionale dhe atë sociale.
Portali ‘Lapsi’, shkruan se sulmet e Edi Ramës ndaj të gjithë liderëve kosovarë, erdhën pas ‘urdhrit’ të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.
Gjithçka bazohet te mënyra se si komunikoi Rama gjatë konferencës për shtyp.
Fillimisht Rama u foli për të mirat e Shengenit ballkanik. Por ç’ndodhi? Kur radha i erdhi Vuçiçit, ai u tregua i ashpër me kryeministrin tonë…
“U mërzita me mikun tim Edi që gjithmonë mbrohet. Pse duhet të mbrohet, nga çfarë duhet të mbrohet, që po përpiqemi për më të mirën për vendet tona? Që po mbrohemi nga ata që po përpiqen të na çojnë mbrapa në shekullin e 17-të?” tha ai.
Dhe menjëherë pas kësaj “vërejtjeje miqësore” Rama i ndryshoi tonet. Nga mbrojtja ai kaloi në sulm.
Ai tha se Kosova ishte futur në rrugë qorre, se ajo me mospjesmarrje po dëmtonte vetveten, duke e hedhur fajin krejtësisht mbi Prishtinën që ishte ftuar po kishte rrefuzuar.
Por, duke mos u mjaftuar me këtë fajësim kolektiv, kryeministri shqiptar e kënaqi mikun e tij duke i përgojuar një për një liderët kosovarë.