Nga Kastriot Dervishi
Nderimi i Haxhi Lleshit (1913-1998) nga komunistët e Dibrës, na detyron të sjellim në kujtesë jetën e personit në fjalë. i përmendur, u lind në Reshan të Dibrës së Madhe. Më 1920 – 1926 qëndroi si çoban në vendlindje. Më 1926 – 1931 kryen shkollën fillore, një klasë gjimnaz në gjuhën shqipe dhe klasat 2 dhe 3 në gjuhën serbo – kroate në Dibër të Madhe. Më 1931 – 1940 merret me bujqësi e tregti në Dibër të Madhe. Në prill 1941 merr pjesë me forcat jugosllave kundër pushtimit italian atje. Më 1941 – 1942 qëndron në Peshkopi dhe Mat. Në shkurt 1942 vjen në Pezë. Në qershor 1942 është komandant çete në Peshkopi. Në prill 1943 bëhet anëtar i Partisë Komuniste. Më 1943 – 1944 anëtar i Shtabit të Përgjithshëm. Më 1944 – 1946 ishte ministër parë i Punëve të Brendshme të qeverisë komuniste. Më 1946 – 1948 ministër pa portofol. Më 1948 – 1949 kryetar i Komisionit të Kontrollit të Shtetit. Më 1949 – 1953 drejtor i Drejtorisë së Personelit në Ministrinë e Mbrojtjes. Më 1946 – 1991 deputet Frontit Demokratik dhe më 1991-1992 i Komitetit të Veteranëve. Më 1953 – 1982 president i Presidiumit të Kuvendit Popullor, organit që miratonte dënimet me vdekje të gjykatave të larta. Në shkurt-prill 1991, ishte anëtar i Këshillit Presidencial. U burgos për gjenocid në një proces së bashku me Zylyftar Ramizin, Rrapi Minon dhe Manush Myftiu, dënimi i parë për të cilët u dha më 24.5.1996.
Pjesë nga autobiografia e vitit 1950 (paraqitur me dy data):
“Prej vitit 1934 e deri më 1941, disa kohë jam marrë me bujqësi. Familja ime për kontradikta, kanë qenë kundër Ahmet Zogut, i kanë shërbyer Jugosllavisë së vjetër. …Në përgjithësi (megjithëse Aqifi dhe xhaxhi tjetër Pëllumb Lleshi i shërbyen Zogut për disa kohë), familja ime dhe veçanërisht unë, mbasi isha edhe me disa emigrantë në kontakt, të cilët qenë në Jugosllavi si antizogist, e urrenin Zogun. Më 1939 ditët e prillit që u pa se Italia fashiste do të okuponte Shqipërinë, kam kërkuar nga jugosllavët që bashkë me disa emigrantë shqiptarë të dilnim të mbronim Shqipërinë, por mbasi nuk na lejuan, nuk dolën”.