Shefi i kabinetit të kryetarit të PD-së, Dorian Teliti, në një shënim në facebook shkruan se gjendja e biznesit të vogël sidomos në Tiranë është drejt falimentit.
Teliti shkruan ndër të tjera se Partia Demokratike ka planin e saj të rimëkëmbjes: ‘Kjo është situatë e papranueshme. Rimëkëmbja ekonomike e vendit nis nga biznesi i vogël dhe lehtësirat që krijohen për të. Ne jemi gati ta ndryshojmë këtë skemë rrënuese, duke ua shpërndarë paratë e taksave të shqiptarëve për shqiptarët e jo për oligarkët.’
‘Situatë e rënduar dhe e paparë më parë për biznesin e vogël.
Fiks në mes të Tiranës me dhjetra biznese duan të shpallin falimentin por nuk munden ta bëjnë dot se kanë dhënë borxh shumë produkte me listë.
E shohin të largët ditën (shpeshherë të pamundur) për të marrë mbrapsht borxhin e qytetarëve, pasi tashmë as nuk futet njeri nëpër dyqane sepse janë zhytur në borxhe e nuk mundet të kërkojnë më sërish ushqime me listë.
Gjatë takimeve në disa biznese të vogla bashkë me Cimin, Flamurin dhe Gëzimin në zonën e Xhamllikut në Tiranë pamë nga afër se si ishin “mes asgjësë dhe të pa shpresë” me dhjetra biznese të vogla, të gjendur përballë dyerve të hapura të dyqaneve por që nuk futet asnjë klient, në kushtet që taksidarët u vijnë pa asnjë mëshirë duke u marrë edhe atë pak fitim që mund të sigurojnë gjatë muajit.
Me lotë në sy ata thonë se do preferonin më shumë një punë me 20 mijë lekë të reja në muaj se sa një muaj të cuar dëm në pritje të asgjësë.
Kjo qeveri ka bërë “reforma të qenësishme” për oligarkët e saj dhe nga ana tjetër ka “vjelur e vjedhur” deri në qindarkën e fundit biznesin e vogël.
Kjo është situatë e papranueshme. Rimëkëmbja ekonomike e vendit nis nga biznesi i vogël dhe lehtësirat që krijohen për të. Ne jemi gati ta ndryshojmë këtë skemë rrënuese, duke ua shpërndarë paratë e taksave të shqiptarëve për shqiptarët e jo për oligarkët.
Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar e ka planin e plotë për nxjerrjen e vendit nga humnera dhe mbështetjen e biznesit të vogël.
Qartë dhe thjeshtë:
Zero TVSH dhe Zero Tatim Fitim per cdo biznes të vogël me XHIRO DITORE deri ne 350 $. Taksë të vetme në masën 0.5% të xhiros. Ulje të cmimit të energjisë, etj. #tijepetfundrrënimitekonomik’-shkruan Teliti