Shumë familje në prag të natës së ndërrimit të viteve planifikojnë t’i mbushin tryezat plot apo ta kalojnë në restorante, por ka edhe nga ata të cilat jo vetëm nuk bëjnë planifikime, por shpresojnë të kenë bukë për të ngrënë.
E tillë është edhe familja e Hamit Likës në lagjen ‘Minatori’ të Bulqizës. Familja prej 6 anëtarësh jeton në kushtet ekstreme të varfërisë ku dhe bukën e thatë e marrin me listë në dyqane.
Në këtë familje janë tre anëtarë me aftësi të kufizuara, kryefamiljari Hamiti, nëna Fatmira dhe bashkëshortja Bedrija e të cilët e kanë krejtësisht të pamundur të punojnë.
E zonja e shtëpisë Bedrija thotë se jetesa e tyre është në kufijtë e mbijetesës pasi nuk kanë shtëpi e nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të jetuar.
Lekët që marrin nga pension i invaliditetit shkojnë për ilaçe, energji elektrike e ujë. Apeli i Bedrijes shkon për të gjitha instancat shtetërore e jo shtetërore që t’ju sigurojnë një banesë, në mënyrë që fëmijët të mos sëmuren.
Për natën e ndërrimit të viteve, çifti Bedrije e Hamit Lika thonë se jo vetëm nuk do të kenë mundësi për dhurata për fëmijët e tyre, por nuk mund t’ju sigurojnë as kafshatën e bukës thatë.
Hamiti tregon se në shtëpi kanë mbetur vetëm pak gramë vaj, sheqer, oriz e kripë.
6 anëtarët e familjes Lika në lagjen ‘Minatori’ të Bulqizës janë me sytë nga të gjithë për t’i ndihmuar.