Një koalicion pesë-palësh, i udhëhequr nga gratë
Sanna Marin, është Kryeministrja e re e Finlandës, lajm ky që udhëtoi me shpejtësinë e erës në të gjithë botën, si për shkak të moshës së saj shumë të re, ashtu edhe për shkak të gjinisë.
Mosha e Kryeministres së re të Finlandës, është ajo që të bën më shumë përshtypje. Vetëm 34 vjeçe, ajo është Kryeministrja më e re në botë, duke u bërë kështu pjesë e grupit të Kryeministrave nën moshën 40 vjeç, të zgjedhur kohët e fundit edhe në Zelandë të Re, Salvador dhe Ukrainë, shkruan The Economist. Pas moshës së saj shumë të re, vëmendja u përqendrua e gjitha tek gjinia e saj. Qeveria e re e koalicionit të Kryeministres së re u formua me pesë lidera të partive, ku të gjitha ishin gra, shumica prej tyre gjithashtu nën moshën 40 vjeç.
Një fotografi e publikuar së fundmi e Kryeministres së re me tre prej anëtarëve të saj të kabinetit qeveritar (të gjitha në të tridhjetat e tyre) bëri shumë shpejt xhiron e botës, duke u publikuar në faqet e para të disa prej gazetave më të njohura. Disa prej këtyre titujve e shoqëruan një foto të tillë edhe me shkrimin sarkastik “Kësaj qeverie të re i mungon ekuilibri gjinor”. Feministët në të gjithë vendet duartrokitën dhe uruan Kryeministren e re, e cila në sajë të zgjedhjes së saj ngjalli tek shumë prej tyre shpresën se ndryshime të shumta dhe zgjidhje inovative do të vinin shumë shpejt. Padyshim që nuk mungojnë edhe kritikët, të cilët e shprehin me frazën: “Si mund t’i lihet në dorë gjithë kjo fuqi, një gruaje “pa përvojë”?
Por si arriti Finlanda deri këtu? Më poshtë janë disa prej faktorëve kryesore.
Finlanda gjithmonë është renditur e para në Indeksin Vjetor të Raportit të Forumit Ekonomik Botëror mbi Barazinë Gjinore. Në vitin 2018, Finlanda u pozicionua e katërta në këtë indeks nga një total prej 149 shtetesh. Të dukshme janë edhe arritjet e përgjithshme të vendit si edhe barazia gjinore e vendosur në fusha të tilla si shëndetësia dhe arsimi, të cilat kanë kontribuar gjithashtu në një pjesëmarrje më të lartë politike dhe ekonomike të grave në këtë shtet. Kabineti i Finlandës përmban një numër të konsiderueshëm të grave, ku dymbëdhjetë prej Ministrive kryesore drejtohen nga gratë, ndërsa shtatë të tjerat nga burrat. Vetë znj. Marin ka qenë më parë në postin e Ministres së Transportit. Për më tepër, pothuajse gjysma (47%) e parlamentarëve të vendit janë gra. Ndërsa në shtete të tilla si Qiproja, Greqia, Hungaria dhe Malta, pjesëmarrja e grave në Parlament përbën me pak se 20 për qind të të gjithë anëtarëve të kabinetit.
Finlanda ka shumë arsye për të festuar këtë arritje të përgjithshme mbresëlënëse të politikaneve gra, të cilat kanë gjithashtu shumë potencial për të vazhduar të përparojnë akoma më shumë drejt udhëheqjes së lartë politike (si edhe të biznesit). Kultura e diversitetit gjinor është një prej faktorëve kryesorë. Në të gjithë botën, numri i grave të diplomuara në disa prej universiteteve më të mira, në disiplina të ndryshme akademike (madje edhe me nota më të mira) është më i lartë se ai i burrave. Por, shpeshherë për shkak të mungesës së “kërkesës” së sektorit publik dhe privat, ose edhe vendimeve të marra nga vetë gratë për të mos u ekspozuar në disa prej posteve më të rëndësishme drejtuese, ky numër ka shënuar një rënie. Kultura, është një tjetër faktor shumë i rëndësishëm. Në Islandë për shembull, Vigdis Finnbogadottir ishte Presidentja e parë grua, e cila qëndroi në këtë post për një kohë shumë të gjatë (1980-1996). Fëmijët e vegjël, kishin parë vendin e tyre të drejtohet pothuajse përherë nga një Presidente grua, si rezultat, për ata përbënte shumë çudi fakti nëse shteti i tyre do të mund të drejtohej ndonjëherë nga një President burrë. Dhe padyshim, që Indeksi Vjetor i Raportit të Forumit Ekonomik Botëror mbi Barazinë Gjinore e rendit Islandën në vend të parë.
Faktorë të tjerë (të tillë si kuotat, kujdesi për fëmijët) kanë gjithashtu një ndikim shumë të rëndësishëm. Hulumtimet e 30 viteve të kaluara sugjerojnë që dispozitat e kuotave dhe lloji i sistemit zgjedhor janë parashikues të mirë për përfaqësimin e grave në Parlament në të gjithë vendet. Kuotat vullnetare të partive mund të jenë gjithashtu një mjet efektiv për të rritur pjesën e grave në Parlament, por në një shtrirje më të vogël se kuotat parlamentare (Rishikimi i Shkencave Politike Europiane). Në përgjithësi, 10 shtete anëtare të Bashkimit Europian (Finlanda nuk është pjesë e saj) krijuan kuota legjislative për të rritur ekuilibrin gjinor në Parlament. Megjithatë, Ligji i Barazisë Gjinore në Finlandë (edhe pse nuk zbatohet në organet e zgjedhura përmes zgjedhjeve) përfshin një dispozitë kuotash që kërkon që komitetet e administratës shtetërore, bordet këshilluese dhe organe të tjera të kenë së paku 40% të grave dhe burrave. Finlanda ishte gjithashtu vendi i parë në Europë që lejoi të drejtën universale dhe të barabartë.
Të shumta janë edhe argumentet e tilla se vendet duhet të eksplorojnë mënyra se si të mbështesin në mënyrë aktive përfaqësimin e të rinjve në Parlament. Në 2014, sipas Unionit Ndër-Parlamentar (IPU), dy të tretat e 70 parlamenteve të analizuar, kishin 2% ose më pak parlamentarë të rinj (në moshën 30 vjeçare ose edhe më të rinj) si pjesë e kabinetit të tyre. Programi i Grupit të Grave, Biznesit dhe Ligjit të Bankës Botërore nxjerr në pah një lidhje të konsiderueshme midis mbështetjes së kujdesit për fëmijët dhe përfaqësimit të grave në Parlament: mbështetja e qeverisë për punëdhënësit, qendrat e kujdesit për fëmijë dhe prindërit për kujdesin e hershëm të fëmijëve mund të rrisin mundësinë e përfaqësimit të grave me rreth 25% ose edhe më shumë në Parlamentet kombëtare.
Ose nëse do ta shikonim nga një këndvështrim tjetër, përfaqësimi me mbi 25 për qind të grave në Parlament, rrit mundësinë e shtimit të ligjeve nga ana e qeverisë, të cilat do të mbështesin prindërit, punëdhënësit dhe qendrat e kujdesit të fëmijëve për shërbimet parashkollore, si edhe për grupmoshat më të mëdha. Në Finlandë, vetëm rreth 13% e familjeve kanë raportuar mosplotësim të nevojave të tyre ndaj shërbimeve zyrtare të kujdesit të fëmijëve, krahasuar me rreth 86% të familjeve që raportojnë për mosplotësim të këtyre nevojave në Portugali dhe 60% në Greqi. Për më tepër, në dallim nga shumica e vendeve të Bashkimit Europian, në Finlandë, aftësia për leje prindërore nuk kufizohet nga statusi, kohëzgjatja ose lloji i punësimit.
Cili është emëruesi i përbashkët midis grave që përparojnë në postet e larta të qeverisë?
Në një intervistë dhënë në vitin 2010, Laura Liswood, Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Drejtueseve Botërore të Grave (që përbëhet nga 74 gra Presidente, Kryeministre dhe Kryetarë qeverish) u shpreh në këtë mënyrë: “Në përgjithësi, një emërues i përbashkët është se gratë kanë një pasion të madh dhe një dëshirë për të ndryshuar gjërat”.
Një gjë është e qartë: Bota do të vëzhgojë me shumë kujdes Kryeministren Sanna Marin dhe kabinetin e saj të ri qeveritar. Kryeministri më i vjetër në botë (94-vjeçar), lideri i Malajzisë, Mahathir Mohamad, i dha këtë këshillë Kryeministres së re: “Kërkoni këshilla nga më të moshuarit dhe mos hiqni kurrë dorë nga idealizmat tuaja”. Por ashtu siç ka treguar edhe përvoja e fundit finlandeze, ndoshta është momenti i duhur që politikanët tradicionalë të dëgjojnë më me kujdes këshillat e të rinjve!