Ndërsa janë bërë këto deklarata ku konfirmohet se rruga nuk do të bëhet duket se procedurat nëpër hallkat institucionale vazhdojnë. Sipas një shkrese, vetëm në datë 10 dhjetor, pra tre ditë pas deklaratës së zëvendëskryeministrit Braçe, në AKM është dorëzuar raporti teknik për projektin “e anuluar” të ndërtimit dhe mirëmbajtjes së segmentit rrugor “Milot-Balldre.
Pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit ajo që mbeti pas është një faturë e kripur financiare që kërkon gjetjen e mënyrave optimale për ta përballuar. E natyrshëm vëmendja është kthyer së pari në partneritet publike private që ende janë të panisura apo në proces negocimi si një nga mënyrat për të orientuar burimet financiare aty ku duhet.
Në fund të javës së parë të dhjetorit numri dy i qeverisë, Erion Braçe deklaroi në një dalje të tij televizive se koncesioni i parë që nuk do të bëhet është Milot-Balldre ndërsa koncesionet e tjera që sot kanë aktive nuk do të preken.
“E ka thënë Kryeministri dhe s’dua të bie në përsëritje… kemi bërë PPP e kontrollit shëndetësor (check up). Ta anulojmë ne këtë që tek privati njerëzit e të paguajnë 340 euro. Për mua është shërbim i domosdoshëm që qytetarët duhet ta marrin falas. Kë të anulojmë PPP e sterilizimit të pajisjeve mjekësore? A e dini sa ishte numri i infeksioneve? Si do ta bëjmë të kthehemi tek bisturitë e vjetra. Po hemodializa? Si t’ia bëjmë t’i lëmë njerëzit pa bërë dializën?! A e dini sa janë të gjitha këto që po bërtet opozita? Fatura për PPP është 8.2 miliardë lekë në vit.
Për çfarë po bëhet zhurma? Milot-Balldre nuk do të bëhet! Kompania nuk i përgjigjet dot kontratës. Pse e stisin për çfarë po e thonë tani? Kemi deklaruar prej 1 muaji që kjo s’do bëhet…pse po bërtasin për Milot-Balldre” tha Braçe.
Pas kësaj deklarate, përfaqësuesit e kompanisë koncesionare thanë nga na e tyre se ata nuk dinin gjë për anulimin e këtij koncesioni. Ndërsa janë bërë këto deklarata ku konfirmohet se rruga nuk do të bëhet duket se procedurat nëpër hallkat institucionale vazhdojë.
Dorëzohet raporti teknik i projektit për VNM
Çdo projekt është i detyruar që të ketë raport teknik dhe vlerësim të ndikimit në mjedis, hallka këto që kryhen nga kompani të dedikuara dhe që kalojnë më pas në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit (AKM). Sipas një shkrese, vetëm në datë 10 dhjetor, pra tre ditë pas deklaratës së zëvendëskryeministrit Braçe, në AKM është dorëzuar raporti teknik për projektin “e anuluar” të ndërtimit dhe mirëmbajtjes së segmentit rrugor “Milot-Balldre”. Kjo do të thotë që projekti po vazhdon me ritmet normale duke kaluar në hallkat e nevojshme institucionale para zbatimit. “Vlerësimi i shkurtër teknik bëhet me qellim demostrimin e vlerësimit mjedisor të projektit “Ndërtimi dhe mirëmbajtja e segmentit rrugor “Milot-Balldre”. Qëllimi i këtij projekti është ndërtimi i segmentit rrugor “Milot-Balldre” me gjatësi 17 kilometra që lidh Milotin me qytetin e Lezhës dhe devijohet si rrugë pjesërisht e re, nga nyja e qytetit të Lezhës deri në Balldre, ku më pas lidhet me rrugën ekzistuese në drejtim të Shkodrës. Projekti i propozuar përfshin ndërtimin e segmentit rrugor “MILOT – BALLDRE”, si dhe ndërtimin e tunelit me 2 portal në malin e Rencit. Gjatësia e autostradës Milot-Balldre është afërsisht 17 km duke përfshirë rrugën automobilistike kryesore, tunelin dhe urat.
Projekti parashikon ndërtimin e rrugës automobilistike 15 302metra, tunelin dy portal me gjatësi 850 metra, ura e Matit me gjatësi 624 metra, Ura e Drinit 224 metra.
Po kështu referuar dokumentit propozohet ndërtimi ne total i 9 500 metrave Rrugë Dytësore Kategoria F2 për të mundësuar dhe lehtësuar qarkullimin e banoreve të kësaj zone dhe 3300 metra Rrugë Shërbimi Provizore të cilat do të jenë të nevojshme gjatë ndërtimit të rrugës kryesore. Dokumentet argumentojnë se trafiku në rritje nga Tirana drejt pjesës veri perëndimore të vendit dhe gjithashtu kushtet e infrastrukturës ekzistuese kanë sjellë reduktimin dhe mungesën e sigurisë rrugore në nivelin e shërbimit në këtë zonë, veçanërisht në dimër. “Mbi të gjitha, kushtet në të cilat gjendet rruga aktuale Milot – Balldre, kapacitetet e saj, mungesa e standardeve në proporcion me kapacitet e zonës, numri i lartë i aksidenteve vdekjeprurëse në këtë aks rrugor kanë sjellë nevojën për një projekt të ri rrugor në këtë zonë” thuhet në dokument.
Milot-Balldre si pjesë e paketës 1 miliardë
Projekti për ndërtimin e rrugës Milot-Balldre vjen si pjesë e paketës 1 miliardë euro e shpallur nga qeveria pak vite më parë. Nga momenti kur nisi ky program e në vijim projektet që janë bërë pjesë e saj kanë ndryshuar sikurse është Kardhiq-Delvinë që u nxor nga kjo skemë dhe do ndërtohet nga buxheti ashtu sikurse Thumanë-Rrogozhinë, që kishte emrin e një fituesi, u anulua pas protestave të shumta e studenteve.
Sot në zbatim është kontrata e Rrugës së Arbrit që është pjesë e kësaj pakete ndërkohë që është edhe një tjetër aks në Jug të vendit, konkretisht Porti i Jahteve Orikum-Dukat që ende nuk është bërë e ditur nëse ka avancim të kontratës.
Së fundmi në vazhdën e optimizimit të burimeve financiare të disponueshme u tha se ndoshta planet për Milot-Balldre do të ndryshojnë gjithashtu. Një anulim final për këtë projekt nuk është bërë, por është pranuar se kompania që fitoi tenderin nuk kishte kapacitete të mjaftueshme financiare çka do të thotë që projekti do të mbetet por zbatuesi mund të jetë një kompani tjetër.
Mungesa e kapaciteteve financiare të kompanisë zbatuese
Milot-Balldre, e miratuar nga Kuvendi me një kosto prej 256 milionë euro për 13 vjet (por që mund të arrijë deri në 300 mln euro), ka qenë më e kundërshtuara dhe më problematikja, duke rezultuar dhe me falsifikime dhe për këtë është shprehur edhe Kontolli i Lartë i Shtetit.
Kompania fituese A.N.K nuk ka kapacitetin për të ndërtuar një rrugë të përmasave të tilla. Ndërsa A.N.K premton të financojë 52 milionë euro nga kapitali i vet, të dhënat zyrtare nga bilanci 2017 tregojnë se totali i aktiveve të saj është vetëm 16 milionë euro (2 miliardë lekë), ndërsa totali i kapitalit është 3.2 milionë euro. Kompania kishte të ardhura prej 16 milionë eurosh në 2017-n dhe një fitim minimal prej më pak se 1 milion euro. Kompania pretendon që do të marrë një hua prej 70 milionë eurosh.
Pra, kompania ka të ardhura, likuiditete dhe kapital modest në raport me projektin që pretendon të financojë, ndërkohë që ka nivel më të lartë detyrimesh në raport me mjetet e veta, çka e bën të vështirë marrjen e kredive në banka. Kompania ka një nivel të lartë të detyrimeve (borxheve), në raport me mjetet e veta, kryesisht të marra nga palë të treta jo banka, p.sh., ortakët. Raporti optimal i borxhit ndaj kapitalit konsiderohet të jetë maksimumi 1, pra detyrimet të jenë të barabarta me kapitalin. Ai përdoret për të matur qëndrueshmërinë, shëndetin e kompanisë dhe aftësinë e saj për të paguar detyrimet. A.N.K kishte detyrime që janë katër herë më të mëdha se kapitali i saj, duke ia bërë praktikisht ët pamundur marrjen e një kredie.
Paaftësia paguese e kompanisë u theksua dhe nga banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), e cila në një raport të fundit theksoi se “PPP-të e mëdha të diskutueshme vazhdojnë të jepen, veçanërisht në sektorin rrugor (për shembull seksionet Milot-Balldre dhe Orikum-Llogara), pa një nivel të mjaftueshëm të analizës kosto-përfitim dhe konkurrencë në procesin e tenderit. Kjo rrit koston e mundshme sociale dhe e ekspozon qeverinë ndaj rreziqeve të zbatimit, duke pasur parasysh gjithashtu mungesën e përgjithshme të të dhënave dhe situatën financiare të ofertuesve të zgjedhur, në raport me shkallën e projekteve të tenderuara”.
Kontrata u rinegociua pa garë
Ne 9 tetor 2018, kompania A.N.K fitoi procedurën konkurruese për dhënien me koncesion/PPP të ndërtimit dhe mirëmbajtjes së rrugës Milot –Balldre, me vlerë ndërtimi dhe mirëmbajtje gjithsej 161.5 milionë euro, sipas buletinit zyrtar të Agjencisë së Prokurimeve Publike. Në këtë shumë, sipas parimit të përgjithshëm në bazë të të cilit funksionojnë presupozohet që kompania duhet të kishte llogaritur të gjitha kostot, interesat për huatë e mundshme dhe fitimin e saj, që qeveria nga ana e saj duhet t’ia kthente me këste për një afat 13 vjeçar.
Por, kontrata është rinegocuar më pas pa garë, një praktikë që nuk mbështetet në asnjë ligj, teksa një pjesë e kontratës është kontraktuar përmes tenderit konkurrues dhe më pas pjesa tjetër është rinegociuar për interesat . “Sipas propozimit të rishikuar financiar, sipas deklaratës të datës 19.3.2019, norma e interesit e llogaritur për gjitha burimet e financimit të përcaktuara më sipër është 5%”, thuhet në kontratë (bëhet fjalë për tre burimet e financimit të kompanisë nga kredia, kapitali i vet dhe furnitorët prej 140 milionë eurove). Ky rinegocim i paprecedentë dhe pa garë e çoi vlerën e kontratës në 213 milionë euro, duke e rritur atë me 32%.
Falsifikime të dokumenteve
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar në auditimin e tij se të dhënat për kontratën koncesionare me Partneritet -Publik -Privat për ndërtimin e rrugës, Milot -Balldre nga kompania ANK janë falsifikuar. KLSH ka gjetur të dhëna të ndryshme në një tabelë që ka të njëjtin numër regjistrimi, ku vërehen qartë se si kanë ndryshuar shumat dhe afatet e financimit të segmentit nga furnitorët. Sipas shtojcës 6 “Modeli Financiar” të kontratës së përcjellë në Ministrinë e Financave financimi nga furnitorët është 19.5 milion euro, përkatësisht 9.5 milion euro vitin e dytë dhe 10 milion euro vitin e tretë të projektit koncesionar/PPP.
Sipas kontratës së botuar në faqen e Kuvendit, financimi nga furnitorët është 19.5 milion euro, përkatësisht 2.5 milion euro vitin e parë, 3 milion euro vitin e dytë, 7 milion euro vitin e tretë dhe 7 milion euro vitin e katërt, të projektit koncesionar/PPP. Shifrat e ndryshuara në tabelat që shoqërojnë kontratën janë të faktuara nga faksimilet në fund.
Shifrat e ndryshme në njëjtën shkresë me të njëjtën numër regjistrimi tregojnë për ndërhyrje njerëzore të paligjshme që cenojnë integritetin e të dhënave dhe shifrave të mëparshme të studimit të fisibilitetit, tha KLSH./MONITOR