BallinaKryesoreBallkani në udhëkryqin gjeopolitik

Ballkani në udhëkryqin gjeopolitik

spot_img
spot_img

Dr. Edita Tahiri, ish-zëvendëskryeministre dhe kryengeociatore

Ballkani është zënë peng nga gjeopolitika. Ky është një moment definimi i diagnozës së rajonit tonë. Derisa në këto dy dekada përpjekjet u orientuan për paqe dhe stabilitet dhe për integrime euroatlantike të gjithë shteteve të rajonit tonë, përveç Serbisë, sot asnjëra nga këto procese nuk janë të përfunduara. Arsyet janë të ndryshme, ndërsa përgjegjësia është edhe kombëtare edhe ndërkombëtare. Mirëpo, arsyeja kryesore pse paqja mbeti e papërfunduar që askush më nuk mund ta kontestojë është lejimi i lojërave gjeopolitike në Ballkan. Kjo përkundër faktit që Ballkani, përkatësisht Evropa Juglindore, kanë një peshë të veçantë gjeopolitike dhe janë përcaktuar për gjeopolitikën perëndimore euroatlantike, përveç Serbisë që mban anën e Rusisë dhe të gjeopolitikës euroaziatike.

Ndarje e re e vijave gjeopolitike u bë pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, kur shtetet që dolën nga zhbërja e ish-Jugosllavisë, përfshirë këtu Kosovën, u përcaktuan qartë për rendin demokratik dhe gjeopolitik perëndimor si dhe u përkrahën nga Perëndimi, ShBA-ja dhe partnerët evropianë, në luftën e tyre për liri dhe pavarësi.

Në këtë fitore të madhe të ëndrrës për liri dhe pavarësi dhe përcaktimit gjeostrategjik drejt Perëndimit, pak iu dha rëndësi faktit që në mes të Ballkanit ishte Serbia e cila si “Kali i Trojës” po punonte për interesa gjeopolitike ruse e të aktorëve të tjerë që përmblidhen në një emërues të përbashkët të ambicieve të neohegjemonisë nga vende joperëndimore, humbësve të Luftës së Ftohtë. U injoruan deri në masë të palejueshme lojërat e rrezikshme të Serbisë, e cila me një anë gjoja synonte evropianizimin dhe anëtarësimin në BE, ndërsa në anën tjetër po armatoset çdo ditë e më shumë nga Rusia për ta marrë rolin e neohegjemonit në Ballkan.

Çfarë ndodhi?

Së pari, jo se në vendet e Ballkanit nuk kemi vizion të qartë për integrimin euroatlantik, por mbase nuk mund ta demonstronim përmes reformave të thella, për shkak të urisë së madhe për korrupsion dhe pasurime personale, duke i lënë vendet tona mjaft të dobëta dhe të pazhvilluara. Kjo madje cenoi vlerat e liberal demokracisë duke prodhuar autokraci ndër elitat politike. Ndërkohë, mungesa e perspektivës ekonomike po nxitë ikjen e rinisë nga vendet tona.

Së dyti, ne u përballëm kohët e fundit me një Bashkim Evropian që fliste me dy zëra në disa çështje gjeopolitike për Ballkanin. Unë pashë dy Evropa. Shpresojmë të unifikohet tani kur erdhi udhëheqja e re. Një zë i Bashkimit Evropian i disa zyrtarëve që me lehtësi e komoditet hapën hapësirë për ide të rrezikshme për ndryshimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Jam e sigurt që të tillët nuk ishin në dijeni se çfarë do të thotë kjo për paqen dhe gjeopolitikën në Ballkan dhe Evropë, pra tentuan ta prekin një kufi duke mos ditur se do të përhapej gjithandej në rajon si dhe do të rritej ndikimi gjeopolitik rus përmes “Serbisë së madhe”. Ç’është më e keqja, kumbarë të kësaj pune djallëzore ishin presidentët e Kosovës dhe Serbisë dhe çuditërisht dhe pa nevojë, edhe kryeministri i Shqipërisë. Kjo çështje dështoi falë kundërshtimit të plotë nga Kosova dhe kombit shqiptar dhe qëndrimit të prerë kundër të Gjermanisë dhe kancelares Merkel, dhe mbështetjes nga aleatët e tjerë perëndimorë, përfshirë ShBA-në, Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën. Gjermania dhe fuqitë e tjera udhëheqëse Evropiane ishin zëri i Evropës konsekuente që po vazhdonte t’i mbajë premtimet e dhëna në agjendën e Selanikut më 2003 për integrimin e gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Së treti, blloku transatlantik u përballë me sfida. Projekti paqësor për Ballkanin Perëndimor përmes integrimit të vendeve të Ballkanit të BE-së dhe NATO mbeti i papërfunduar edhe pas njëzetë vjet përpjekje. Reformat e brendshme, lodhja nga zgjerimi, mungesa e konsensusit për disa çështje jetike krijuan hapësirë që lojëra negative të luhen në Ballkan nga Rusia, po as Kina e Turqia nuk mbetën mbrapa. Rusia shkoi aq larg sa ndërhyri që ta pengojë anëtarësimin e Malit të Zi në NATO dhe vazhdon me ndërhyrje Bosnje e Maqedoni përballë kësaj situate. ShBA-ja dhe partnerët evropianë mbase tani kanë një rikthim të angazhimit në Ballkan. Se rreziku i destabilizimit të Ballkanit po vjen nga Rusia. Tashmë thuhet qartë në qëndrimet zyrtare amerikane dhe të vendeve evropiane, dhe të Mbretërisë së Bashkuar.

Së katërti, marrëveshja paqësore në mes të Kosovës dhe Serbisë ende nuk përfundoi, sepse Serbia nuk ka hequr dorë nga krijimi i “Serbisë së madhe” dhe dominimi gjeopolitik serbo-rus në Ballkan. Kjo për vetë faktin se tri procese paqësore në një periudhë njëzetëvjeçare, në Konferencën e Rambujesë, në bisedimet për statusin në Vjenë dhe dialogun për normalizimin e fqinjësisë mes dy shteteve në Bruksel, nuk sollën një marrëveshje përfundimtare për paqe mes Kosovës dhe Serbisë. Dy të parat Serbia i refuzoi, nuk nënshkroi marrëveshjet as në Rambuje as në Vjenë. Në dialogun e Brukselit ishte pak më bashkëpunuese, mirëpo kur Serbia e pa se gjërat po shkonin drejt përfundimit, braktisi këtë proces për t’u futur në lojëra gjeopolitike për t’i ndryshuar kufijtë në ambicie për të krijuar “Serbinë e madhe”. Në dy proceset paqësore në Rambuje dhe Vjenë, faktori ndërkombëtar perëndimor pati plane të qarta. Pas dështimit të Serbisë për ta nënshkruar Marrëveshjen e Rambujesë, ShBA-ja dhe NATO intervenuan me mjete të forcës, bombarduan Serbinë, ndalën luftën, gjenocidin serb kundër shqiptarëve dhe Kosova u çlirua. Kur Serbia dështoi ta nënshkruajë Marrëveshjen e Vjenës, Planin e Ahtisarit, Kosova shpalli pavarësinë dhe mori përkrahjen e partnerëve ndërkombëtarë. Në Dialogun e Brukselit u arrit që të integrohet pjesa veriore në sistemin e shtetit të Kosovës, u eliminua çështja e ndarjes së veriut dhe Serbisë iu vu kusht Kapitulli 35 për t’u zbatuar marrëveshjet e pazbatuara dhe një marrëveshje paqësore ligjërisht e obligueshme. Tash dy vjet u bllokua dialogu dhe jo për taksën siç është servuar një narrativ, por për shkaqe të ideve të rrezikshme për prekje kufijsh. 

Çfarë po ndodh në të vërtetë?

Ballkani është në udhëkryqin gjeopolitik. Mendoj se ka forca që pretendojnë për ta dominuar Ballkanin përsëri. Në këtë rast është Serbia e cila nuk dëshiron ta shohë Ballkanin e barabartëve. Mirëpo, ka një Evropë dhe një ShBA dhe të tjerët që të shohin këtë dhe ta mbështesin Ballkanin e të barabartëve. Këto ditë u përballëm edhe me idenë e Shengenit për Ballkanin në rajonin tonë, ndërsa ne të gjithë duam të shkojmë në Evropë dhe në botën euro-atlantike. Çfarë janë këto krijesa që i imponohen Ballkanit, që risjellin sisteme gjeopolitike dominimi serbo-ruse, të cilave iu dhamë fund me luftë e me sakrifica me sublime.

Çfarë duhet të ndodhë?

Marrëveshja paqësore në mes të Kosovës dhe Serbisë me njohje të ndërsjellë në kufijtë aktualë, të garantuar nga ShBA-ja dhe BE-ja, është rruga e vetme që sjell paqen e qëndrueshme në rajon. Një marrëveshje që ka për bazë parimet ndërkombëtare për fqinjësi mes shtetesh që kanë pasur luftë, ku Serbia si palë agresore merr përgjegjësitë për luftën dhe gjenocidin e bërë kundër Kosovës dhe shqiptarëve, merr përsipër obligimet për reparacionet e luftës, respekton vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare për Drejtësi për ligjshmërinë e pavarësisë se Kosovës dhe pranon sukcesionin ku një e teta e pasurisë së ish-Jugosllavisë i takon Kosovës. Ky është opsioni i vetëm që nxjerrë Ballkanin nga udhëkryqi gjeopolitik dhe mënjanon rreziqet për paqen dhe stabilitetin në Ballkan dhe Evropë.

Nuk duhet lejuar më tej që Ballkani të mbetet fushëbetejë gjeopolitike për të tillët që kanë trauma nga humbjet e dominimeve nga Lufta e Ftohtë.

Një plan i qartë gjeopolitik i partnerëve perëndimorë, ShBA, BE dhe NATO, është i domosdoshëm për t’ua prerë rrugën lojërave gjeopolitike që po zhvillohen në Ballkan. Disa nga elementet kryesore të këtij plani do të ishin: përshpejtimi i anëtarësimit të Kosovës dhe vendeve të tjera të rajonit në NATO, rritja e pranisë ushtarake amerikane në Kosovë që është e domosdoshme për t’iu kundërvu rritjes së pranisë ushtarake ruse në Serbi, vazhdimi i reformave demokratike, ndërtimi i paqes dhe pajtimit në rajon, integrimi i gjashtë vendeve në BE.

Shkruar enkas për “Epokën e re”

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular