Nga Red Varaku
“Qeveria amerikane kundërshton me fuqi çdo dëm në kurriz të Shqipërisë e në përfitim të Jugosllavisë”, deklaronte në 10 shkurt 1920, Presidenti Amerikan Woodrow Wilson.
Pra, 100 vjet me parë , në vitin 1920 , Ballkani dhe veçanërisht Shqipëria ndodhej në të njëjtin udhëkryq historik ku ndodhet edhe sot. Edhe atëherë ashtu si sot ishin vënë pikëpyetje, jo vetëm territoret e saj, por edhe egzistenca e saj.
Më 10 shkurt 1920, Presidenti Wilson protestoi kundër metodave anglo-françeze, ndërsa pesë ditë më vonë (15 shkurt), Wilson deklaroi se “Qeveria amerikane kundërshton me fuqi çdo dëm në kurriz të Shqipërisë e në përfitim të Jugosllavisë”.
Ai shkoi edhe më larg duke kërcënuar bashkëpunimin me europianët dhe tërheqjen nga Traktati i Paqes me Gjermaninë. Vetëm një ditë më vonë, Londra e Parisi u dorëzuan dhe u tërhoqën para presionit amerikan.
Më 6 mars 1920, Presidenti Wilson dërgoi një notë tjetër ku kërkonte: “… që çështja shqiptare të mos përfshihet në diskutimet e planifikuara mes Italisë dhe Jugosllavisë, dhe se Presidenti dëshironte të riafirmonte se nuk do të pranonte asnjë plan, që parashikonte dhënien e prefekturave veriore të Shqipërisë , Jugosllavisë, si shpërblim tokësor për çka Jugosllavia humbte në kufinjtë me shtetet e tjera.
Pra, ashtu si 100 vjet më parë ishte pikërisht ndërhyrja vendimtare Amerikane, nëpërmjet Presidentit Woodrow Wilson, i cili refuzoi aneksimin e Shqipërisë nga fqinjët, duke refuzuar çdo marrëveshje në dëm të faktorit shqiptar. Kjo ishte një arritje e jashtëzakonshme për shqiptarët.
Njëqind vjet më vonë kombi shqiptar ndodhet sërish në të njëjtin udhëkryq. Prezenca e shtuar e Amerikanëve në rajon lidhet pikërisht me rikthimin në tavolinë nga qarqet anti-shqiptare të së njëjtës axhendë , humbjen e sovranitetit të Shqipërisë nëpërmjet idesë së Moskës për krijimin e Jugosllavisë së re.
Me ç’duket ringjallja e armiqve historikë të Shqiptarëve, risjell gjithmonë në tavolinë të njëjtën axhendë anti-shqiptare të fqinjëve tanë. Sigurisht, që pushtimet e kohëve që jetojmë nuk janë më ushtarake, por janë pushtime ekonomike. Ideja e Jugosllavisë së Re synon pikërisht ‘pushtimin’ ekonomik dhe kthimin e tyre në vasalë të aleancës së re sovjetiko-kineze nëpërmjet Beogradit.
Urojmë që këtë vit shqiptarët të mos rrinë duarkryq dhe të presin për ndërhyrjen amerikane për të shpëtuar Shqipërinë dhe shqiptarët nga kurthet e aleancës së re sovjetiko-kineze, që sa vjen edhe po bëhet më e qartë , por ta zgjidhin vetë këtë situatë.
Sepse, nëse para 100 vjetëve ishim një shtet i ri ,i pakonsoliduar dhe kishim nevojë për një mbështetje, sot falë amerikanëve , jemi dy shtete të pavarura shqiptarësh dhe nuk na falet të na mbajnë akoma për dore si ‘fëmijë’ të parritur. Shqiptarët duhet t’i marrin vetë në dorë fatet tona, sigurisht nën udhëheqjen e vlerave perëndimore dhe demokracisë amerikane dhe në aleancë me miqtë tanë historikë dhe të mbrojnë interesat e tyre.
Është koha që realizimin e axhendës shqiptare në rajon ta marrim vetë përsipër dhe ta detyrojmë aleancën e re sovjetiko-kineze të tërhiqet nga plani i saj i hershëm për të asgjësuar faktorin shqiptar. Nëse nuk e bëjmë dot tani që jemi dy shtete shqiptarësh në Ballkan, atëherë ka rrezik të mos e realizojmë dot kurrë. Qoftë ky vit fillimi i një epoke të artë për të gjithë kombin shqiptar!