BallinaKryesoreEdi Rama është hero i kombit, popullit dhe shtetit të Serbisë!

Edi Rama është hero i kombit, popullit dhe shtetit të Serbisë!

spot_img
spot_img
Nga Enver Bytyçi

Para pak ditësh kryeministri i Shqipërisë në përgjigje të kritikave për bashkëpunimin e tij me Beogradin dhe denigrimin që ai i bën Kosovës, shkroi një status në të cilin përpiqej të thoshte se ‘Nuk ishte hero as atëherë kur deklaroi në Beograd që Serbia ta njohë Kosovën dhe nuk është tradhtar as sot me iniciativën e Minishgengenit’!

Në fakt në atë status Edi Rama donte t’u thoshte kritikëve të tij se Edi Rama në nëntorin e vitit 2014 ka qenë ‘patrioti’ dhe ‘heroi’ i shqiptarëve, sepse ‘guxoi’ t’i kërkonte Aleksandër Vuçiç njohjen e Kosovës, madje nga foltorja e konferencës për shtyp në Beograd. Se çfarë ka ndodhur aso kohe kam shkruar në analizën time ‘Dështimi i parapërgatitur i zotit Rama në Beograd’ të datës 18 nëntor 2014.

Aty paralajmëroja se simbolika nacionaliste e kryeministrit të Shqipërisë do të rezultonte e rrezikshme për Kosovën dhe interesat e shqiptarëve në rajon. Argumenti im i asaj kohe lidhej me faktin se të dy protagonistët, Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç, në vend të komunikonin me njëri-tjetrin, komunikuan me elektoratin e tyre në Shqipëri e Kosovë nga njëra anë dhe atë në Serbi nga ana tjetër.

Kjo do të thoshte bashkërendim, mirëkuptim midis tyre për simbolikat dhe tonet nacionaliste që përdorën.

Pse i duhej Edi Ramës roli i ‘heroit’ dhe ‘patriotit’ në Beograd nëntorin e vitit 2014?

Ai kishte vetëm një vit në pushtet dhe gjatë kësaj kohe nuk kishte mundur ta bënte për vete opinionin publik në Kosovë. Publicistika e tij anti-Kosovë e viteve 1990 dhe kundërshtimet ndaj Rrugës së Kombit ruheshin në kujtesën e shqiptarëve në Kosovë, ndaj dhe respekti ndaj tij ishte përtokë.

Ramës i duhej një skup i madh që të harroheshin të gjitha e të shpallej hero e patriot. Prej 16 vitesh në politikë, ai kishte mësuar se si mund të rikuperohej imazhi dhe deri diku ia arrti të kishte sukses. Por nuk thuhet kot se ‘dardha e ka bishtin mbrapa’!

‘Heroi’ dhe ‘patrioti’ Edi Rama nuk tentoi thjesht kurimin e imazhit të tij, përkundrazi, hyri në rol për të krijuar një autoritet imponues ndaj Kosovës. Serbisë i duhej po aq sa Ramës që këtij të fundit t’i krijohej mundësia e rritjes së autoritetit në institucionet dhe opinionin kosovar.

Skenari u zhvillua më tej gjatë takimit të Nishit në vjeshtën e vitit 2016. Atëbotë Rama dhe Vuçiq u takuan jo vetëm në Nish, por dhe në Beograd. Në Beograd u promovua libri ‘Kurbani’, i pari libër i një politikani të Shqipërisë i përkthyer dhe i botuar në Serbi.

Dy njerëz të artit dhe letërsisë serbe, Kosturica dhe Ivo Andriç, megjithëse të njohur si antishqiptarë të tërbuar, u nderuan dhe respektuan me shumë respekt nga ana e zotit Rama. Ndërkaq në Nish mungoi Kosova.

Aty u fol për projektin e Jugosllavisë së Re. Rama foli gjithashtu në emër të Kosovës. Thaçi dhe Enver Hoxhaj reaguan ashpër dhe e akuzuan kryeministrin e Shqipërisë për paternalizëm. Rama u përgjigj me arrogancë imponuese.

Ky ishte hapi i parë me të cilin kryeministri i Shqipërisë u përfshi në projektin e shkatërrimit të pavarësisë dhe shtetit të Kosovës, madje duke përfituar me shfaqjen e tij ‘patriotike’ të nëntorit 2014 në Beograd. Disa muaj më vonë, gjatë një samiti në Sarajevë të fund dimrit 2017, Aleksandër Vuçiç dhe Edi Rama skicuan krijimin e kësaj Jugosllavie me pjesëmarrjen e të gjitha shteteve që dolën nga ish-Jugosllavia, minus Slloveninë dhe plus Shqipërinë.

Po përsëritej periudha e viteve 1941-1948, kur më 1946 – 1947-ën Shqipëria e Enver Hoxhës nënshkroi me Jugosllavinë e Titos marrëveshjen e integrimit të vendit tonë si republikë e 7-të në Jugosllavi. U nënshkruan asokohe marrëveshjet për unifikimin e doganave, punësimin, lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave, marrëveshja për të pranuar prezencën ushtarake jugosllave (serbe) në Shqipëri dhe madje edhe marrëveshja për unifikimin e parasë.

Leku do të quhej dinar! Ndërkaq, ashtu si sot, u injorua Kosova, interesat e saj, hallet dhe problematikat, varret dhe viktimat e pafund, vuajtjet dhe sakrificat e shqiptarëve nën sundimin e Serbisë e nën terrorin e saj permanent.

E tillë duket iniciativa e Vuçiç dhe Ramës këto kohë për krijimin e Minishengenit, me të cilin synohet krijimi i Jugosllavisë së re. Rama thotë jo, nuk kemi të bëjmë me Jugosllavi të re. Por miku i tij Vuçiç e dekonspiroi, sepse deklaroi se ‘po punon për interesat serbe në Ballkan dhe se po përpiqet ta krijojë një Jugosllavi të tillë’!

Ai për të disatën herë e krahasoi veten me Josiph Broz Titon, duke e lidhur emrin e tij me lulëzimin e Jugosllavisë socialiste. E dekonspiroi gjithashtu gënjeshtrën tjetër të Ramës për mbështetjen evropiane të nismës për Minishengen, kur tha se ‘Brukseli është i rezervuar ta mbështesë këtë nismë’!

Ndërsa ministri serb i Punëve të Jashtme në deklaratën e parë të tij për vitin 2020 u shpreh krenar që Minishengeni është projekt i Serbisë dhe në shërbim të interesave të aj. Edi Rama shihet si ndihmësi më besnik i Beogradit për realizimin e panit të Beogradit për krijimin e serbisë së madhe me rolin e një lideri në rajon. Por Rama nuk guxon të reagojë as kundër Vuçiç, as kundër Daçiç.

Ai nuk po reagon gjithashtu kundër aktit të dhunshëm të serbëve ndaj ambasadës së Malit të Zi në Beograd. Ai reagon me fyerje, sharje dhe piskamë vetëm kundër institucioneve dhe liderëve të Kosoves!

Edi Rama e përdori ‘heroizmin’ e tij të nëntorit 2014 në Beograd edhe për zbatimin e një projekti, tjetër, atë për ndarjen e Kosovës. Përpjekjet e tij në këtë projekt gjetën mbështetjen e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit.

Ndërkaq intepret dhe propagandist i ideve dhe projekteve të tilla u caktua publicisti dhe mandati i medieve në Kosovë, Baton Haxhiu, i njohur për bashkëpunimin e tij të ngushtë me shërbimin sekret të Serbisë. Ai ishte gjithashtu anëtar i ekipit serb në hartimin e skenarit për realizimin e ambicieve të Serbisë së Madhe përmes bashkëpunimit me Tiranën zyrtare të Edi Ramës e në funksion të shkatërrimit të pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës.

Me ‘patriotizmin’ e tij të deklaratës në Beograd, Rama besoi se në këtë aventurë do të kishte mbështetjen e qytetarëve të Kosovës. Në fakt mori koston e merituar, atë të akuzave të drejtpërdrejta për ‘tradhti ndaj interesave të Kosovës’! Sot e artikuloi këtë akuzë në një letër publike edhe ish-aleati dhe miku i tij, lideri i Vetëvendosjes dhe kryeministri në ardhje, Albin Kurti.

Të gjitha ato që ndodhën pas nëntorit 2014, kur Edi Rama vizitoi për herë të parë Serbinë, janë dëshmi e faktit se kryeministri i Shqipërisë u vu në shërbim të interesave serbe në Ballkan.

Jugosllavia e Re, Kosova e ndarë, Minishengeni i ditëve të sotme, të gjitha këto projekte patën dhe kanë mbështetjen e pakushtëzuar të Edi Ramës. Dhe të gjitha ato synojnë thjesht faktorizimin dhe fuqizimin e Serbisë në dëm të interesave të Kosovës dhe të Shqipërisë. Dekadat e ardhshme, atëherë kur të hapen arkivat serbe dhe ruse, do ketë prova dhe fakte tmerruese për angazhimin proverb e antishqiptar të Edi Ramës.

Do të mësohen dhe arsyet e këtij qëndrimi nga ana e tij. Ndërkohë për sot janë të mjaftueshme publikimet e zotit Rama për të provuar pa kontestime ato që parashtruam në lart.

Për të gjitha këto arsye Edi Rama është një hero i vërtetë. Por jo hero i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. Ai ka filluar të nderohet e do të nderohet për jetë si hero i kombit, i popullit dhe i shtetit serb.

Ndoshta sinodi i Kishës Ortodokse të Serbisë do ta shpallë gjithashtu shenjtor të besimit ortodoks serb. Sepse është në praktikën e këtij sinodi që shërbëtorët politikë të kombit serbë t’i nderojë përmes shenjtërimit!

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular