Ora shënon 06:35 e mëngjesit të datës 7 janar. Një automjet fouristradë ‘Mercedez Benz’, ngjyrë gri fiksohet nga kamerat e një lokali që ndalon afër hyrjes së një pallati 9 katësh në qendër të qytetit të Rrëshenit.
Nga automjeti del një person i gjatë, i veshur me xhup ngjyrë të çelet dhe në kokë mban një kapele të zezë me strehë.
Ai kalon në anën e pasme të makinës, hap bagazhin dhe nxjerr prej andej një çantë në formë gjatësore, si ato që përdoren për mbajtjen e armëve të gjata. Më pas merr një çantë tjetër nga sedilja e pasme e mjetit dhe me të dyja çantat në dorë niset në drejtim të hyrjes së pallatit.
Nga mënyra e të ecurit, krijon përshtypjen e një djali të ri, rreth të 30-tave. Automjeti nga ai që zbriti autori, largohet në drejtim të rrugës së tregut. Në orën 12.07 kamerat e sigurisë kanë filmuar një person duke dalë me shpejtësi nga hyrja e pallatit 9 katësh. Personi me trup të gjatë, ka flokë të gjata të lidhura bisht, në dukje si paruke, mban veshur një fustan me ngjyrë të zeze dhe tuta poshtë tij. Ka syze të errëta dhe një çantë të erret në duar.
Personi i maskuar si femër largohet me shpejtësi në drejtim të tregut të fruta perimeve. Pikërisht ky person dyshohet të ketë ekzekutuar me snajper Kastriot Reçin, një ish-biznesmen në fushën e medias. Gazetarja Klodiana Lala ka mundur të sigurojë dosjen e plotë të policisë ku zbardhet mekanizmi i ngjarjes.
Në material thuhet se autori i dyshuar u ngjit në katin e fundit të pallatit 9 katësh. Hapi me forcë derën e apartamentit në pronësi të shokut të Armando alias Tonin Gjini, ky i fundit i vrarë në gusht 2019 në qendër të Rreshenit. Prej andej ka vëzhguar lokalin Mirdita, pronë e familjes Reçi deri në momentin kur është shfaqur Kastriot Reçi.
Kamerat e sigurisë në zonë kanë filmuar momentin kur Kastrioti, babai i një djali shfaqet teksa vjen me automjet dhe sapo zbret takon një grua, e cila mbante për dorë një fëmijë. Sapo puth në faqe fëmijën ai bie përtokë. Ekzekutori e qëlloi me snajper me një plumb të vetëm duke i shkaktuar vdekjen. Në apartamentin që ekzekutori qëndroi për të vrarë Reçin u gjet një kanotiere dhe një pako me kikirikë.
Teksa u largua nga vendi i krimit, të ura e tregut të fruta perimeve ai hodhi paruken, me fije të gjata ngjyrë kafe, të kapura bisht dhe një pelerinë të zezë. Dyshohet se vrasja e Kastriot Recit është bërë për hakmarrje dhe se ka lidhje me veprimtarinë kriminale të 47-vjeçarit dhe vëllait të tij Gaspër Reçi, i vrarë në prill të 2017 në Itali. Kastriot Reçi është i pesti i viktimave të shënuara si hakmarrje mes bandave për drogën.
/BW/