Partia Demokratike publikoi sot një dokument të autoriteteve greke që dëshmon sipas saj se kryetari aktual i Bashkisë së Mallakastrës Qerim Ismailaj, është dënuar me 3 vjet burgim në Greqi.
Pas denoncimit të Partisë Demokratike, Prokuroria e Përgjithshme ka regjistruar procedimin penal ndaj kryebashkiakut të emëruar të Edi Ramës në Mallakastër, Qerim Ismailaj.
Burime nga prokuroria kanë bërë të ditur se i kanë lënë afat deri javën tjetër Ismailajt që të paraqitet për të dhënë shenjat e gishtërinjve.
Kurse vetë kryetari i Bashkisë së Mallakastrës, në një shkrim në rrjetet sociale, ka reaguar sërish ka pas publikimit të dokumenteve të shtetit grek nga Partia Demokratike për çështjen e dënimit në këtë vend.
Ismailaj deklaron se në kohën që ka jetuar dhe punuar si emigrant ekonomik në Greqi nuk është arrestuar, ndaluar apo depërtuar nga policia greke.
Për sa i përket shkresave të nxjerra nga PD, ai thotë se nuk ka pasur dijeni, pasi po të kishte do i deklaronte në formularin e dekriminalizimit duke arsyetuar se vepra dhe koha për të cilën presupozohet të jetë dënuar nuk është në kushtet që e pengonte kandidimin apo ushtrimin e detyrës.
Lidhur me përgjigjen e kryebashkiakut socialist, reagon sërish sekretari i përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi.
Përmes një postimi në Facebook, Bardhi nuk kursen ironinë teksa shkruan:
“Edi Rama-t në çdo bashki, kanë të njëjtën histori! Fillon gjithmonë kështu: Jam figurë e pastër, kam 3-4 emra dhe 11 mbiemra! Vazhdon me: kam qenë i ri, në të njëjtën kohë refugjat në Greqi dhe mësues ne Shqipëri! Përfundimi: nuk e mbaj mend ça kam bërë dhe nuk kam dijeni! Copë 4 deri tani!”.