Nga Ilir Nikolla
Dje u regjistrua një moment emocionues në Foxhia të Pulias, u regjistrua një leksion i madh kombëtar për të gjithë Italinë. Mbi 20 mijë banorë, një shifër e jashtëzakonshme, po të llogarisim se qyteti numëron pak më shumë se 100 mijë banorë, mori pjesë në një marshim kundër mafias që po i merr shpirtin ekonomisë së qytetit dhe po vë në rrezik sigurinë e tij. Të protestosh kundër mafias është një fenomen jo krejt i ri në Itali, por protesta e djeshme në Foxhia ishte një ushtrim i madh demokracie, një tregues i atij sovraniteti që gëzon ende qytetari në demokracinë italiane. Protestën, njëra nga gazetat më të mëdha italiane “la Repubblica” e cilësonte “populli që sfidon bosët”. Në zhargonin shqiptar, do të thoshim se na u thanë sytë për një protestë kundër “të fortëve”, kundër “kopilave”, kundër “oligarkëve”, kundër maskarenjve do thoshte Ali Asllani, kundër “shakllabanave” do ulërinte Fishta…
Leksikun me përcaktorë për keqbërësit e kemi bajagi të pasur, çka do të thotë se vuajmë shumë e prej një kohe shumë të gjatë nga keqbërësit e të gjitha llojeve, që shfrytëzojnë mungesën e këtyre protestave me të vërtetë sovrane, kundër atyre që gjyshja ime i cilësonte me përbuzje “agallarë që do ju vijë dita”. Këtë ushtrim popullor e kemi ushtruar pak herë, megjithatë fatmirësisht për ushtrimin e fundit e kemi ende kujtesën. Lëvizja Studentore e 1990-s ishte një ushtrim i tillë. Është fat që demokracia shqiptare lindi së bashku me një ushtrim të tillë popullor e kombëtar, është si të lindësh me këmishë, është njësoj sikur trupi i demokracisë të lindtte njëkohësisht me antikorpet e sëmundjes më të rrezikshme që mund të godasë një demokraci, me antikorpet kundër uzurpatorëve të pushtetit, kundër atyre që s’pranojnë votën dhe rotacionin që vjen bashkë me të.
Protesta e Pulias, një protestë masive e njerëzve pa pushtet e pa imunitet, që s’pranojnë dot që e ardhmja e tyre të jetë peng i “Mafias së Katërt” që po tenton t’i sundojë, nuk u pilotua nga lart, në njëfarë kuptimi ajo s’pati as drejtues, as organizatorë. Ajo protestë, ai ushtrim popullor ishte një masë mbrojtëse që vihet në lëvizje automatikisht, sa kohë ndjehet që virusi është përhapur rrezikshëm në trupin e demokracisë.
Shqipëria është vendi me pabarazinë më të madhe shoqërore në Evropë, vendi ku më pak se 5 % e popullsisë zotërojnë 95 % të pasurive, vendi me numrin më të lartë të vrasjeve për frymë të popullsisë në Evropë (përjashto ish-republikat sovjetike), vendi ku mbi 1 milion veta ose një e treta e popullsisë nuk garanton dot as një pjesë prej shërbimeve bazë, vendi me pasigurinë më të madhe juridike, vendi ku 60 % e rinisë ka në mendje vetëm një gjë: largimin.
Në një Shqipëri ku tashmë s’ka më asnjë mundësi për planifikimin e të ardhmes dhe ku e tashmja është një kalamendje mes mbijetesës dhe keqbërjes, shpresa kryesore shihet tek ushtrimi popullor që u bë njëherë në dimrin e 1990-s. Pulia jep një shembull se këto ushtrime kryhen edhe kundër mafieve, entitete që veprojnë jashtë rregullave që rëndom na i rrok mendja, prandaj s’do mend që ca zengjinë të rinj “bij Blloku” e kripto-komunistë s’mund ta tulasin energjinë demokratike të një populli prej të cilit lindi Lëvizja Studentore.
Merret vesh se këto ushtrime demokratike asnjëherë s’njohin kalendare e planifikime, por pas çdo bëme të pushtetit e pas çdo hajdutërie masive e vrasjeje me background shtetëror, duhen mbajtur veshët ngritur, sepse gota mund të jetë duke u derdhur. Një sizmiolog tha në një ekran televiziv pas tërmetit paralajmërues të shtatorit të shkuar, se Shqipëria goditet çdo 30 vjet nga një tërmet më i madh sesa 6 ballë dhe se ai afat kishte kohë që kishte kaluar. E në fakt, pas shtatorit erdhi 26 nëntori. Edhe sa i përket sundimit të keqbërësve, demokracia jonë ka kohë që s’po e ushtron dot të drejtën e votës, prandaj s’duhet të çuditemi se 2020-a do të jetë viti i një ushtrimi demokratik, të ngjashëm me atë çka po ndodh në Pulia.