Situata alarmante e rritjes së numrit të vdekjeve nga aksidentet rrugore ka bërë që Policia e Shtetit ta konsiderojë vitin 2020, si vitin e sigurisë rrugore, që nënkupton ashpërsimin e masave ndaj drejtuesve të mjeteve. Megjithë paralajmërimet, absurdi vazhdon: shtohen të vdekurit nga aksidentet, shtohen edhe rastet e shoferëve “pilotë”.
Në një njoftim të fundit të Policisë Rrugore, bëhet e ditur se mbrëmjen e së premtes që shënon dhe fillimin e fundjavës, janë bërë kontrolle të pandërprera me radar për të parandaluar shpejtësinë tej normave të lejuara, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore. Nga kontrolloi rezultoi një automjet me 191 km/h, një shpejtësi vrastare kjo e papranueshme, sipas Policisë.
Për 300 minuta kontroll me radar në këto akse rrugore u konstatuan 20 raste të shpejtësi tej normave të lejuara që varionin nga 141 km/h deri në 191 km/h.
20 drejtues mjetesh u dërguan ne OASH, por u parandaluan 20 aksidente.
Shpejtësia pa asnjë urgjencë, pa asnjë shkak, shpejtësia që vret jetën, cenon rëndë sigurinë rrugore të përdoruesve të tjerë të rrugës e në shumë raste fatkeqe patenta është dërguar pa të zotin pranë familjes.
Policia Rrugore porosit drejtuesit e mjeteve:
Stop shpejtësisë fluturuese para se aksidenti të ndalojë ju.
Gjithmonë kujto; qarkullojmë më ngadalë për të jetuar më gjatë.
Drejto automjetin duke respektuar rregullat e qarkullimit rrugorë; dikush po pret në shtëpi.
Binduni policisë rrugore; ndiqni rregullat e trafikut për të shmangur aksidentet.
Jeta është e shtrenjte, mbrojeni atë.