Silvana Begaj, e reja e cila u bë e njohur para disa kohësh për publikun shqiptar për shkrime të saj për projektin “Shqipëria Tjetër”, të cilat u shpërndanë në rrjetet sociale gjerësisht, me anë të një postimi në Facebook e saj i jep lamtumirën vendit te saj.
Silvana Begaj, në këtë shkrim me titull “Mirupafshim Shqipëri, unë po iki”, flet për vendimin e saj për t’u larguar nga atdheu, që aq shumë e do, por që nuk gjen mundësi për të ecur përpara.
“Eh, do të më mungosh e marrtë dreqi! Do të më mungosh aq shumë sa do pres vetëm një shenjë nga ti dhe unë do të vi përsëri”, shkruan ajo ndër të tjera.
Postimi i plotë:
Faik Konica: “Në qoftë se Shqipëria do të vdiste ndonjëherë, atëherë në epitafin e saj do të duhej të shkruhej: Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët”. Mirupafshim Shqipëri! Unë po iki!
Po lë familjen, po lë shokët e shoqet, po lë diellin, po lë kafen time të preferuar, po lë kujtimet dhe me to po lë dhe gjysmën time! Po e lë se do vi prapë ose se ndoshta do ta marr se s’dua të vi më!
Mirupafshim Shqipëria ime! Po lë çdo gjë në duart e të paepurve, krimit, drogës, injorancës. Unë nuk mund ta bëj shpirtin pis në emër të dashurisë për këtë vend!
Mirupafshim Shqipëri! Unë do të mendoj e do më marrë malli! Vras mendjen a do të marrë dhe ty për mua? E nëse do të merrte, pse më le të iki!
Mirupafshim Shqipëri! Vërja flakës veten se unë nuk dua të digjem! Le të digjen ata që duan ty në zjarr.
Mirupafshim Shqipëri e Gjergj Kastriot Skënderbeut! Luftuam kaq vite për ty dhe në fund të shesim me politikë. Turqia që të deshi aq shumë të ka marrë ka kohë me xhamitë e saj dhe telenovelat turke, e Serbia të mori me marrëveshje zotërinjsh.
Mirupafshim Shqipëri se dhe po të rri nuk kam me kë. Vendi po boshatiset çdo ditë dhe ata që janë aty janë thjesht fizikisht se me mendje janë larg nga ti!
Mirupafshim Shqipëri! Po të lë me vendet e tua të bukura që Naim Frashëri shkruante ditë e natë! Po të lë me dy detet më të bukura të rruzullit, me malet më të thepisura, po të lë me ajrin më të ëmbël dhe me diellin që ndriçon më shumë! Tani që e mendoj, po të lë dhe me hënën që të qan hallet çdo natë.
Shqipëri, ti ndoshta nuk e di, por në asnjë vend nuk ngroh dielli si aty dhe nuk ndriçon hëna si aty!
Mirupafshim Shqipëri! Do iki dhe do gjej një vend për qetësinë e shpirtit tim. Një vend që mos të ketë aq vrasje çdo ditë. Kam nevojë të di që jam e sigurt se jam shumë e re të vdes nga rastësia.
Mirupafshim Shqipëri! Mirupafshim o Shqipëri e pasur për 0.001 përqind të popullsisë dhe mjerim për pjesën tjetër.
Hap sytë Shqipëri! Lufta nuk sjell fitore! Tradhëtarët sjellin fitore të pisët!
Eh, do të më mungosh e marrtë dreqi! Do të më mungosh aq shumë sa do pres vetëm një shenjë nga ti dhe unë do të vi përsëri.
Silvana BEGAJ