‘Habemus Papam’ (E kemi Papën) është shprehja në latinisht që përdoret për të lajmëruar besimtarët e krishterë për zgjedhjen e papës së ri. Fjalë që tashmë përdoren edhe për të lajmëruar arritjen e diçkaje të shumëpritur.
Kësisoj mund të thuhet edhe për uljen në tokën shqiptare të zonjës Yuri Kim, ambasadores së re të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pra ‘Habemus legatum’, kemi një ambasadore. Shqiptarët, porsi të krishterët në oborrin e sheshit Shën Pjetër, po prisnin prej kohësh tymin e bardhë dhe shfaqjen në ‘ballkonin’ e selisë së shenjtë të ambasadave, atë të Rrugës së Elbasanit.
Ishte një pritje e gjatë, e cila përkon me një krizë po aq të gjatë politike. Andaj edhe pritshmëritë ndaj ambasadores janë shumë të mëdha. Sigurisht do të ishte e udhës që në vitet njëzet të shekullit XXI vendi ynë të mos priste për kalorësinë e huaj për t’u dhënë drejtim çështjeve të brendshme; megjithatë, rrethi vicioz që përsëritet vit pas viti, ambasador pas ambasadori, krizë pas krize, është një produkt i yni dhe i të huajve.
Ne, qytetarë dhe politikanë, iu kemi blatuar copëza përherë e më të mëdha të sovranitetit. Ata, nga të dyja anët e Atlantikut, kanë luajtur me vogëlsinë dhe papjekurinë tonë.
Për këtë arsye, sekrecionet tona pavloviane, pas çdo cicërime të Twiterit apo statusi në Facebook, janë pjesë e një kushtëzimi të shtresëzuar në dekada, ndaj të cilit nuk mund të presim çlirim të shpejtë.
Por, derisa të marrim fatet tona në dorë, do të na duhet të interpretojmë orakullin tonë të ri, i cili mund të parathotë diçka në emër të hyjnisë së politikës botërore. Për këtë arsye merr një rëndësi të posaçme ajo ç’ka thënë në muajin tetor e zgjedhura e Presidentit Donald Trump.
Në seancën e konfirmimit në Komisionin për Punët e Jashtme në Senatin amerikan, përveç refrenit euroatlantik të zbatimit të Reformës në Drejtësi, premtoi se do të nxiste udhëheqësit shqiptarë drejt zgjidhjes së krizës, me qëllim përforcimin e perspektivës së hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE. Si dhe që sheh si përparësi ndihmën teknike për Shqipërinë në hetimin, ndjekjen dhe ndëshkimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar ndërkombëtar.
Këto fjali krijuan vrik entuziazëm në radhët e qytetarëve opozitarë. Në gjuhën angleze po dëgjohej fjala krizë, fjalë që kryeministri shqiptar përjashtonte nga ato që mund të përdoreshin për të përshkruar çfarë po ndodhte përgjatë këtyre muajve.
Dhe duke marrë peng fjalën kishte marrë peng edhe zgjidhjen. Kjo nuk do të thotë që zonja Kim do të jetë palë me Opozitën, por që prioritetet e saj përkojnë me ato të Opozitës.
Zgjidhja e krizës, me qëllim përforcimin e perspektivës europiane nuk do të thotë vetëm adresimi i shkaqeve që qëndrojnë në zemër të saj, por një proces zhbllokues që kalon nëpërmjet kushteve të Bundestagut, të cilat janë njohur nga aktorët ndërkombëtarë dhe vendas si udhëzime për të çelur negociatat.
Pra, mbikëqyrja e rrugës së Elbasanit për zbatimin e kushteve, do të thotë adresimi i krimit zgjedhor, dy dosjet e bujshme dhe i ‘padëshiruari’ i Durrësit, kriminalizimi i politikës, për të cilin Partia Demokratike ka imponuar ligjin e ‘Dekriminalizimit’, si dhe frenimi i korrupsionit galopant (jemi të parët në Europë, në renditjen më të fundit të Transparecy International).
Paçka se ambasadorët janë ‘governativ’, kanë si interlokutor kryesor qeverinë, duket se fati, por edhe puna për të denoncuar nëpërmjet fakteve që tashmë janë ndërkombëtarisht të njohura, po i buzëqesh Opozitës.
Mazhoranca, pas zezonës së raporteve ndërkombëtare (rënia në Indeksin e Demokracisë si dështimi më i fundit), duket e dënuar të vuajë për pasojë të mëkateve të shumta. Më i fundit ishte ai i kryetarit të bashkisë së Bulqizës, i gjashti me probleme midis të votuarve të 30 qershorit. Për fatin e keq të mazhorancës lajmi u bë publik ditën në të cilën zonja Kim zbriti në Rinas; duke e gjetur ‘Rilindjen’ me kokën mbi pjatën e kokainës.
Një kartëvizitë që ilustron më së miri situatën nën hyqmin monopartiak të Edi Ramës dhe një tjetër provë pse vendi kërkon zgjidhje nëpërmjet zgjedhjeve.