Një status i tij në muajin shtator të vitit 2018, ku kritikonte Policinë e Shtetit për dy vrasje të ndodhura në Mamurras, i kushtuan atij përjashtimin nga grupi parlamentar socialist. Ishte kryeministri Edi Rama që i kërkoi Asamblesë së PS, përjashtimin e deputetit të Kurbinit, Gjetan Gjetani, duke bërë që ky i fundit të qëndronte në Parlament si deputet i pavarur.
Por së fundmi ish-deputeti socialist ka vendosur t’i bashkëngjitet Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Gjetan Gjetani në një intervistë për News24 shprehet se ai nuk ka bashkëpunuar në asnjë moment me bandat kriminale, për të marrë mandatin e tij, sepse nëse ai do të ishte pjesë e botës së krimit, do të ishte akoma pjesë e Partisë Socialiste. “Në qoftë se do isha pjesë e bandave kriminale, Rama s’do më kishte përjashtuar , sot do isha deputet i PS, i nderuar, i respektuar nga z.Rama”,- shprehet Gjetani.
Deputeti i Kurbinit tregon edhe kur lindi ideja për t’iu bashkuar LSI-së.
“Ideja ka lindur pas periudhës së tërmetit, në atë moment kuptova se Rama nuk po reflekton për zonën e Kurbinit në mënyrë absolute. Nuk e kisha vendosur që të kaloj në asnjë parti, qëllimi im ishte që të përfundonte legjislatura, mandati dhe të merrem me punët e mia private. Por më ka habitur mllefi që ka z.Rama për Kurbinin dhe për qytetarët e Kurbinit. Kjo ishte arseja që unë mendova të bëj një lëvizje të kaloj në një parti tjetër”, shprehet ai.
Gjetani tregon se ka negociuar për t’iu bashkangjitur LSI-së, drejtpërdrejt me kryetaren, Monika Kryemadhi. Ai thotë se nuk ka shkuar në këtë parti për të marrë premtime, por e me qëllimin për të ndihmuar zonën e tij.
“Kam komunikuar drejtpërdrejt me Kryetaren e LSI, znj.Monika Kryemadhi, të cilën e falënderoj për besimin, e falënderoj që me bëri pjesë të LSI. Nuk kam shkuar te LSI për të marrë premtime. Qëllimi im të ndihmoj zonën e Kurbinit”, deklaron Gjetani.
Ish-deputeti socialist akuzon Edi Ramën se ka rrënuar shtetin shqiptar, duke dështuar në reformat më kryesore që ka ndërmarrë.
“Besoj se Kryeministri Rama do mbahet mend në historinë e kombit shqiptar. E para ka shkatërruar ekonominë e vendit, e dyta ka shkatërruar sistemin gjyqësor, kemi një kolaps të sistemit gjyqësor. E treta në Shqipëri thuajse në çdo bashki kemi nga një bandë kriminale pas vitit 2013. E katërta për administratën shtetërore, një administratë haxhi-qamil, të gjithë janë emëruar të paktën në Kurbin se kam informacion të saktë, me urdhër të Edi Ramës”, thekson ish-deputeti i PS.
Gjetani deklaron se djegia e mandateve ka qenë një gabim sipas tij nga opozita.
“Për mua kjo lëvizje e opozitës ishte e gabuar por mbetet në vlerësimin e tyre. Çështja e mandatit tim do diskutohet nga Kryesia e LSI. Nëse do të ma kërkojnë të dorëzoj mandatin e bëj”, u shpreh Gjetani.
Por a është e moralshme kjo lëvizje e deputetit te Kurbinit?
“Në gjykimin tim është shumë e moralshme sepse jam përplasur me Ramën jo për interesa personale. Nuk më kanë pëlqyer asnjëherë lëvizjet nga një parti në tjetrën por jam përplasur me Ramën vetëm për interesat e qytetarëve të Kurbinit.”