Zbulohen detaje të reja për rrëmbimin dhe më pas vrasjen e Jan (Dod) Prengës.
Për këtë çështje janë përfshirë disa grupe kriminale në disa vende të botës.
Sipas asaj që raportojnë mediat policia shqiptare ka rënë në dijeni të një telefonate të përgjuar nga autoritetet britanike që shqiptari Gramoz Rexhepi, i burgosur në Quito të Ekuadorit ka bërë me Astrit Prengën, vëllain e viktimës i cili gjithashtu ndodhet në një burg në Britaninë e Madhe.
Prenga i kërkon vëllain ndërsa Rexhepi kërkon ngarkesën me 280 kg kokainë të nisur me porosi të tij, por që nuk kishte mbërritur në destinacion.
Pjesë nga telefonata:
Astrit Prenga: Më thuaj ku është im vëlla. Ku është Doda (Jan Prenga)
Gramoz Rexhepi: Ti e di fort mirë ku e ke vëllain se ti më ke prek mallin.
Astrit Prenga: Prit të flas me babain (dërgon pajtuesin e gjaqeve).
Gramoz Rexhepi: O ma gjej (drogën), o ma ke…
Pas kësaj telefonate, Prenga merr babain e tij në Shqipëri dhe i thotë që të mos e kërkojnë Janin sepse ndodhet në Shijak dhe të mos bashkëpunojnë me policinë.
Por policia kishte vënë përgjues në shtëpinë e viktimës dhe telefonat e familjarëve të tij dhe arriti ta dëgjonte këtë bisedë.
Babai i Prengës ka dërguar një pajtues gjaqesh në shtëpinë e Rexhepit, por pa rezultat. Astrit Prenga ka kthyer 110 kg kokainë që ai kishte marrë nga porti i Anglisë, dhe nisi negociatat me miqtë e tij për ta kthyer edhe ata drogën që kishin marrë.
Ata nuk kishin pranuar sepse donin që të komunikonin me pengun, gjë që nuk ishte e mundur sepse kishte ndërruar jetë që në momentin e rrëmbimit.
Resorti ‘Golden’ është vendosur në sekuestro nga policia për sa kohë ka dyshime dhe prova që brenda tij, që administrohej nga Altin Hajri, (në kërkim) ka dalë i pajetë pengu Jan Prenga. Rrethi i të hetuarve është zgjeruar pasi në Shkodër janë kontrolluar banesat e atyre që dyshohet se janë organizatorët e rrëmbimit dhe vrasësit e Jan Prengës.