BallinaKryesoreDëshmia rrëqethëse: Si e dogjën komunistët trupin e gjyshit tim. Babai, 13-vjeçar...

Dëshmia rrëqethëse: Si e dogjën komunistët trupin e gjyshit tim. Babai, 13-vjeçar iku nga internimi, zhvarrosi kufomën dhe…

spot_img
spot_img

“Pas këtij momenti, sapo u largua Bardha, në prezencë të gjithë mirditorëve të atyre fshatrave që i kishin sjellë me detyrim, kufomën e gjyshit tim, Frrokut, e spërkatën me një bidon vajguri dhe i vunë flakën duke i terrorizuar të gjithë të pranishmit. Thuhet dhe ka njerëz ende gjallë që kanë qenë prezent aty, disave u humbi mëndja kur shikonin se si digjej kufoma e Frrok Mëlyshit dhe se si lëvizte trupi nga djegia. Kur u shua zjarri, një nga oficerët, nxorri lekët nga xhepi dhe i tha njërit aty, që të shkonte dhe të blinte edhe një bidon vajguri, pasi e solli ai, ia rivunë edhe njëherë flakën. Ka ende burra gjallë sot në Mirditë që e kanë parë atë skenë”! Njeriu që flet dhe dëshmon për herë të parë për Memorie.al, këtë ngjarje të denjë vetëm për filmat horror, është 54-vjeçari, Frrok Mëlyshi me origjinë nga Serishta e Mirditës, i cili ka jetuar në qytetin e Laçit dhe që prej më shumë se dy dekadash jeton e punon në Bruksel. Edhe pse prej kaq vitesh larg Shqipërisë, Frroku nuk ka rreshtur asnjë herë së kërkuari e mbledhur dokumente, foto, fakte e dëshmi për historinë e familjes të tij, një nga më të njohura në Mirditë, edhe për shkak të librave që janë bërë për fisin e tij si dhe filmin “Operacioni zjarri” ku “Kreshnik Martini” i luajtur me mjeshtëri nga i madhi Llazi Serbo, është personazh real dhe kushëri i parë i babait të Frrokut. Por historia që na rrëfen Frrok Mëlyshi ekskluzivisht për Memorie.al ka lidhej vetëm me familjen e tij, gjyshin prej nga ka trashëgraur dhe emrin, si dhe babanë, Zef Mëlyshin, e cili në moshën 13 vjeçare, iku nga internimi dhe për gjithë natën udhëtoi i vetëm rrugë e pa rrugë në kërkim të eshtrave të të atit …?!

Z.Mëlyshi, para se të flasim për ngjarjen makabre që ka ndodhur me gjyshin tuaj, Frrok Mëlyshin, emrin e të cilit edhe trashëgoni, a mund të na njihni shkurtimisht me historinë e familjes Mëlyshi?

Gjyshi im, Frrok Mëlyshi ka lindur në Serishtë të Mirditës më 10 gusht të vitit 1908, ai ishte djali i vetëm i Mark Mëlyshit, që kishte dhe dy vajza, njëra e martuar në Orosh dhe tjetra fshatin Shqalsh. Kur gjyshi ishte në moshën 8 vjeçare, mbeti jetim se i vdiqën të dy prinërit dhe axha i vet, Gjon Mëlyshi, që ishte dhe i pari i fisit tonë dhe gjithashtu bajraktari i Kthellës, e rriti atë me një përkujdesje shumë më të madhe se fëmijët e tij. Ndërsa Frroku po rritej para kohe, dhe duke parë tek ai disa cilësira të veçanta, axha i tij, Gjoni, dalngadalë po ia lëshonte drejtimin e bajrakut, edhe pse ai ishte ende shumë i ri. Kur mbushi moshën për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak, atë e mobilizuan në Gardën Mbretërore në Tiranë, ku ra në sy për përgatitje të lartë, disiplinë dhe besnikëri, gjë e cila bëri që personalisht, Mbreti Zog, ta gradonte jashtë rradhe me gradën e togerit.

Sa kohë shërbeu Frrok Mëlyshi në Gardën Mbretërore?

Ai shërbeu aq sa ishte koha e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, por edhe pse Mbreti Zog donte ta mbante aty efektiv të rregullt, axha i tij, Gjon Mëlyshi, nuk pranoi, duke i dërguar fjalë Mbretit, se Frroku ishte jetim dhe djalë i vetëm. Por në shenjë mirënjohje për respektin që po tregonte Mbreti, ai i tha se do t’ju jap një djal tjetër dhe i dërgoi, Nikoll Mëlyshin, babanë e Pal Mëlyshit, personazhit të njohur tashë edhe nga librat e Mark Dodanit dhe filmi “Operacioni zjarri”, historinë e së cilit regjimi komunist e shtrembëroi, fallsifikoi dhe e përdori për qëllimi të veta dhe për të përçarë fisin Mëlyshi, që ishin të gjithë antikomunistë të vendosur. Por kjo është një histori më vete dhe nuk besoj se është vëndi ta trajtojmë këtu!?

Po përqëndrohemi tek gjyshi juaj, Frrok Mëlyshi…

Siç ju thashë, Frrokun nuk e lejoi axha i tij, Gjoni, që të rrinte në Gardën Mbretnore dhe në vënd të tij ai dërgoi Nikoll Mëlyshin, i cili u shkollua dhe morri gradën e kapitenit të parë. Ndërsa Frrok Mëlyshi u kthye në Mirditë ku morri drejtimin e bajrakut, tashmë më i pjekur dhe i burrëruar. Kjo kohë koinçidoi me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste në prillin e ’39-ës ku Frroku ishte një nga vullnetarët mirditas që arritën të shkonin në Durrës për të luftuar përkrah forcave qeveritare që ishin nën komandën e major Abaz Kupit. Në atë kohë në Durrës, ka qenë dhe Nikoll Mëlyshi, me gradën e kapitenit të parë, i cili në librin e tij, “Ngjarje, të pame, të ndime të jetueme”, të botuar në 1975-ën në SHBA ku ka jetuar si emigrant politik mbas vitit 1944, i ka përshkruar gjatë, jo vetëm pjesmarrjen e tij në atë ngjarje, por ka bërë dhe një analizë si ushtarak, se si mund dhe duhej organizuar ajo rezistencë më 7 prill 1939.

Ç’farë aktiviteti pati gjyshi juaj, Frrok Mëlyshi, në periudhën e pushtimit të vëndit, pra 1939-1944?

Në atë periudhë Frrok Mëlyshi vazhdoi si ushtarak aktiv në Ushtrinë Kombëtare Shqiptare duke marrë pjesë në Luftën italo-greke dhe si shumë ushtarakë të tjerë shqiptarë dezertoi nga ajo luftë që në fillimet e saj. Më vonë për dy tre vjet ka shërbyer në rrethin e Matit në armën e Xhandarmërisë, dhe aty është respektuar shumë edhe si ish-besnik i Mbretit Zog.

Po më pas?

Më pas ai ishte efektiv në batalionin e xhandarmërisë të komanduar prej major Dod Nikollës, i cili në vitin 1943 u dërgua nga qeveria për të vendosur rendin në Jug të vëndit, ku forcat partizane kishin pushkatuar njerëz të pafajshëm, sidomos në Qarkun e Gjirokastrës, kryesisht ato të Ballit Kombëtar. Në këtë kuadër, Frroku morri pjesë në luftimet që zhvilloi batalioni i major Dod Nikollës në fshatit Sinanaj të Tepelenës, ku atij iu vranë dy djem nga Puka, dhe major Doda kaloi në depresion të thellë. Pas asaj ngjarje major Dod Nikolla humbi mëndjen dhe thonë se atë e morën forcat gjermane për ta kuruar dhe nuk dihet dhe nuk u morr më vesh kurrë fati i tij.

Po pas atyre luftimeve në Jug të vëndit, çfarë aktiviteti tjetër pati Frrok Mëlyshi?

Pas asaj ngjarje Frroku u kthye në Mirdirë dhe më pas shkoi në qytetin e Shkodrës ku ishte krijuar “Beslidhja e Shkodrës” që udhëhiqej prej Kapidanit të Mirditës, Gjon Markagjonit, ku i biri, Mark Gjon Marku, ishte në postin e ministrit të Punëve të Brendëshme. Frroku me Mark Gjon Markun kishin lidhje të afërta gjaku nga nëna. Në atë kohë, (diku nga fundi i muajit nëntor), në qytetin e Shkodrës para Kafes së Madhe, komunistët vranë me atentat major Ndrec Prengën (të birin e Preng Marka Prengës, bajraktar i Oroshit), që ishte Qark-Komandant i Xhandarmërisë së Shkodrës, dhe nënkolonel, Adem Buletinin, (djali i Isa Boletinit), gjithashtu oficer madhor në atë qytet. Kjo ngjarje, apo më saktë kjo vrajse që u bë me pabesi, irritoi Kapidanin e Mirditës, Gjon Markagjonin dhe të birin e tij, Markun, të cilët u dërguan fjalë krerëve kryesorë komunistë të Shkodrës, që të vinin të bisedonin dhe të tregonin përse e kishin bërë atë vrasje. Por ata nuk iu përgjigjën thirrjes së Kapidan Gjonit dhe kështu u vendos që të merrej haku i tyre me çdo kusht, duke u ndarë detyrat gjithsecilit nga besnikët e tij dhe zonat ku ata do të vepronin.

Po Frroku u caktua për të marrë hakun e major Ndrecës dhe nënkolonel Boletinit?

Frroku ishte nga të parët dhe më besnikët e Kapidan Gjonit dhe ndër të vetmit që kreu detyrën e ngarkuar, gjë të cilën ai ia raportoi në darkë kur u bë mbledhja e “Beslidhjes Shkodrane”, te Kulla e Kapidan Gjonit.

Pas asaj ngjarje, ç’ndodhi me Frrokun?

Pas asaj ngjarje, Frroku u detyrua që të largohej nga Shkodra, pasi Qarkori Komunist i drejtuar nga Vasil Shanto, e dënoi atë me vdekje, duke nxjerrë komunikata në rrugët e qytetit të Shkodrës. Pasi ka dalë nga qyteti i Shkodrës, ai fillimisht është strehuar te familja, Cara në Vaun e Dejës dhe më pas ka vazhduar rrugën në malësinë e Lezhës që kufizohet me Mirditën, duke bujtur te familja Luli. Dhe nga aty në Mirditë, ku u morr me organizimin e rezistencën antikomuniste deri në mbarimin e Luftës.

 Pse nuk u largua Frrok Mëlyshi nga Shqipëria si Gjon Markagjoni etj, pasi ai e dinte se ishte i dënuar me vdekje që nga koha Luftës?!

Gjyshi Frroku i kishte të gjitha mundësitë që të largohej nga Shqipëria ashtu siç dhe u largua Kapidan Gjoni e shumë të tjerë, por ai nuk donte të largohej se ishte betuar dhe kishte një urrejtje të madhe ndaj komunistëve, të cilët i kishin vrarë me atentate disa nga shokët e tij më të afërt. Dhe nisur nga ky fakt, ai qëndroi në Shqipëri dhe ka jetuar pesë vjet në malet e Mirditës e krahinat përreth. Pas vrasjes së Mark Gjon Markut në katundin Prosek të Mirditës dhe më pas vëllait të tij, Lleshit, Frrok Mëlyshi për disa kohë morri komandën dhe udhëhoqi “Komitetin e Maleve”, në rezistencën antikomuniste në rrethin e Mirditës dhe më gjerë. Por desha të theksoj, se kur u vra Mark Gjonmarku në Prosek, Frroku me 50 burra që ishin nën armë ka qenë në fshatin Perlat, duke vajtur humbjen e Markut, aty janë rrethuar dhe kanë qenë duke u vrarë të gjithë. Por i ka shpëtuar vetëm ndërhyrja dhe zgjuarsia e Frrokut, i cili udhëhoqi atë grup burrash duke dalë nga rrethimi nëpërmjet rrugës kryesore, ku komunistët nuk kishin vënë prita, nuk e mendonin kurrë se ata do të kalonin aty. Dhe pasi kanë dalë nga ai rrethim, janë futur në fshatin Shqalsh ku përfundimisht u larguar nga rrezja e rrezikut dhe aty janë shpërndarë duke lënë pika dhe vënde të caktuara takimi, gjë e cila ka vazhduar deri në gushtin e vitit 1948, kur dhe ndodhi ngjarja me të në fshatin Lajthizë të Fanit, në kufi me rrethin e Kukësit.

Konkretisht çfarë ndodhi në Lajthizë?

Në fshatin Lajthizë, Frroku me ata që e shoqëronin, të gjithë pjestarë të rezistencës antikomuniste dhe të sprovuar në disa beteja kundër reparteve të Divizionit të Mbrojtjes, kanë qëndruar tre ditë në pritje të Marka Jak Bajraktarit, që ishte në Qafë Mali, afër Fushë-Arrëzit. Dhe kur arriti Marku aty, Frrok me njerzit që komandonte, ishte i rrethuar nga të katër anët nga forcat komuniste, ndërsa Marku mbeti jashtë rrethimit, pa mundur me u taku me ta. Por në momentin që rojet e Frrokut dëgjuan zhurma nga ata që po i rrethonin dhe i raportuan atij, ai u tha të mos shqetësoheshin se duhet të ishte Marka Jak Bajraktari, që po e prisnin. Dhe në këtë moment kur ai është ngritur në këmbë, një plumb e morri në brinjë duke i përshkuar trupin.

Çfarë ndodhi më pas me të…?

Në atë moment, ai ka hequr një rrobë të trupit dhe ka lidhur plagët që mos t’i kullonte gjaku e u ka bërë thirrje shokëve të tij që të shpërndaheshin të gjithë me shpejtësinë më të madhe.

A e zbatuan shokët e tij atë që u tha Frroku, pra a u larguan?

Po ata do të largoheshin se nuk mund të qëndronin më aty, pasi do vriteshin të gjithë, por te Frroku është afruar vetëm një djalë i ri i shtëpisë së Lufit, që shtëpia jonë e Mëlyshëve me ta, ishin miq dhe armiq.

Në ç’kuptim?

Ne kishim qenë miq me ta, por pastaj ishim bërë armiq për arsye të ndryshme, por ai djali i shtëpisë së Lufit rrinte në grupin e Frrokut më i sigurtë se me ndonjë tjetër që nuk kishte armiqësi, pasi gjakmarrja ishte e ndaluar dhe kush merrte gjakun në mal, binte në gjak me shtëpinë e Gjonmarkut të Oroshit të Mirditës. Pra edhe jeta e malit ku ndodheshin grupet e rezistencës antikomuniste, funksiononte në bazë të Kanunit.

Kthehemi tek plagosja e Frrokut?

Djali i është afru dhe tepër i pezmatum, thonë me lotë ndër sy, i ka thënë: “A ngele o Frrok…”?! Dhe i kërkoi që të rrinte me të deri në fund, por Frroku pasi i ka dhënë një çantë ku mbante dokumentet, i ka dhënë disa porsi gojarisht dhe e ka urdhëruar që të largohej menjeherë që aty.

Ku duhet ta çonte atë çantë me dokumente?

Sipas porosive që i dha Frroku, ai djali i shtëpsë së Lufit duhet ta çonte atë në fshatin Ndërfushas te motra e Mark Gjonmarkut, që ishte martuar me Gjon Fushën, një njeri mjaft i njohur jo vetëm në atë zonë dhe në Mirditë, edhe në Tiranë ku ka pas edhe shtëpinë e tij që nga koha e Monarkisë së Zogut. Dhe të gjitha porositë që i dha Frroku ai djali i zbatoj me përpikmëri dhe ajo çantë është gjetur vetëm pas viteve ’90-të, pasi e kishin fshehur për shkak të dokumenteve tepër të rëndësishme që kishte për grupet e rezistencës antikomuniste.

Konkretisht çfarë ka pasur të shkruar aty?

Çanta është gjetur e degraduar dhe dokumentet ishin bërë të palexueshme, pra ajo nuk kishte më anjë vlerë dokumentare, pasi vetëm shenjat kishin mbetur.

Të kthehemi tek ngjarja me Frrokun e plagosur, ç’ndodhi me të pas ikjes së atij djalit?

Frroku ka qëndruar aty për disa orë i futur në një zgavër lisi shekullor dhe me armët e fishekët që kishte, qëllonte herë pas herë në atë drejtim nga i kishin ardhur plumbat. Dhe në fund, kur nuk kishte më fishekë, duke e parandjerë atë që do të ndodhte më të po ta kapnin të gjallë ata që e kishin rrethuar, ai vrau veten duke qëlluar me një plumb në kokë.  Dhe ashtu e kanë gjetur Forcat e Divizionit të Mbrojtjes që e kishin rrethuar.

Ç’farë bënë më pas me trupin e tij?

Menjerë pasi e kanë gjetur të vetëvrarë, është dhënë urdhëri që të gjithë banorët e fshatrave të asaj zonë të mblidheshin në Shpal që ishte dhe qëndra administrative e Mirditës në atë kohë, pasi aty do çonin trupin e Frrokut me qëllim që të bënin terror në popull.

Po si reagonte populli në fshatrat ku e ndalonin?

Populli sigurisht ndjente keqardhje, pasi Frrok Mëlyshi kishte emër të mirë në të gjithë Mirditën, por komunistët përdorën një dredhi të paparë deri atëhere, pasi në çdo fshat ku e çonin, mblidhin të gjithë popullin dhe fillimisht i pyesnin se: a e njihte njeri atë? Dhe kush thoshte se e njoh, ky është Frrok Mëlyshi, siç dhe ndodhi në disa fshatra, atë në moment e kapnin e lidhnin dhe e torturonin, duke i thënë: “Ku e ke pa ti Frrok Mëlyshin, si e ke pa, dhe pse nuk e ke denoncuar”, etj.

Para se të flasim se ç’bënë komunistët me trupin e Frrokut në Shpal të Mirditës, ç’u bë me shokët e tij, a dolën ata nga rrethimi?

Ata dolën të gjithë nga rrethimi dhe po atë ditë ata kanë udhëtuar në drejtim të kufirit shtetëror me Jugosllavinë, duke dalë në Kosovë dhe aty gjurmët e tyre kanë humbur përgjithmonë. Pra dhe sot e kësaj dite nuk ka asnjë të dhënë se ku kanë përfunduar grupi i Frrok Mëlyshit.

Kthehemi tek ngjarja në Shën Pal, ndërkohë që aty mbërriti trupi i Frrok Mëlyshit, po familja e tij a kishte dijeni se çfarë kishte ndodhur?

Kur u hap lajmi nëpër fshatra që duhet të mblidheshin të gjithë në Shën Pal se kishin vrarë Frrok Mëlyshin, e morri vesh e motra e tij, Bardha, që ishte e martuar në Orosh,  ajo u nis menjehere në drejtim të Shën Palit. Sa mbërriti atje dhe e pa trupin e të vëllajt ashtu gjysëm të zhveshur, iu afrua ia rregulloj ato rroba ashtu si mundi dhe i veshi një palë çorape leshi të reja që i kishte marrë me vete.

Nuk i thanë gjë, pra nuk e ndaluan…?

Një oficer iu afrua dhe e pyeti se kush ishte ajo dhe çfarë e kishte kufomën. Dhe kur ajo i tregoi se ishte e motra, ai oficeri shtoi: “Po mirë, kur qenke e motra, pse nuk e ke mësuar vëllain që të mos përfundonte kështu”?

Si iu përgjigj ajo?

Bardha i tha: “Ky nuk ishte burrë që dëgjonte gratë”. Oficeri mbeti i ofenduar nga ajo përgjigjie dhe urdhëroi që ta hiqnin që aty Bardhën, por ajo i kundërshtoi duke u thënë: mos më prekni, se iki vetë. Pas këtij momenti, sapo u largua Bardha, në prezencë të gjithë mirditorëve të atyre fshatrave që i kishin sjellë me detyrim, kufomën e Frrokut e spërkatën me një bidon vajguri dhe i vunë flakën duke i terrorizuar të gjithë të pranishmit.

Si reagoi populli në atë moment kur shihte atë skenë?

Thuhet dhe ka njerëz gjallë që kanë qenë prezent aty, se disave u humbi mëndja kur shikonin se si digjej kufoma e Frrok Mëlyshit dhe se si lëvizte trupi nga djegia. Kur u shua zjarri, një nga oficerët, nxorri lekët nga xhepi dhe i tha dikujt aty që të shkonte  të blinte edhe një bidon vajguri, pasi e solli ai, ia rivunë edhe njëherë flakën. Ka ende burra gjallë sot në Mirditë që e kanë parë atë skenë!

Po motra e vet, Bardha ishte aty në atë moment?

Jo, ajo u largua pasi e parandjente se diçka të rëndë do ndërrmernin komunistët ndaj kufomës së vëllait, por kurrë nuk e kishte menduar se do e digjnin me vaj guri.

Po pas kësaj ngjarje, ç’ndodhi me familjen e gjyshit tuaj, a u hakmorrën komunistët?

Pas kësaj filloi menjeherë persekutimi. Të shoqen e Frrokut, Gjelën, (gjyshen time) e internuan fillimisht te Kisha e Rubikut dhe më vonë në Kalanë e Beratit e në Tepelenë,  u lirua kur u mbyll kampi. Gjela ishte bashkë më katër fëmijët e saj, dy djemtë: Zefin (babai im), Gjergjin, Dranen e Rozën. Ndërsa vajza tjetër, Dava, (që ishte më e madhja e fëmijëve) nuk u internua, pasi ajo ka qenë e martuar në Laç (me Ndue Likën) dhe kështu ajo mundi të shpëtonte nga vuajtjet dhe tmerret që hoqi nëna e saj, vëllezërit e motrat.

Sa kohë qëndruan te Kisha e Rubikut?

Aty kanë qëndruar 8 muaj dhe babai im, Zefi i cili ishte vetëm 13 vjeç në atë kohë, sapo mësoi ngjarjen, se të jatin ja kishin vrarë dhe trupin e tij i’a kishin djegur, kur mbaroi familja apelin e darkës, pa i thënë njeriu, ikën nga shtëpia dhe duke ecur gjithë natën, shkon në Shën Pal për të kërkuar varrin e të jatit. Por para se të nisej, ai kishte biseduar edhe me një polic, që po të vonohej ai në mëngjez, ky ta justifikonte që të mos merrej vesh.

Kush ishte ai polic?

Jak Lala, quhej ai dhe ishte nga fisi i Qypit të Malit të Bardhë të Kurbinit, me të cilin familja jonë kishte miqësi.

Arriti babaj juaj, Zefi që të mësonte vëndvarrimin e të jatit, Frrokut?

Po, sapo shkoi në Shën Pal, baba trokiti te një shtëpi që kishte dëgjuar nga bisedat në familjen tonë se ishin miqtë tanë dhe u kërkoi ndihmë. Edhe pse ishte frikë e madhe dhe gjë që mund të kishe pasoja të mëdha, ata pranuan dhe u treguan të gatshëm të dilnin menjeherë duke marrë një thes lini me vete dhe shkuan te vëndi ku ishte groposur kufoma gjysëm e djegur e Frrokut.

Dhe i gjetën…?

I gjetën, pasi aty nuk ishte varrë i thellë, por thjesht një grope, ku ata kishin hedhur kufomën e Frrokut gjysëm të djegur dhe e kishin mbuluar me dhe jo më shumë se 10 cm. Kështu na tregonte baba dhe ato i zbuluan me shumë vështirësi, pasi nuk kishin as kazëm dhe as lopatë me vete. Nuk i morrën që të mos kuptoheshin.

Çfarë bënë pasi e gjetën vëndin ku e kishin futur?

Baba na tregonte se ai i kishte gjetur pothuaj pjesën më të mëdhe të eshtrave, ato kryesoret dhe kafkën e kokës me vrimën e plumbit. Të gjitha ato ai i futi në thesin e linit, baba Zefi nga Shpali udhëtoi për në fshatin tonë të origjinës, Serishtë, që nuk është shumë larg, ku ndodheshin shtëpitë tona të djegura, pas internimit që i kishin bërë familjes së Frrokut.

Dhe çfarë bëri aty?

Aty gjeti një vënd në qoshe të kullës duke i mbuluar me gur, me mendimin që do vinte një ditë tjetër po natën dhe t’i merrte për t’i groposur. Pas kësaj, udhëtoi për gjithë natën dhe në mëngjez ishte në Rubik ku u bë apeli dhe ai nuk pati asnjë problem.

Ç’ndodhi më pas me ato eshtra?

Pas 8 muajsh familjen e Frrokut, nanë Gjelën, Zefin e Gjergjin, si dhe dy vajzat, Roza dhe Dranja, i internuan fillimisht në kalanë e Beratit, më pas në Tepelenë dhe ky internim zgjati 8 vjet. Kur u kthyen nga internimi, baba shkoi menjeherë aty ku i kishte mbuluar eshtrat, por nuk gjeti asnjë shenjë, pasi edhe gurët i kishin lëvizur. Baba tregonte se atë gjë mund ta kishin bërë kafshët e egra, apo dhe ndonjë njeri që kishte shkuar për të marrë gurët, për të bërë ndonjë qoshe muri, pasi ato ishin të gdhendur.

A i mbeti merak babës kjo histori, humbja e eshtrave të të jatit?

Shumë, baba këtë gjë e përmëndëte shpesh pas viteve ’90-të dhe ai ndërroi jetë me një merak të madh. Por para se të vdiste, ai i bëri një varr simbolik, të jatit, në fshatin Malaj te Kisha e Shën Vlashit, ku në pllakën që vihet te koka, ka shkruar “Këtu pushon shpirti i tij”./Memorie.al

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular