Avokati Alfred Thomo për 8 vite nuk i hapi asnjë proces gjyqësor qytetarit, edhe pse mori 2.5 mln lekë për përpjestimin e pasurisë. Gjykata nuk ka ndërmarrë asnjë proces gjyqësor lidhur me këtë çështje, pasi kërkesë padia e paraqitur nga avokati Thano nuk ka qenë e saktë. Sot ai mashtron e kërcënon qytetarin se i kërkon lekët, pasi nuk bëri punën.
Fiks Fare solli rastin e qytetarit nga Korça, Barjam Trokës i cili denoncon avokatin e tij Alfred Thomo. Ky i fundit sipas z.Troka e ka mashtruar se do t’i bëjë përpjesëtimin e pasurisë, por që prej 8 vitesh nuk ka bërë asgjë. “Kam paguar 2 milionë e gjysmë lekë, kanë kaluar 8 vite dhe ai s’më ka bërë asgjë. I kam dhënë lekë për të mbledhur dokumente, por nuk është bërë asnjë seancë gjyqësore” thotë Barjami.
Sipas tij e ka telefonuar disa herë po as në telefon nuk i përgjigjet më. ” E kam marrë në telefon, kam kërkuar ta takoj, por s’kam mundur, s’kam ku ta gjej” shprehet i shqetësuar z.Troka.
Fiksi solli bisedën midis qytetarit dhe avokatit, ky i fundit në takimin e parë tha se do e merrte qytetarin në telefon pasdite dhe të takoheshin , por që kaloi më shumë se një muaj dhe nuk e bëri.
Në takimin e dytë të qytetarit dhe avokatit, të pasqyruar me zë dhe figurë nga emisioni Fiks Fare, avokati kërcënon qytetarin, duke i thënë se “do të ther me thikë” , kjo vetëm se përse qytetari i kërkonte përgjigje se çfarë po bëhej me çështjen e tij. Avokati i thotë qytetarit se nuk është faji i tij, që gjykata ka kthyer mbrapsht dokumentacion.” Ik mos më çaj b… dokumentet i ka kthyer gjykata, po do t’i kthej dokumentet, por lekët t’i harrosh” i thotë avokati qytetarit.
Gazetarët e Fiksit u interesuan edhe pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, ku në përgjigjen e saj zyrtare gjykata sqaron se paditë e ngritura me paditës Barjam Trokën dhe avokat Fredi Thomon kanë rezultuar me mungesë në dokumentacion dhe kërkesa padia në vetvete ka pasur të meta.