Nga Albert Avduli
Me rastin e 6 shkurtit shqiptar 1967. Dita e herezisë biblike dhe mallkimit hyjnor.
Zotit – Kartolinë pa protokoll.
Më shkurt, 2020.
Nga, Rruga e Ambasadave.
I vetmi, Ju !
Po ju dretohem me këtë kartolinë-këshilluese dhe raportuese.
Ndoshta mendoni, pse nuk e nisa në fund të dhjetorit ose ditët e para të janarit ?
Po, ja, ne shqiptarët, rrallë mendojmë për Ju. Veç kur jemi keq. Ato ditët, kur nisen urimet, kishim prerë ndonjë gjel, thi, viç. Nëpër tavolina kishim bakllava e revani.
Lutemi dhe kthejmë sytë nga rezidenca dhe providenca qiellore, nese bje tërmet, na vdes dikush ose kam hall të madh. Të tillë jemi.
Kujtohemi dhe në shkurt për Ju.
Që t’ju vëmë kazmën e zjarrin strehëve të grigjës Tuaj.
A ju kujtohet 6 shkurti ì vitit 1967 ? Këtu u pushkatuan priftërinj e hoxhë.Ishte dimër ì vështirë për të gjithë. Unë nuk e mbaj mënd sepse isha beb kërthi.
I Plotfuqishëm !
Neve, shumicës, na keni respektuar shumë.
Ju jeni kaq zemërgjerë sa na dhatë profesionin Tuaj.
Na bëre mjeshtër në falje .
Të jemi mirënjohës !
Disave, ju dhe profesionin e djallit. I përbizët siç Ju, dini.
I bëre ustallarë në sundim.
Besoj e dini. . .
Nuk të respektojnë, nuk duan t’ja dinë për Ju. Këta, kanë shpallur zot të tyre, paratë.
I rrëmbejnë, robërve të Tu, bukën e fëmijëve, ilaçet e pleqve. Grabisin burimet, toka, date, lumenj. Këta vetëm epidemitë nuk duan për vete.
Ende ruajnë nëpër sënduqe dhe puthin kazmat, me të cilat të prishën shtëpitë ku strehoje ëngjëjt.
E kam fjalën për vitin 1967, kur t’i hodhën përtokë kisha, xhamia, teqe, manastire.
Ata janë sundimtarët.
Ne besojmë, betohemi dhe. . .
Presim ndërhyrjen Tuaj !
Zotërues ì tokës, nëntokës, ujrave, qiellit, yjësisë, ju dini gjithçka, ama një vogëlinë ju ka dalë nga mëndja.
Hy ndriçues, Ju, nuk prisni këshilla nga krijesat Tuaja, por më lejoni, t’jua them si shoku -shokut.
Këta që kanë zanatin e dreqit, ketu në tokë, ì shohin çdo ditë vuajtjet tona.
Pyetja ime është : Kur, Ju, t’na thërrisni në parajsë, a do munden ata, që prej ferri, të shohin lumturinë tonë qiellore ? Në rast se kjo nuk ndodh, atëherë nuk ka barazim. Lojën e fitoka ì ligu. Ja, kaq ishte problema ime.
Vendimi ju takon Juve.
Apo do shpërndani ndonjë kompetencë ?
Mëshirëmadh !
Sikurse e vini re, letrën po e nis nga udhë jo të zakonshme.
Ta nisja me postë shtetërore, këta grisin zarfat.
Mendova ta dërgoja nëpërmjet arqipeshkvisë apo katedrales, por mendova se shkon ndonjë, që hiqet si besimtar, gjoja për t’u rrëfyer dhe. . . Vidhte letrën e pushkatonin priftin.
Xhamaja e Namazgjsë ende nuk është ndërtuar.
Si bektashi, u nisa te Kryegjyshata, ta nisja nga andej. Mes rrugë u ktheva.
Ju e dini si jemi ne, bektashinjtë. Simbas porosisë Tuaj, ne, vetëm një dogmë kemi paragjithçkaje, Atdheun. Pastaj, ne, vëlla quajmë këdo, ì cili beson në fuqinë hyjnore. Betohemi për Muhamet e Ali, por nuk trubullohemi po tham Jezus apo Isa.
E duke qënë të tillë, mendova se, po sikur ndonjë ì paudhë të shkojë nga Teqja për të ngrënë ashure e më sheh me letër në dorë. U ktheva dhe zbrita te ambasadat. Për siguri po e nis nga këtej.
Këta, veprojnë me drejtësi, si diplomatë të vërtetë. Nuk ma shesin telegramin këta, jo. Valixhja ka disa kode dhe posta është sekrete.
Parimet ì kanë të shënjta, sikurse ju kanë dhe Juve. Besoj kështu. . .
Perëndi lavdiplotë !
Mos më thuaj, kur të takohemi (mbas 50 vitesh), se . . .
Nuk e more kartolinën time.