Publikohet për herë të parë historia e rrallë të shkrimtarit të njohur, Dritëro Agolli, i konsideruar si “Patriarku i letrave shqipe”, i cili në vitin 1956 kur ishte gazetar i ri në “Zëri i Popullit”, shkoi me shërbim në rrethin e Pukës dhe qëndroi në Fushë-Arrëz tek miku i tij, mjeku i ri, Alfred Serreqi dhe bashkë me të udhëtuan për në fshatin Kryezi, ku jetonte familja e madhe dhe patriarkale e Mark Dodë Alisë.
Memorial.al sjell dëshminë e rralla të Agollit lidhur me këtë vizitë në një shtëpi fshatare mjaft të njohur, ku njëri nga djemtë e kësaj shtëpie kishte bërë një hidrocentral të vogël që ndriçonte të gjitha dhomat, gjë e cila e grishi Dritëroin që kur erdhi në Tiranë, shkroi dhe botoi në “Zëri i Popullit”, reportazhin me titull: “Në kërkim të një ëndrre dhe një dinamoje”, shkrim i cili do t’i sillte shumë telashe dhe peripecive.
Si e thirrën Agollin në Komitetin Qëndror ku e kritikuan rëndë duke e akuzuar se kishte bërë pjesë të reportazhit të tij, mjekun Serreqi, i cili i kishte të gjithë njerëzit e familjes së tij në burgje, internime, apo dhe të pushkatuar si “armiq të popullit”, dhe atë natë që ata kishin qenë tek shtëpia e Mark Dodë Alisë, një kat më lart kishte pasur diversaSet featured imagentë. Gjë për të cilën më pas, plaku 90 vjeçar u dënua dhe bëri 10 vite burg politik, kurse Agollit ia censuruan librin ku ishte botuar reportazhi me emrin e Serreqit…!
Ndër shokët e miqtë e shumë që kishte në të gjithë vendet ku shkonte shpesh me shërbime si gazetar, ishte dhe një mjek i ri me origjinë nga Shkodra, i cili shërbente në spitalin e vogël të qytezës së minatorëve e sharrëtarëve të Fushë-Arrëzit në rrethin e Pukës. Edhe pse mjeku i ri ishte pinjoll i një familje katolike shumë të njohur në regjimet e kaluara, ku pjesa më e madhe e të afërmeve të tij, duke filluar nga babai, (ish-ministër i Zogut) vuanin dënimet e gjata në burgjet politike, apo ishin pushkatuar si “armiq të popullit” që me ardhjen e komunistëve në pushtet në dhjetorin e vitit 1944, gazetari i “Zëri i Popullit”, Dritëro Agolli, nuk donte t’ja dinte për këto. Ai nuk linte rast pa shkuar për ta takuar atje mes maleve të largëta mikun e tij, të cilin në vitin 1965 e bëri edhe personazh të një prej reportazheve të botuara në gazetë. Por kjo gjë do t’i kushtonte jo pak probleme. Madje duke u bërë objekt i një analize të thellë në sektorin e shtypit të Komitetit Qëndror të PPSH-së, ku edhe pse u mundua të mbrohej duke thënë se atë e njihte si nip të doktorit të njohur Frederik Shiroka, nuk shpëtoi pa një “dush të ftohtë”! Kush ishte mjeku i ri, miqësia me të cilin i solli jo pak probleme e peripeci Dritëroit dhe në ç’rrethana ai e bëri atë personazh të shkrimit të tij që u botua në gazetën “Zëri i Popullit”? Lidhur me këtë e shumë ngjarje të tjera të panjohura nga jeta e tij, na njeh një intervistë që shkrimtari e poeti i njohur Dritëro Agolli, na i ka dhënë 20 vite më parë, të cilën Memorie.al po e riboton ekskluzivisht këtë shkrim në përvjetorin tretë të ndarjes së tij nga jeta.
Zoti Agolli në ç’rrethana jeni njohur fillimisht me Alfred Serreqin, ish-Ministrin e Punëve të Jashtme në vitet 1992-1996?
Me Alfred Serreqin jam njohur fillimish aty nga fillimi i viteve ’60-të kur unë isha gazetar në “Zëri i Popullit” dhe ai ishte mjek në Fushë-Arrëz të rrethit të Pukës. Një farë njohje ne kishim më përpara që në Tiranë, por miqësi të ngushtë krijuam kur ai shërbente aty në qytezën e vogël të minatorëve e sharrëtarëve ku unë shkoja shpesh me shërbime për të bërë reportazhe.
Po përveç Serreqit, kishit miq të tjerë në Fushë-Arrëz?
Në atë kohë në Fushë-Arrëz punonte si kryeinxhiner i Sharrave edhe miku im i ngushtë, Vito Koçi, i cili më pas u bë një nga gazetarët e publicistët e njohur të shtypit shqiptar. Vito ishte edhe mik i ngushtë i Serreqit kështu ne e lidhëm më shumë miqësinë me njëri-tjetrin. Sa herë shkoja në Fushë-Arrëz, vija në dhomën e vogël të Alfredit i cili ishte një njeri shumë i pasionuar pas librave, shkencës dhe artit.
Si e kujton z. Serreqi në atë kohë dhe ambientin ku jetonte e punonte ai në Fushë-Arrëz?
Më kujtohet si tani ambienti i asaj dhome ku në një qoshe të saj ishin një palë ski, dhe në muret e saj rrinin të varura ca lëkurë kafshësh, pasi veç pasioneve të tjera, Alfredi ishte i dhënë edhe pas gjahut.
Thatë se Alfredi ishte i dhënë shumë pas librave…?
Po, nën ato lëkurë kishte një bibliotekë të madh me libra për mjekësinë në disa gjuhë të huaja, romane, gazeta dhe revista. Të them të drejtën kur kam shkuar për herë të parë në atë dhomë, u gëzova pa masë, pasi në atë vënd të vogël midis maleve ku zhurmonin motorrët e Stabilimentetit të Sharrave, unë do të kisha mundësi të çlodhesha nga rruga e gjatë me shoferët e druvarët e Tuçit, Lumbardhës e Kurorë-Dardhës, dhe do të bisedoja për letërsinë apo shkencën me atë mjek të ri që ishte i dhënë pas librave. Këto ishin vetëm njëra anë e medaljes “Serreqi”, pasi ai mjek i ri gëzonte një respekt të veçantë në të gjithë zonën e Fushë-Arrëzit. Pjesën më të madhe të kohës ai e kalonte mes banorëve të atyre anëve duke bërë vizita dhe duke iu gjendur në çdo moment afër për të gjitha problemet shëndetësore që ata kishin. Alfredi nuk përtonte të udhëtonte me orë të tëra, ditën apo natën nëpër borë e ngricë, kudo që ta kërkonin për të shkuar tek i sëmuri. Pikërisht për këtë ai kishte fituar zëmrat e banorëve të atyre anëve të cilët s’e hiqnin nga goja.
A e dinit ju biografinë që kishte Serreqi, ku shumë nga të afërmit e familjes dhe fisit të tij, duke filluar nga babai, vuanin dënimet në burgjet politike si “armiq të popullit” apo një xhaxha i tij ishte pushkatuar që në vitin 1946 etj?
Unë e dija shumë mirë biografinë që kishte Alfredi dhe familja Serreqi, por nuk kisha asnjë lloj problemi të shoqërohesha me të, pasi ai ishte dhe nipi i Doktor Frederik Shirokës, një nga mjekët më të njohur në Shqipëri në atë kohë. Nisur nga ky fakt, unë isha disi i mbrojtur po të ma ngrinte njeri si problem, por ajo që më bënte më shumë të isha i çliruar nga shoqëria me të, ishte fakti se për Alfredin flisnin mirë të gjithë në Pukë. Nuk e teproj aspak po të them se për të flisnin si i të ishte një hero.
Ishin këto konsiderata që iu shtynë ju të botonit reportazhin për mjekun e ri Serreqi, apo diçka tjetër?
Reportazhin që unë shkrova atëherë në “Zëri i Popullit” nuk e bëra për të lavdëruar Serreqin meqenëse e kisha mik, por për një familje që jetonte në fshatin Kryezi të Pukës. Por meqenëse ishte Alfredi ai që më sugjeroi dhe më shtyu që ta bëja atë reportazh, unë e kam përmendur atë në shkrim, pasi ai edhe më shoqëroi për tek ajo shtëpi. Pra Alfredi ishte pjesë e natyrshme e atij reportazhi që unë bëra në atë kohë.
Kush ishte ajo familje?
Ishte shtëpia e Mark Dodë Alisë nga fshati Kryezi i Pukës, e cila ishte një familje e madhe patriakale me rreth 60 e sa anëtarë, gjë që nuk e ndeshje tjetër në asnjë krahinë të Veriut të Shqipërisë. Por ajo që më shtyu mua më shumë që të shkruaja atë reportazh për familjen e Mark Dodë Alisë, pas sugjerimit të Alfredit, nuk ishte numri i pjesëtarëve të saj, por diçka tjetër krejt e veçantë.
Konkretisht, çfarë?
Në atë kohë në ato fshatra të largëta në mes malesh të mbuluara me borë akoma nuk ishte bërë elektrifikimi, dhe njeri nga nipat e kryetarit të asaj familje të madhe, i cili quhej Dedë, kishte bërë një si hidrocentral të vogël që furnizonte me energji të gjitha dhomat e asaj shtëpie të madhe. Kjo ishte arsyeja që më nxiti të shkoja tek ajo shtëpi për ta parë me sytë e mi mrekullinë që kishte bërë ai fshatar, i cili punonte si shef llogarie në Stabilimentin e Sharrave. Dhe siç iu thashë pak më lartë, atje shkova bashkë me Serreqin, i cili ishte mik i ngushtë i asaj shtëpie.
Si e kujtoni vizitën që bëtë në atë shtëpi dhe kur ka ndodhur ajo?
Duhet të ketë qenë fillimi i marsit i vitit 1965 kur ka ndodhur kjo ngjarje. Në atë kohë unë kisha shkuar në Fush-Arrëz dhe si zakonisht ndodhesha në dhomën e Alfredit duke biseduar për një libër të një arkeologu gjerman, të cilin ai sapo e kishte gjetur. Ndërsa ne po shikonim shënimet e arkeologut gjerman, ra dera dhe në dhomë hyri një burrë i shëndoshë të cilin Alfredi ma prezantoi si infermier. Ai i tha: “Na pret Deda”. Unë e pyeta se mos kishte ndonjë të sëmurë, por Alfredi më tha se një miku i tij që kishte dalë nga spitali një ditë më parë, i kishte ftuar në shtëpi. Ai gjithashtu më tregoi se personi që i priste në shtëpi, ishte një njeri mjaft i mirë dhe më ftoi edhe mua që të shkoja bashkë me ta.
A shkuat menjëherë, apo nguruat?
Vendosa që të shkoja menjëherë pasi Alfredi më nxiti me disa fjalë të cilat më prekën sedrën profesionale si gazetar, dhe kështu u nisëm. Ecëm disa orë të tre nëpër faqen e një mali dhe kur u afruam tek Përroi i Lajthizës, Alfredi më tregoi dritat e shtëpisë ku jetonin miqtë e tij, e cila njihej në të gjithë atë krahinë për bujarinë e saj, apo si shtëpi buke, siç i thonë ndryshe në ato anë. Unë u habita se si ishte e mundur që në atë vënd të kishte dritë elektrike dhe Alfredi më tregoi se aty afër ishte një hidrocentral i vogël i cili ishte ndërtuar enkas për të ndriçuar atë shtëpi. Kur u afruam aty, sipas zakonit të atyre anëve, Alfredi i thirri: “A don miq o i zoti i shtëpisë”. I zoti i shtëpisë që quhej Mark Dodë Alia, doli në oborr dhe na ftoi brenda në atë shtëpi të madhe si saraje, duke na prirë vetë i pari. Dhoma ku ne u ulëm ishte e madhe sa një sallë shtëpie kulture dhe aty erdhën të gjithë pjesëtarët e asaj familje për të na takuar.
Si e kujtoni pritjen që iu bënë aty?
Neve na i shtruan me meze e raki dhe muhabeti vazhdoi pothuaj gjithë natën. Ata jetonin shumë mirë dhe asaj shtëpie nuk i mungonte asgjë. Marka Dodë Alia na tregoi se në atë shtëpi të madhe punët ishin të ndara dhe gjithshka shkonte për mrekulli. Njëri përgjigjej për punët e ekonomisë bujqësore, një me ekonominë e brendshme, një tjetër për shpenzimet financiare, një për fëmijët, e me radhë për të gjitha problemet që kishte shtëpia.
Po për hidrocentralin që edhe kishit shkuar…?
Njëri nga nipat e Markut, Deda, na tregoi edhe të gjithë historinë se si kishte vendosur dhe kishte realizuar paisjen (Dinamon), me të cilën kishte ndërtuar hidrocentralin e vogël që furnizonte me energji shtëpinë e tyre të madhe. Ndërsa ai fliste unë mbaja shënime në bllokun tim, pasi sa të kthehesha në Tiranë, do të shkruaja reportazhin për të cilin kisha marrë rrugën deri në ato male të largëta. Kështu bëra, sa u ktheva në Tiranë shkrova reportazhin të cilin e titullova: “Në kërkim të një ëndrre dhe të një dinamoje”. Në atë shkrim i cili është botuar në gazetën “Zëri i Popullit” të datës 18 prill 1965, unë kam përshkruar të gjithë vizitën në shtëpinë e Marka Dodë Alisë, ashtu siç po ua them juve në këtë intervistë, që nga njohja ime me Alfred Serreqin.
Si u prit reportazhi nga eprorët tuaj?
Reportazhi u prit shumë mirë në redaksi dhe për atë shkrim unë mora përgëzimet e rastit nga kolegët e drejtuesit e gazetës.
Por nga informacioni që unë kam marrë para se të vija për këtë intervistë me ju, këtë reportazh ju e keni përmbledhur edhe në një libër tuajin publicistik që u botua disa vite më vonë, por aty ka disa ndryshime. P.sh. personazhet e reportazhit aty janë vetëm me emra dhe jo edhe me mbiemra si në shkrimin origjinal në “Zëri i Popullit”. Përse ka ndodhur kjo, mos ju tërhoqën veshin se kishit shkruar me superlativa për mjekun Alfred Serreqi, që njihej si njeri me biografi të keqe?
Jo nuk është tamam kështu. Si fillim desha t’ju them se libri me publicistikë ku është futur edhe reportazhi për të cilin po flasim, nuk është bërë prej meje. Ai libër është botuar nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” e cila ka bërë dhe përzgjedhjen e shkrimeve të mija, për të cilat unë as jam pyetur fare në atë kohë. Sa për mbiemrat e personazheve që nuk janë vënë aty, ajo nuk ka lidhje fare me Serreqin.
Pse…?
Në atë kohë, pra në librat publicistikë të para viteve ’90-të, ishte si rregull që personat e panjohur nuk viheshin me mbiemra, por vetëm me emra. Kjo bëhej me qëllim, pasi ndonjëri prej tyre më vonë mund të dënohej politikisht dhe si rrjedhim duhej të hiqej libri nga qarkullimi. Me emra dhe mbiemra lejohej të botoheshin vetëm personazhet e njohura, si p.sh: Haxhi Lleshi, Myslym Peza, etj., të cilët kishin garanci, apo si të thuash nuk mund të dënoheshin.
Ju kritikuan për Alfred Serreqin që e kishit bërë personazh të reportazhit tuaj?
Për Alfred Serreqin më kanë kritikuar madje rëndë, por jo në redaksinë e gazetës.
Po ku….?
Disa kohë pas atij reportazhi më thirrën në aparatin e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe në sektorin e shtypit unë hëngra një dru të mirë se kisha lavdëruar atë mjek të ri të talentuar por me biografi të keqe. Jo dru, por më bënë rezil”.
Dëshmia e Agolli: Si u mbrojta në Komitetin Qendror për Serreqin?
Ndërsa në redaksinë e gazetës “Zëri i Popullit” për reportazhin e titulluar: “Në kërkim të një ëndrre dhe një dinamoje”, gazetari i ri Dritëro Agolli mori shumë përgëzime nga kolegët dhe eprorët e tij, situata ndryshoi disa ditë më vonë kur atë e thirrën në sektorin e Shtypit të Komitetit Qendror të PPSH-së. Lidhur me këtë, shkrimtari dhe poeti i njohur Dritëro Agolli, kujtonte: “Atë ditë kur më thërritën në një mbledhje të sektorit të Shtypit në aparatin e Komitetit Qendror të PPSH-së, çdo gjë kisha menduar, por se do të më kritikonin dhe do të më jepnin një dru të mirë për atë reportazh, as që e çoja nëpër mënd. Kjo për faktin se ai reportazh ishte pritur shumë mirë mbas botimit dhe për atë mua më kishin përgëzuar jo vetëm kolegët e miqtë e mi, por edhe eprorët në redaksinë e “Zërit të Popullit”. Në atë mbledhje të sektorit të Shtypit mua më kërkuan llogari, duke më thënë se përse e kisha lavdëruar aq shumë mjekun Alfred Serreqi, në një kohë që ai ishte një njeri që rridhte nga një familje me biografi të keqe, me të atin dhe të afërm të familjes në burgjet politike, me një xhaxha të pushkatuar dhe një të arratisur, të cilët kishin luftuar kundër pushtetit popullor. Pra me pak fjalë unë u kritikova aty për zbutje të luftës së klasave dhe më keq, se kisha shkruar mirë për një njeri që e kishte sterë biografinë. Pas kritikave që m’u bënë, unë u thashë se mjekun e ri Alfred Serreqi, e njihja si nip i Doktor Frederik Shirokës dhe nuk kisha shkruar asgjë më shumë nga sa flisnin njerzit për të në rrethin e Pukës. Fjalën time e mbylla duke u thënë: Për mjekun Alfred Serreqi në Pukë të flasin si për një hero. Por as këto fjalë nuk më shpëtuan nga kritikat e vërejtjet e shumta që u bënë në adresë time”.
Dëshmia e Agolli: Një oficer i Sigurimit më tha se unë e Serreqi kishim fjetur në atë shtëpi me diversantë dhe Marka Dodë Alia vuajti 10 vjet burg
Atë natë marsi të vitit 1965, teksa udhëtonte me mjekun e ri Alfred Serreqi për në fshatin Kryezi të Pukës, gazetari i “Zërit të Popullit”, Dritëro Agolli, nuk e kishte menduar kurrë se në atë shtëpi që ata do të kalonin natën, ndodheshin edhe disa diversantë. Lidhur me këtë, shkrimtari i njohur na tregonte: “Në mëngjes kur unë dola në oborrin e shtëpisë për të larë sytë, dëgjova disa lëvizje gjethesh e shkarpash. Aty pas disa pemëve të dendura ishin tre katër njerëz të fsheshur të cilët i thonin njeri tjetrit: ‘Jo nuk është ky, ky është gazetar në “Zëri i Popullit”, e njoh unë. Unë nuk ua vura veshin shumë atyre fjalëve dhe i mora për njerëz kureshtarë, por nuk kishte qenë ashtu. Rreth tre muaj më vonë, diku aty afër redaksisë sonë, më takoi një oficer i Sigurimit të Shtetit me mbiemër Xhufka, i cili vite më vonë punoi në Radio-Tirana. Ai ishte dashamirës i imi dhe më tregoi se atë natë që unë me Alfred kisha fjetur në shtëpinë e Mark Dodë Alisë, në katin e sipërm ishin strehuar dhe ndodheshin disa diversantë të ardhur nga jashtë. Dhe për këtë ishte rrethuar e gjithë shtëpia nga forcat e Sigurimit të Shtetit, por meqë ishim ne brenda, ata nuk kishin ndërhyrë gjatë natës pasi nuk donin të shkaktonin dëme në njerëz të pafajshëm. Kështu më tregoi oficeri i Sigurimit lidhur me atë natë. Por ai nuk më tregoi nëse diversantët ishin larguar kur vajtëm ne në atë shtëpi, apo gjatë natës. Për këtë ngjarje më vonë në kanale zyrtare u informua edhe redaksia e “Zëri i Popullit” dhe eprorët e kolegët e mi ma përmendnin shpesh atë me të qeshur. Pak kohë më vonë njëri nga pjesëtarët e asaj shtëpie u arrestua dhe u mbajt disa kohë në burg, por më vonë e liruan pasi u tha se diversantët kishin hyrë me forcë në shtëpi. Por kjo nuk u mbyll me kaq, pasi disa vite më vonë kryetari i asaj familje të madhe, Mark Dodë Alia, edhe pse ishte në moshë të thyer, u arrestua me akuzën e strehimit të diversantëve dhe vuajti 10 vite në burgjet e regjimit komunist. Marku u lirua nga burgu kur i kishte kaluar të 90-at dhe ai ka ndërruar jetë në mos gaboj nga fillimi i viteve ’70-të. Të gjitha këto mua m’i ka treguar edhe një nga nipat e asaj familje, i cili para disa vitesh erdhi e më takoi në shtëpinë time në Tiranë”./Memorie.al