Numri i të prekurve me kancer pritet të rritet ndjeshëm në dekadat që po vijnë. Arsyeja nuk ka lidhje vetëm me jetëgjatësinë e shtuar. Sipas një parashikimi nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, numri i rasteve me kancer në botë do të dyfishohet deri në vitin 2040. Kjo del nga raporti botëror i kancerit, i përgatitur çdo pesë vite nga Agjencia për Kërkimet e Kancerit.
Në vitin 2018, 18.1 milionë njerëz u prekën nga kanceri- 9.6 milionë humbën jetën. Në vitin 2040 pritet të preken nga kanceri nga 29 deri në 37 milionë njerëz.
Kreu i Qendrës Gjermane për Kërkimet e Kancerit, Michael Baumann tha të hënën se arsyeja ka lidhje me plakjen e popullsisë, por edhe me faktorë të stilit të jetesës. Baumann u bëri thirrje njerëzve që të adoptojnë një stil më të shëndetshëm jetese. “Sipas njohurive aktuale, nëse i përmbaheni gjithçka ne dimë aktualisht, mund të ndalojmë 40 përqind të kancereve përmes parandalimit parësor”, tha ai.
Ai përmendi këtu shumë pika që njerëzit i dinë, por nuk i zbatojnë siç duhet: mos pini duhan, mos kaloni mbipeshë, merruni me aktivitet fizik, hani ushqim të shëndetshëm, konsumoni pak ose aspak alkool dhe merrni të gjitha vaksinat dhe masat paraprake të rekomanduara kundër kancerit.
Mbijetesa ndaj kancerit është çështje zhvillimi, thotë OBSH. Njerëzit e prekur në vendet e varfra dhe në pjesët e varfra të popullsisë në vendet e pasura, kanë më pak shanse për të mbijetuar. Mundësia që të vdesësh nga kanceri në vendet e zhvilluara është ulur me 20 përqind, kurse në vendet e varfra me vetëm 5 përqind./BILD