Banorët e Kurbinit të mbetur të pastrehë pas tërmetit mësuan se nuk do të merrnin më ushqim dhe u duhet të lënë hotelet pasi bashkia ndërpreu kontratat, ndërsa një pjesë e tyre ende nuk kanë gjetur strehim.
Dhjetëra banorë të Kurbinit të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit që vijojnë të jenë të strehuar në Shëngjin, janë hequr nga lista e trajtimit ushqimor.
Ata ishin lajmëruar më herët që duhet të lirojnë hotelet ku qëndrojnë prej më shumë se 2 muajsh, pasi bashkia e Kurbinit e ka mbyllur kontratën me subjektet ku ishin strehuar banorët.
Disa prej banorëve të mbetur në hotele thanë se nuk kishin ku të shkonin dhe se disa prej tyre nuk kishin përfituar asnjë prej lehtësive të premtuara prej qeverisë për të prekurit nga tërmeti.
‘Hëngrëm darkën mbrëmë dhe shkumë të firmosim dhe na thanë keni për të dalë nga hoteli. Unë jam 13 vete sëbashku me vajzën e djalin të cilët rrinë me mua. Se ku do mytemi nuk e di’, thotë Fatime Hasa banore e Kurbinit.
Bashkia e Kurbinit nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN mbi këtë vendimarrje. Ndërsa një prej subjekteve i cili strehon banorë të prekur nga tërmeti tha se nuk mund të vijonin t’i strehonin mëtej pasi bashkia kishte ndërprerë kontratën. Ata thanë, duke kërkuar të mbeten anonimë, se vetëm pak prej të strehuarve ende në hotel ishin nga Kurbini.
Banorët e Kurbinit u lajmëruan më herët se ata duhej të linin hotelet për shtëpi me qira më 31 janar, por ndërkohë disa prej tyre thonë se nuk kanë gjetur dot shtëpi me qira.
Ndërsa në disa raste banorët thonë se nuk kanë përfituar bonus qiraja dhe nuk mund të përballonin çmimet e rritura të qirave. ‘Unë kam qenë me qira dhe banesa u dëmtua nga tërmeti.
Na sollën këtu në Shëngjin pas tërmetit dhe na strehuan. Tani unë nuk përfitoj bonus, pasi me thonë gjeje shtëpi tjetër me qira dhe paguaje vetë. Qiranë me parë e kam patur 50 mijë lekë (të vjetra) tani ka shkuar 200 mijë dhe s’kam mundësi ta paguaj’, tha një banorë.
Të tjerë banorë thanë se megjithëse përfitonin ata nuk e kishin marrë bonusin e qirasë. ‘Na thanë të dalim nga hoteli, pa më dhënë bonus, çadër apo kontenier. Unë nuk e di ku do shkoj me gruan dhe tre fëmijët e mi.
Do e liroj hotelin dhe do rri këtu në hyrje të hotelit sëbashku tre fëmijët e vegjël e të vijë të na shikoje shteti. Na kanë lënë në mëshire të fatit dhe kjo është e papranueshme’ thotë Elson Çarçani banor i Laçit.
Të tjerë banorë ndërkohë ankohen për burokracitë dhe rradhët e gjata për të dokumentuar dëmet dhe problemet e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit i cili shkaktoi 51 viktima dhe la mijëra të pastrehë.
Zegjina Albrahimi, 70 vjeç, tha se ishte detyruar të udhëtonte nga Tirana në laç, për të aplikuar për banesë, ndërsa ende nuk ka marrë bonusin e qirasë edhe pse i kanë thënë që e ka përfituar. ‘Unë jam nga Kurbini, por banesa na është dëmtuar nga tërmeti dhe prej disa javësh sëbashku me familjen jemi vendosur në shtëpi me qira në Tiranë, pasi nuk gjetëm, këtu afër.
Mora vesh që ka nisur aplikimi online dhe erdha këtu për të marrë vesh se çfarë bëhet. Pasi prita gati dy orë u futa aty brenda dhe më thanë do bësh letra tjera se çfarë janë ato letra që i kërkojnë dy here unë se kuptoj’, thotë Albrahimi.
Për radhë të gjata dhe paqartësi në aplikim dhe dokumentacion u ankuan edhe banorë të tjerë.
Ministri i Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj prezantoi para disa ditësh një platformë online, e cila ai pretendoi se do të lehtësonte procesin e vetëdeklarimit të dëmeve.
Platforma kërkon ndër të tjera ngarkimin e imazheve online të dëmeve të pësuara dhe një pjesë e banorëve do duhet ta bëjnë këtë përmes zyrave të posaçme të ngritura në njësitë lokale.
Nga Elvis Hila-BIRN