Një operacion ndërkombëtar i koduar “Baccarat”, ka goditur një grup kriminal shumë të rrezikshëm me shqiptarë dhe kolumbianë që vepronin në Evropë dhe ishin të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës.
Operacioni sipas mediave italiane, është organizuar nga DIA amerikane, e cila ka bashkëpunuar në fazën e fundit. Duke filluar nga ora 06:00, 25 urdhër-arreste ndërkombëtarë u ekzekutuan njëkohësisht në Belgjikë, Holandë, Francë, Gjermani dhe Spanjë kundër grupit.
Në operacion u përfshinë 600 burra nga forcat e policisë së gjashtë vendeve përkatëse në mbështetjen e Europol.
Agjencia njofton se goditja ndaj grupit pason një hetim kompleks të nisur në vitin 2017 nga policia e Antwerp në Belgjikë, bashkëpunim që u zgjerua më pas edhe me policitë e shteteve të sipërpërmendura.
Hetimi i drejtuar nga policia lokale e Antwerp zbuloi se droga kontrabandohej e fshehur në kontejnerë për në Belgjikë përpara se të shpërndahej më tej në të gjithë Evropën duke përdorur automjete të pajisura me ndarje të fshehura dhe të sofistikuara.
I njëjti grup kriminal besohet gjithashtu se po menaxhonte plantacionet e kanabisit në Spanjë dhe Gjermani, ku ata kultivuan dhe përpunuan marijuanën, përpara se të transferohej në vendet e tjera të Evropës për shitje dhe shpërndarje të mëtejshme.
Rezultatet e operacionit
Deri më sot, nga operacionin janë kryer 9 arrestime në Belgjikë, 6 arrestime në Spanjë, 3 arrestime në Holandë, 6 arrestime në Gjermani dhe një arrestim tjetër në Francë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të arrestimeve në 25.
Në kuadër të aksionit janë zhvilluar kërkime në 30 shtëpi, ndërsa janë asgjësuar 6 plantacione marijuane si dhe janë konfiskuar 60 000 €, telefona celular, armë dhe municione.
Ky grup që funksiononte në formën e klanit të krimit të organizuar ishte i strukturuar në mënyrë hierarkike, me degë që funksiononin ndërkombëtarisht. Disa nga anëtarët e saj të arrestuar sot kanë një histori të trafikut të drogës në vende të ndryshme.
/S.Lleshi/Panorama/