Ashtu si në Berat edhe në qytetin e Fierit, Policia e Shtetit ka ngritur postblloqe të shumta. Këto postblloqe sipas policisë vijnë në kuadër të masave për parandalimin e ngjarjeve kriminale si dhe për kapjen e personave në kërkim, apo atyre që shkelin ligjin. Policia po ushtron kontrolle në automjetet luksoze që dyshohet se janë të blinduara pa dokumentacionin përkatës.
“Plan masash për kapjen e personave në kërkim, atyre që qarkullojnë me armë, me mjete të blinduara pa dokumentacionin përkatës, për goditjen e trafiqeve të paligjshme dhe bllokimin e mjeteve të vjedhura. Kontrollet nga strukturat e DVP Fier dhe FNSH Fier” – shkruan policia.
Kontrollet janë shtrirë edhe në aksin Fier-Tiranë dhe Fier-Vlorë. Vihet re se efektivët janë të armatosur rëndë me kallashnikovë dhe anti-plumb që do të thotë se gjatë këtyre aksioneve janë përgatitur edhe për ngjarje të rrezikshme.