Dy ditë më parë, Ministria e Brendshme njoftoi se Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka pezulluar nga detyra 4 punonjës Policie, pasi dyshohen për dhënie ndihmë në kalim të paligjshëm të kufirit.
Ata dyshohet se kishin ndihmuar një grua që të udhëtonte nga Aeroporti i Rinasit, në drejtim të Mbretërisë së Bashkuar me pasaportë të falsifikuar. Burimet thanë se një nga efektivet e pezulluara nga detyra me vendim Gjykate për këtë çështje është Matilda Bilali, me detyrë ne Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.
Më 30 janar të vitit të kaluar, bashkëshorti i saj, Arben Bilali, ish-punonjës Policie, u ekzekutua në një atentat mafioz pranë shtëpisë së tij, në zonën e Selitës në Tiranë.
Ndërsa gruaja që do e ndihmonte bashkë me kolegët e saj, e cila gjithashtu u procedua në gjendje të lirë, është pikërisht vjehrra e Matildës, nëna e viktimës së Arben Bilalit.
Sipas burimeve nga Policia, mësohet se bashkë me Matilda Bilalin janë pezulluar nga detyra edhe kolegia e saj në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, Liri Sinakoli, dhe dy kolegë të tjerë në Komisariatin e Policisë Rinas, Aranit Dibra dhe Arta Mamani.
Sipas SHÇBA, 4 efektivët e Policisë kanë tentuar të kalojnë shtetasen 70-vjeçare, Kumrije Bilali, me pasaportë të falsifikuar jashtë vendit. E moshuara, e cila është e ve dhe i janë vrarë tre djem në 2 dekadat e fundit, është proceduar në gjendje të lirë për “Falsifikim dokumentesh”, pasi Gjykata kishte vendosur masën e sigurisë “Detyrim paraqitje”.
Arben Bilali ishte djali i tretë i familjes, që sipas Policisë dyshohet se është vrarë për shkak të një përplasjeje me një grup të njohur në Tiranë, gjatë viteve ’97-’98. Ish-policit i kanë vrarë dy vëllezërit, Bujar dhe Leonard Bilali.
Bujar Bilali mbeti i vrarë, dyshohet gabimisht, në vitin 1998, ndërsa Leonardi, vëllai i vogël i tij, ish-mundës i Dinamos, u ekzekutua më 10 gusht të vitit 2010 në të njëjtin vend ku u vra 50-vjeçari më 30 janar 2019. Për vrasjen e tij u arrestua një i dyshuar, i cili më pas u la i lirë nga Gjykata.