Dyshimet dhe kundërshtimet e ngritura rreth aktit normativ të qeverisë për Operacionin “Forca e ligjit” kanë secili një bazë, një përligje. Që nga më e thjeshta, që është emërtimi “anti KÇK” (pa asnjë lidhje me terminologjinë juridike dhe as me natyrën e krimeve që ka në shënjestër) e deri te kushtetutshmëria.
Në një vështrimin pedant, disa pjesë të aktit ka gjasa të bien në masë me Kushtetutën. Juristët kanë referuar nene që kandidojnë bukur mirë për të marrë ketë vlerësim. Në aulat e debatit ka zënë ndërkaq një vend të rëndësishëm frika e përdorimit selektiv të aktit, çfarë do ta shndërronte operacionin në gjueti partizane shtrigash me pasoja të rënda.
Frikë mund të ketë kurdoherë, për çdo gjë. Si e tillë frika nuk është argument për të kundërshtuar një ligj. Në rastin tonë frika e përdorimit selektiv të OFL-së ka vlerën e argumentit në kontekstin e shumë aksioneve të mëparshme të policive kundër grupeve kriminale, ndërtimeve pa leje, kanabizimit, informalitetit e tjerë, ku subjektet me lidhje qeveritare zakonisht janë prekur kur është mbushur kupa, nuk janë prekur fareose janë gërvishtur lehtë sa për një shenjë.
Një tjetër objeksion kundër aktit referon faktin se Shqipëria i ka ligjet që lejojnë goditjen e fuqishme dhe sekuestrimin e aseteve të krijuara përmes trafiqeve dhe krimit. Ne jemi dëshmitarë të sa e sa spektakleve e raportimeve të bujshme nga ana e Policisë së Shtetit për vënin nën sekuestro të pasurive kriminale në zbatim të ligjit Antimafia në fuqi. Ka pasur fryrje propagandistike, por ka pasur edhe fakte reale në këto raportime. E dimë se disa gjykatës e kanë zhvlerësuar pa u menduar dy here punën kurajoze të policisë duke i çliruar në mënyrë shumë të dyshimtë asetet e bllokuara. Për t’i dhënë fund kësaj historie të fëlliqur është bërë Reforma në Drejtësi. Dhe ja ku vijmë të objeksioni i më gjithëpërfshirës, sipas të cilit akti dublon organet e drejtësisë së re, BKH-në pikësëpari, por e shtrin oreksin edhe në koritat e SPAK-ut, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Duket sikur përmes OFL-së qeveria kërkon të marrë protagonizmin dhe të përcaktojë drejtimin e goditjeve tani që drejtësia e re po përgatitet të fillojë nga puna. Vetë përfaqësuesit e shumicës e kanë ndjerë se akti ka të çara të dukshme në këtë pikë ndaj kanë nxituar të theksojnë se me të filluar nga puna konkrete BKH dhe SPAK, OFL-ja do të jetë në dispozicion të tyre.
Po të rrish të kërkosh gjen plot argumente që i mbështesin këto objeksione. Rama e ka të vetën atë që kur mbetet pa një lëvizje apo nuk di çfarë të bëjë, merr një nismë të vjetër, i vesh një kostum të ri, e hedh në lojë si sefte, ushqen nga e para shpresën e njerëzve, tani erdhi ora, thotë, duke llogaritur prirjen dhe nevojën njerëzore për të shpresuar. Shumë herë kështu. Ligji Antimafia, që lejon dhe garanton sekuestrimin e aseteve kriminale, shënjestra kryesore e OFL-së me sa shihet, u bë nën egidën e një fillimi të ri sa i takon goditjes së krimit. Ka plot nisma ligjore të tilla, buja e të cilave është mehur si të mos jenë më. Gjithë kjo trashëgimi ligjesh e reformash me produkt të varfër e shumëfishon dyshimin dhe skepticizmin për nismat e reja.
Për rrjedhim, në rrafshin e besimit, Rama paguan koston e propagandës me ligje që janë zbatuar përciptazi. Në këto kushte, ai dhe kushdo tjetër si ai nuk duhet të çuditen që ka dyshime dhe skepticizëm për OFL-në. Përkundrazi, qeveria që ka ushqyer zhgënjimin e njerëzve duhet ta luftojë mosbesimin me fakte. Të flasin faktet, të jenë faktet ato që rrëzojnë akuzat dhe objeksionet. Të jenë faktet ato që të tregojnë se akti është konceptuar si një refleksion dhe përgjigje ndaj një situate të jashtëzakonshme që lidhet me vakumin e periudhës që jetojmë, kur drejtësia e re nuk ka nisur ende nga puna konkrete dhe bota e krimit së bashku me pjesën e kalbur të drejtësisë po shfrytëzojnë këtë vakum për revansh dhe përfitime të papara.
Akti i ashtuquajtur “anti KÇK” është lehtësisht i atakueshëm , siç është i tillë Ligji i Dekriminalizmit apo vetë Vetingu në drejtësi. Të cilën Komisioni i Venecias e pat pranuar sforcueshëm me arsyetimin se krimi dhe korrupsioni në Shqipëri janë ngulitur aq thellë sa kërkojnë një ligj sui generis për t’i luftuar. Sui generis ngjan të jetë edhe akti normativ. Goditja a aseteve është goditje në zemër të krimit. E thamë më lart se mjetet për ta bërë këtë me kohë nuk kanë munguar. Por nëse për një arsye a tjetër qeveria ka vendosur ta bëjë tani dhe i është dashur diçka shtesë në bazën ligjore, le ta bëjë. Më mirë vonë se kurrë. Nuk është hera e parë që pikërisht të vonuarit ngarkohen me energjinë e shtuar për të bërë diçka të vështirë që nuk kanë dashur, apo nuk kanë mundur ta bëjnë më parë. Akti do të zgjasë një vit. Në versionin e funksionimit me efikasitet do t’i lehtësojë punën drejtësisë së re. Nëse goditen realisht asetet e malavitës, dera e negociatave të anëtarësimit në BE do të jetë më e hapur dhe SPAK do ta ketë më të lehtë të fokusohet të korrupsioni i zyrtarëve të lartë e shumë të lartë.
Atyre që janë përballë qeverisë si kritikë, si oponentë dhe si opozitarë të saj do t’u shkonte të mos harxhonin kohë dhe energji për të goditur aktin në vetvete, por të fokusoheshin te monitorimi i aksionit, te gjykimi rast pas rasti i rezultateve, te mbështetja pa rezerva e policisë kur këto rezultate janë ato që priten, te denoncimi i fiktivitetit dhe aksioneve për show propagandistik kur janë të tillë.
Tema e krimit të organizuar është shumë e ndjeshme në publik. Nuk duhet lenë asnjë hapësirë për keqkuptime sikur njëra palë po e lufton, kurse një palë tjetër po e mbron krimin. Përgjatë monitorimit do ta kemi të lehtë të kuptojmë nëse akti është selektiv apo gjithëpërfshirës, është politik apo ligjor, është një mision apo një lëvizje elektorale, do të çohet deri në fund apo do të fiket rrugës.
Qeveria t’ua lërë fjalën fakteve.
Opozita të flasë për faktet.
Është në të mirë të vendit që OFL të mos dështojë./Gazeta Liberale