BallinaKryesoreSi e gjeti shtëpinë shoku Enver dhe si gënjen shoqja Nexhmije

Si e gjeti shtëpinë shoku Enver dhe si gënjen shoqja Nexhmije

spot_img
spot_img

Nga Kastriot Dervishi

Edhe për historinë e vjedhjes së shtëpive ku banuan, Nexhmije Hoxha nuk mund të rrinte pa gënjyer. Pasi vodhën e vranë sa deshën, tani nuk i përmbahen as atyre gjërave që i kanë pohuar më parë. E.Hoxha pas lufte i vuri syrin një vile që kish mbaruar në vitin 1942 nga Velleda Lucia Costa, lindur në Gjenova e banuese në Tiranë. Italiania nuk ndodhen në Shqipëri atë vit. Ajo ia kish lënë në përdorim vilën inxhinierit Belloti dhe ky mikut të tij Petraq Katro. Beloti ishte një inxhinier sipërmarrës në shumë punime publike që bëheshin në atë kohë në Shqipëri. Afër vilës së zonjës italiane, ishte ajo ku banonte Qemal Biçaku, së cilës ia vuri syrin dhe e mori Koçi Xoxe. Vjedhja e pronës së tjetrit ishte brenda moralit të bandës që ata përfaqësonin. Pa kurrfarë akti (vila e italianes nuk rezulton e shtetëzuar apo konfiskuar), jo vetë që banuesi u nxor jashtë, por edhe u dënua. Dëshmitë e Nexhmijes janë kontradiktore me ato që ka thënë vetë i shoqi i saj në një bisedë ku ajo ka qenë e pranishme. Pasi iku Koçi, Hoxha mori edhe vilën tjetër, duke i lidhur dy shtëpitë në një.

Në librin e saj “Përjetimi dhe meditime në jetën time politike”, Nexhmije Hoxha shkruan: “Nga fundi i dhjetorit 1944 u gjend për ne një shtëpi banimi, e cila kishte qenë e një inxhinieri italian Bellotit. Ajo ishte bosh, pasi inxhinieri kishte hequr të gjitha mobiliet dhe pajisjet nga vila dhe i kishte lënë për ruajtje te një miku i tij, një tregtar nga Korça. Enverit i pëlqeu kjo ndërtesë ngaqë ajo mund të shërbente jo vetëm për banim, por mund të përdorej edhe për pritje zyrtare dhe për mbledhje të ndryshme pune, pasi kishte një sallo të ndarë me xham. Drejtoria e shërbimeve qeveritare i mori në dorëzim mobiliet dhe pasi u inventarizua si pronë shtetërore, ato u kthyen në shtëpi dhe u vënë në vendet e tyre” (faqe 70-71).

Mirëpo historia tregohet ndryshe nga nismëtari i veprimit. Në një bisedë të datës 23 mars 1978, me kuadrot e atij rrethi, kur E.Hoxha së bashku me Nexhmijen ndodhej për vizitë në Gjirokastër ai thotë: “Pas çlirimit, kur akoma banonim përkohësisht në hotel “Dajti“ se nuk kishim zënë shtëpi, vjen njëri nga shokët e sigurimit dhe më thotë: “Të kemi gjetur një shtëpi, por atje banon Petraq Katroja”. Thirra Esat Dishnicën që, siç e dini, dyqanin “Flora” dhe gjithçka tjetër që ai kishte i sakrifikoi për Partinë, dhe e porosita si të vepronte. Ai vajti bashkë me dy partizanë në shtëpinë e Bellotit, ku banonte Petraqi. Trokitën në derë, por shtëpinë nuk e hapnin njerëzit brenda. “Hapeni derën, apo doni t’jua futim me mitraloz?” thirrën njerëzit tanë. Atëherë nga brenda qe dëgjuar një zë gruaje: “Ku e keni urdhrin?”. “Nuk ka urdhër me shkrim për të ta dhënë ty, po hap shtëpinë! Ku e ke burrin?”. “Nuk është këtu”, ishte përgjigjur prapë gruaja. “E kujt është ajo shtëpi?”, “Ka qenë e Bellotit, por tashti është e Petraqkës, që e ka me tapi”. “Vishni këpucët ti e Petraqka e na jepni çelësat e shtëpisë”, i kishte thënë Esati. “Po kjo qeveri nuk është nga ato që të na lerë në rrugë. Nuk e keni mirë këtë që po na bëni”, tha ajo. “Kështu është puna, nesër në mëngjes do të vijmë prapë, po se mos trazoni gjë me dorë nga ato sende që janë brenda”, kishte urdhëruar Esati. “Si urdhëron!”, kishte thënë ajo. Esati erdhi e më tha mua që u rregulluan edhe shtëpia me gjithë pajisjet e tjera. “Nuk keni nevojë të mendoni për asgjë që i duhet një shtëpie, sepse të gjitha janë gati atje”, tha ai. Kur vajtëm të nesërmen, nuk gjetëm asgjë në shtëpi. Për tërë natën Petraqi me njerëzit e tij i kishin hequr të gjitha. “Ku i keni fshehur plaçkat, ku e ke Petraqkën”, i thamë ne. Gruaja që gjetëm brenda u mundua të na gënjente, por shokët tanë i gjetën të gjitha. Nuk e di se çfarë u bë më tej, po më vonë mora vesh se Petraqin e kishin arrestuar. Pastaj nuk di gjë më se si vajti puna e tij. Kështu e pësuan Petraqi me shokë që iu kundërvunë popullit dhe luftës së tij”. (“Vepra 64”, Tiranë 1989, faqe 395-396).

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular