BallinaKryesoreProjekti kriminal që hap zgavrat fiskale në të gjithë Shqipërinë

Projekti kriminal që hap zgavrat fiskale në të gjithë Shqipërinë

spot_img
spot_img
Nga Klodian Tomorri

Një projektvendim i beftë i qeverisë i hap rrugën rikthimit të dyqaneve pa taksa në të gjitha pikat kufitare tokësore të vendit.

Të njohura ndryshe si Duty Free, dyqanet që tregtojnë mallra pa taksa u mbyllën në vitin 2003 nga ish-qeveria e Fatos Nanos për shkak të presionit të fortë të Bashkimit Europian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, të cilat i quanin ato si gropa të zeza në sistemin tatimor.

E vetmja pikë Duty Free që u lejua ishte ajo e Aeroportit të Rinasit për të stimuluar turizmin, por edhe vetë aeroportin i cili në atë kohë ndodhej në gjendje të mjerueshme.

Por 17 vjet pas mbylljes, qeveria po tenton të rikthejë sërish çibanët fiskalë në të gjitha doganat tokësore të vendit.

Madje jo vetëm kaq. Sipas projektaktit, bizneset që do të marrin lejet për Duty Free-t në doganat tokësore do të kenë të drejtën të shesin edhe karburant pa taksa.

Ky është një projekt pas të cilit qëndrojnë interesa të forta ekonomike. Arsyeja është e thjeshtë. Në Shqipëri karburanti është një mall i taksuar fort. Sipas sistemit aktual, në çdo 1 litër karburant që kushton rreth 170 lekë, vetëm 70 lekë janë kosto produkti, ndërkohë që 100 lekë janë taksat që mbledh shteti.

Biznesi ose bizneset që do të marrin lejen për të hapur duty free-t nëpër doganat tokësore do të kenë të drejtën të shesin karburant pa paguar asnjë lekë taksë. Pra të shesin karburant me 70 lekë duke realizuar fitime marramendëse në kurriz të buxhetit dhe qytetarëve.

Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht tregu i karburanteve në Shqipëri qarkullon rreth 1.2 miliardë euro në vit. Nga këto 700 milionë euro shkojnë direkt si taksa për qeverinë, ndërsa pjesa tjetër është kosto dhe fitim tregtarësh.

Prej këtej nuk është e vështirë të kuptohet se çfarë ndodh nga përhapja e dyqaneve pa taksa në të gjitha pikat tokësore të kufirit. Një pjesë e mirë e 700 milionë eurove, që sot shkojnë si të ardhura në buxhet do të përfundojnë në llogaritë e bizneseve që do të kenë Duty Free-t në dogana. Por ky mund të jetë edhe një biznes i vetëm, pasi të gjitha liçencat mund të përfundojnë në një dorë duke krijuar kështu monopolin e zi të shkallmimit të sistemit tatimor. Dhe këto llogari janë vetëm për karburantin, pa përfshirë cigaret apo mallrat e tjerë të akcizës.

E gjithë çështja tashmë është kush qëndron pas këtij projekti? Ose më saktë kush po e privatizon buxhetin e shtetit duke krijuar zgavra fiskale në të gjithë Shqipërinë? Kjo do të mësohet shumë shpejt nëse qeveria do të avancojë përpara me nismën, e cila tashmë është në fazën e projektaktit.

Vetëm 5 vjet më parë, kjo qeveri vendosi të kufizojë deri në 200 litra sasinë e karburantit që një automjet mund të merrte në vendet kufitare si Maqedonia e Veriut apo Kosova ku nafta kushton më pak për shkak të taksave më të ulëta. Sot nga skutat e qeverisë që përfaqësojne interesa okulte kriminale del një plan për të shndërruar Shqipërinë në qendrën rajonale të kontrabandës, me interesin e vetëm që ata të cilët janë pas këtij projekti të përfitojnë qindra milionë euro në vit.

Ky projekt duhet ndalur me çdo kusht.

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular