Meta: Në 2 mars dal në fushën e betejës t’i përgjigjem popullit me dekret. Qeveria mos provokojë, përndryshe…
Gazetari: Të kthehemi te data 2 mars. Çfarë pritet të ndodhë pasditen e 2 marsit?
Presidenti Meta:Më 2 mars unë u jam drejtuar qytetarëve shqiptarë. Atyre do t’u isha drejtuar edhe në dhjetor me rastin e Lëvizjes Studentore, por ajo u shty për disa arsye. Tani më 2 mars unë do t’i drejtohem të gjithë popullit shqiptar dhe të gjithë botës ndërkombëtare për t’u bërë të qartë, që mbi Kushtetutën qëndron vetëm sovrani dhe vullneti i tij.
Sepse Kushtetuta e Shqipërisë, që për fat të keq është sakatuar e plagosur në mënyrë sistematike nga vitin 1998 e këtej, u votua në vitin 1998 me referendum mbarë popullor, nga i gjithë populli shqiptar. Kështu që fjalën do ta ketë populli, Presidenti u ka bërë thirrje të gjithëve vetëm me flamurin kuqezi për të rivendosur të gjithë sistemin e rënë kushtetues, demokratik dhe llogaridhënës në vendin tonë.
Gazetari: Ju do të mbani një fjalim, do të ketë miting? Çfarë do të jetë, si do jetë e organizuar?
Presidenti Meta:Qytetarët janë ftuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Sot publikuam edhe orën, më 17:00, çdo ditë ka detaje të tjera. Parullat besoj janë të qarta, jo grushtit të shtetit dhe jo shpopullimit të vendit. Sepse të dyja këto lidhen me njëra-tjetrën. Për Kushtetutën, për Shqipërinë, të gjithë të barabartë përpara ligjit. Besoj se të gjitha këto shkojnë në përputhje të interesit të çdo qytetari të Shqipërisë, përveç një pakice puçistësh.
Gazetari: Ju çfarë keni si synim më datën 2 mars? Të sensibilizoni opinionin publik shqiptar dhe ndërkombëtar apo të rrëzoni këto që ju i quani puçistë?
Presidenti Meta: Objektivat e mia janë shumë të qarta. E para, një herë të ndërgjegjësoj të gjithë qytetarët shqiptarë për grushtin e shtetit. Së dyti, t’u bëj të qartë që instalimi i grushtit të shtetit asgjëson përfundimisht liritë dhe të drejtat e tyre demokratike që garanton në letër sot Kushtetuta e Shqipërisë, por që është e pamundur t’i garantojnë institucionet e kapura në këtë mënyrë, siç e shohim, kriminale dhe mafioze kjo bandë për fat të keq në pushtet.
Si mund të garantojë Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e zgjedhur në një mënyrë mafioze, në një mënyrë anti-kushtetuese në kundërshtim me Kushtetutën dhe përmes këtyre falsifikimeve kaq të tmerrshme që bëhen nga kupola e ministrisë, që bëhen nga kryetari i KED-së, i cili duhet të vepronte i pari në përputhje me ligjin, i pari në përputhje me Kushtetutën. Që bëhen nga Kuvendi i Shqipërisë.
Si mund të besojnë më këta që mund të jenë të garantuar pronat e tyre, të drejtat e tyre, liria e tyre dhe mund të jenë të sigurt në këtë vend. Shumë thjeshtë, kjo që ka bërë Ministrja e Drejtësisë është sikur unë të shkojë të regjistroj pronën tënde zotëri si pronën time dhe hajde gjeje ti pronën kur unë i kap të gjitha gjykatat, të të gjitha shkallëve në Republikën e Shqipërisë. Ku do e marrësh pronën ti? Asgjëkundi.
Gazetari: Nëse do të ketë akte dhune, çfarë do të ndodhë?
Presidenti Meta:Nuk ka asnjë arsye që të ketë asnjë akt dhune! Nëse segmente të qeverisë dhe të bandave të saj do të provokojnë gjëra të tilla, ajo përgjegjësi do të jetë e tyre. Populli shqiptar në mënyrën më paqësore do të bëjë një manifestim historik në mbrojtje të Kushtetutës. Dhe është i thirrur për t’i tregua të gjithë botës se ku qëndron populli shqiptar në raport me Kushtetutën dhe kush janë puçistët, të cilët duan të asgjësojnë lirinë dhe demokracinë, shtetin ligjor në këtë vend, të përdhunojnë përfundimisht edhe reformën në drejtësi, duke instaluar përfundimisht atë që unë e kam quajtur me shumë të drejtë për fat të keq “Ramaformën”.
Gazetari: Përse ju keni besim zoti President se do të keni sukses në këtë protestën tuaj që keni thirrur në 2 mars kur gjatë gjithë vitit të kaluar opozita ka bërë në mënyrë të vazhdueshme protesta dhe produkti i tyre ka qenë nul? Qeveria ka vazhduar të funksionojë në normalitetin e saj.
Presidenti Meta: Se çfarë ka opozita dhe se çfarë bën opozita, kjo është një përgjegjësi e opozitës. Unë mendimet e mia ia kam dhënë opozitës për shumë veprime që i kam gjykuar të gabuara, që nga lënia e mandateve dhe i kam thënë se çfarë do të ndodhë. Që nga mospjesëmarrja në zgjedhje, që nga dyzimi për të marrë apo jo pjesë në zgjedhjet lokale të 13 tetorit, megjithatë është çështje e saj.
Për mua nuk asnjë shqetësim. Opozita bën zgjedhjet dhe veprimet e saj. Unë si President i Republikës i kam bërë të gjitha veprimet edhe me opozitën, edhe me mazhorancën. Kam bërë çdo gjë që situata të mos vijë këtu.
Shikoni dokumentet zyrtare të Presidentit të Republikës me Kryetarin e Kuvendit.
Se çfarë vullneti ka Presidenti i Republikës….
Gazetari: Këto ia treguar zoti Basha kur erdhi në zyrën tuaj herën e fundit?
Presidenti Meta: …për të bashkëpunuar me Kuvendin e Shqipërisë. Jo vetëm me Kryetarin e Kuvendit, por edhe mesazhet zyrtare publike drejtuar të gjithë deputetëve dhe duke iu lutur. Zotërinj, ju lutem, kjo është çështje shumë e rëndësishme, lexoni nenin kaq të Kushtetutës, lexoni këtë, të shmangim lojërat që do të dëmtonin Gjykatën Kushtetuese, reformën në drejtësi, do të krijojnë përplasje institucionale, sepse unë ua kam thënë prej kohësh, ua kam thënë të gjithëve. Te Gjykata Kushtetuese është vija e kuqe dhe e kuqe flakë.
Sepse këtu vihet në diskutim jo vetëm demokracia, që është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe është jetike për një vend që ka qenë Koreja e Veriut 30 vite më parë dhe që është kthyer në kushtet, jo vetëm të një partie-shtet, por të një celule mafioze. Sepse ata kanë asgjësuar demokracinë dhe llogaridhënien brenda vetë partisë së tyre, por është një rrezik edhe për çështjen kombëtare dhe për ekzistencën tonë shtetërore si një shtet, i cili pavarësisht nga mangësitë që ka patur herë pas here, por të paktën në 100 e ca vite ka patur arritjet e veta. Kurrë nuk kemi qenë më keq se kaq.
Gazetari: A jeni penduar që ata turmë njerëzish, atë fluks të madh, të jashtëzakonshëm njerëzor që ishte drejtuar për nga Parlamenti ju e stopuat, duke bërë thirrje që të ndalonte protesta? Jeni penduar për atë gjest?
Presidenti Meta:Jo, absolutisht nuk jam penduar për të gjitha thirrjet e mia drejtuar opozitës për të ruajtur qetësinë dhe për të mos kryer asnjë akt problematik ndaj institucioneve. Sepse unë jam i mendimit, që kur dikush merr përsipër të drejtojë diçka, ai duhet të marrë i pari përgjegjësinë për gjithçka. Në rastin konkret për rivendosjen e rendit kushtetues, unë përgjegjësinë nuk ia lë popullit.
Unë përgjegjësinë e marr vetë i pari dhe kam plotësisht të drejtën që përmes dekreteve të rivendos rendin kushtetues në vend në rast se parlamenti do të vazhdojë të thellohet më tej në puçin e tij dhe në veprimtarinë e tij anti-kushtetuese dhe anti-kombëtare. Dhe përgjegjësinë e marr unë. për mua ka rëndësi që populli të përgjigjet dhe unë jam i bindur që populli do të përgjigjet. Do t’i zbatojë populli dekretet e Presidentit meqenëse institucionet janë të kapura dhe praktikisht të vdekura në kuptimin e funksionimit.
Gazetari: Si mund të çkapen këto institucione?
Presidenti Meta: Të gjitha nuk do t’i zbardhim këtu, çdo ditë do të ketë elemente të ri.
Gazetari: Sepse ju përshkruani një puç, përshkruani një një celulë mafioze në krye të shtetit…?
Presidenti Meta: Çfarë mund të jetë tjetër?! Në qoftë se ministrja e Drejtësisë është e ndërgjegjshme deri ditën e shtunë në punë, sepse të hënën parlamenti duhet ta konsiderojë atë që i takon Presidentit, do t’ia rrëmbejë anëtarin e Gjykatës Kushtetuese Presidentit, sepse do të shtojë numrat, shumicën në Gjykatën Kushtetuese. Që të mos ketë më gjykim për zgjedhjet vendore të 30 qershorit.
Por ligjërisht, fakti që një parti e vetme, 100% kontrollon të gjithë pushtetin vendor, të gjitha bashkitë, të gjithë këshillat bashkiakë, që rriten taksat në mënyrë katastrofike në të gjithë pushtetin vendor në Shqipëri, që rriten borxhet dhe këto prapë do të paguhen me taska të reja, dhe askush nuk të jep llogari, dhe askush nuk kërkon një llogari. Ndërkohë që tjetërsohen në mënyrë të paligjshme të gjitha këto pasuri kulturore, të gjithë këtë trashëgimi historike për qëllime të tjera, në mënyrë që…, përse bëhet e gjithë kjo gjë?! Që një pakicë jo vetëm ta përjashtojë shumicën e e njerëzve me çdo vendimmarrje, por mundësisht që ta shpopullojë Shqipërinë nga të gjithë njerëzit problematikë, jo si ata “çunat e Dibrës”, por problematikë në kuptimin që kërkojnë të drejtat e tyre, që kërkojnë garancitë e tyre. Dhe që t’i zëvendësojnë pastaj: i keni dëgjuar thirrjet që iu drejtuan atyre në Afrikë që hajdeni të punoni në Shqipëri! Se ata janë më të bindur. Se ata janë më të varfër. Se ata mund të flenë edhe njëqind vetë në një kapanon dhe ata mund të shfrytëzohen shumë më lirë se sa qytetarët shqiptarë, të cilët sidoqoftë në tridhjetë vite përjetuan, pavarësisht nga privimet e ndryshme, një progres në kuptimin e lirive dhe të drejtave të njeriut.
Gazetari: Zoti President, përse duhet që njerëzit të vinë, t’i besojnë thirrjes suaj, kur do të vinë, do të rrinë një orë apo dy orë dhe pastaj do të shkojnë në shtëpi? Dhe pastaj ishte ashtu siç ishte dhe protesta vazhdoi ashtu siç ishte?
Presidenti Meta: Qytetarët duhet të tregojnë vullnetin e tyre. Presidenti do të tregojë vullnetin e tij. Presidenti po del në fushën e betejës për t’i bërë paralajmërimin e fundit grupit puçist. Populli shqiptar, në qoftë se është mirë dhe mendon se Presidenti nuk është rregull, le të vazhdojë të rrijë në shtëpi, të durojë çdo ditë thundrën e një pushteti shtypës. Edhe më të larta do t’i ketë taksat. Edhe më të shumta do të jenë padrejtësitë. Do të vdesin njerëzit, do të vrasin veten për 12 mijë lekë si ai tjetri apo të tjerët që nuk kanë paguar energjinë për aq apo për kaq muaj. Apo tërë njerëz që dënohen për gjëra fare të vogla, por që duhet të dënohen në bazë të ligjit apo ministren me etikë të Drejtësisë se si flet për sukseset e reformës, ndërkohë që është në krye të një bande që falsifikon dhe bën shumë vepra penale për të rrëmbyer me vetëdije të plotë, se ia kërkon partia, Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë. Ia rrëmben këtë kryetarit të shtetit, të cilit Kushtetuta ia ka dhënë në mënyrë të qartë atij dhe vetëm atij.
Dhe jo më kot betimi është te Presidenti, siç e theksonte me shumë të drejtë Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe e ka theksuar edhe Venecia. Se te Presidenti i Republikës nuk betohen vetëm ata të tre që zgjedh Presidenti. Te Presidenti betohen edhe ata të tjerët që zgjedh parlamenti dhe që zgjedh Gjykata e Lartë. Pse? Sepse si kryetar i këtij shteti, që detyrë kryesore ka të mbrojë interesat e shtetit dhe jo të pushtetit, të qeverisë sot, apo të opozitës, të qeverisë nesër. Sot kryetari i shtetit verifikon edhe integritetin e institucioneve të tjera se si ato kanë vepruar përsa i takon zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Dhe nëse ka një mosmarrëveshje, kjo mosmarrëveshje shkon në Gjykatë Kushtetuese dhe nuk shkon te noteria buzë Lanës.