Teatri i ri Kombëtar nuk do ndërtohet nga Fusha SHPK. Ky është njoftimi I bërë dje nga Bashkia e Tiranës, e cila do të deklaronte se është tërhequr nga forma me të cilën do të ndërtohej, godina e re me PPP (partneritet publik privat) dhe tashmë ndërtimi do bëhet me buxhetin e bashkisë.
Lidhur me pretendimet e bashkisë Tiranë reagon zëdhënësja e PD, Ina Zhupa, e cila kujton ato çfarë kanë thënë Erion Veliaj në disa dalje publike.
Sipas Zhupës, Veliaj bëri avokatinë e ligjit special “Fusha shpk”, ndërsa sot, pas dy vjetësh tërhiqet duke diskretituar veten.
“Teatri edhe pafytyrësia e aktorit Veliaj! Diskretiton veten duke hedhur poshtë të vetmin argument mbi të cilin miratuan ligjin antikushtetues dhe PPP speciale për Fusha sh.p.k!
Veliaj si ushtari i pari i paligjshmërisë bëri avokatinë në çdo studio, në çdo sallë, të ligjit special Fusha, të kullave të Fusha shpk, me një edhe vetëm një argument: Shteti shqiptar nuk ka para që ta ndërtoj vetë teatrin e ri kombëtar! Ky ishte justifikimi i vetëm i PPP së ndarë për Shkëlqim Fushën!
Mbas dy vjetesh betejë, mbas dy vjetesh mungese totale transparence nga bashkia, del aktori Veliaj dhe shprehet që teatri përseri do prishet edhe do ndërtohet ai i planit Fusha por tani do e financojë shteti me paratë e veta!
Diskreditim më të madh s`mund ti bënte vetes që nuk la vend pa justifikuar PPP si mungesë parash nga ana e shtetit! Po tani nga dolën paratë?!”, shkruan Zhupa në reagimin e saj.
Bashkia e Tiranës njoftoi se arsyet e mosrënies dakord me palën private, që ishte ofruar për ndërtimin e teatrit të ri, lidhen me pamundësinë e kompanisë për ta realizuar projektin në një kohë të shpejtë dhe sipas të gjitha kërkesave teknike të kërkuara nga përfaqësia e artistëve në komisionin e negocimit.
Teatri i ri do ndërtohej në bashkëpunim me Fusha SHPK dhe kompaninë daneze që drejtohen nga Bjarke Ingels, por marrëveshja mes tyre duket se nuk është realizuar.