Nga Ilir NIKOLLA
Në kohërat e koronavirusit është shndërruar në një sport botëror marrja me statistikë. Për arsye krejt të ndryshme, shqetësimin e gazetarit të shquar italian Xhuliano Ferrara lidhur me dobinë e frikshme që mund t’i sjellë shoqërisë, lënia kurban e të moshuarve në pandeminë e këtij viti, unë e lidh disi me sjelljet e çuditshme që Edi Rama ka ndaj statistikave që rrëfejnë largimin e shqiptarëve nga vendi i tyre. Arsyetimi i tij “shqiptarët kanë ikur gjithmonë e prapë do të ikin”, shoqëruar me fyerjen publike “shqiptarët janë dembelë, prandaj do marrim punëtorë nga jashtë” (s’e dinim deri dje, kur e publikoi shtypi, se autorësinë për këtë qendrim e kishte diktatori Hoxha, ati i tij shpirtëror), ka sjellë jo veç shpopullimin e vendit, por edhe rrënimin njëherë e mirë të peisazhit politik. Në vend të rinisë, shtresës më kritike, e cila kërkon punë, kërkon standarde e liri vote, Edi Rama fërkon duart që vit pas viti ka më pak të tillë në vend. Në vend të një shoqërie dinamike, prodhuese dhe konsumatore, Edi Rama do një shoqëri që s’shqetësohet për regjimin në pushtet. Siç thoshte Ismail Kadare kur rrëfente për popullsitë e mësuara të rrojnë nën dajakun osman, ai do njerëz “të shtruar si buka”. Këto prerogativa i përmbushin punëtorët e huaj (që hëpërhë s’do lejohen të jenë pjesë e peisazhit politik në vend), klientela e partisë si dhe militantët e moshës së tretë. Këta të fundit mund të jenë në rrezik nga koronavirusi, por nëse pandemia s’do shpërthejë, Edi Rama e ka bërë një statistikë: atij i duhen 800 mijë si fillim, si për këtë herë, si një “unicum”, pastaj këta 800 mijë “si buka”, do ngrihen vetë më vonë e të kërkojnë të hiqet dorë nga një gjë aq e bezdisshme si “demokracia dhe rotacioni”.
Basti statistikor i Edi Ramës çuditërisht ka njëfarë lidhjeje me korona-virusin, jo për mbajtjen në jetë me çdo kusht të të moshuarve, por për idenë e çmendur që ka shpallur për ta shndërruar Shqipërinë në një parajsë të parave të krimit, nëpërmjet amnistisë së paralajmëruar. Ajo po që do të ishte një epidemi që kishte për të na e zhbirë krejt ëndrrën për integrim në BE e në NATO. Kush e do integrimit, s’do të kishte më vend në njollën e zezë që do të ishte plantacioni privat i kryeministrit. Nëse ky skenar do të realizohej, atëhere po, do të ndodhtë një korrje e madhe popullsie, një korrje finale, jashtë ata që duan votë e demokraci, brenda ata “si buka”, që duan veç Baba Dovletin.
Përderisa jemi në kohën kur ende duhet të vlerësojmë dyshimin, duke ju sjellë në mënyrë integrale shkrimin e sotëm të gazetarit të shquar Xhuliano Ferrara, ju ftoj të mos kufizohemi, s’ka pse të mos hetojmë mbi ëndrrat për tjetërsimin e popullsisë në Shqipëri. Ata që thonë se po vijnë nga diaspora për mitingun e nesërm në Tiranë ndoshta mund të kenë edhe dyshime të tjera për t’ia shtruar publikut të etur për demokraci e ndryshim.
KORRJA E MADHE – NGA GIULIANO FERRARA
Meqë jam njëfarë ciniku, i pajisur gjithsesi me humanizwm, përfshirë këtu edhe admirimin e pacak për mëshirën e krishterë, më ka ardhur në mend një çmenduri: e nëse koronavirusi do funksionojë me të vërtetë si pandemi dhe do realizojë atë korrjen e madhe e do marrë me vete ata të moshës time, pikë së pari, ata me “patologjitë e avancuara” në të 5 kontinentet, a do mbetej pas një botë më e pasur, më me barazi, më e lirë, më prodhuese, më e prirur drejt shpikjeve dhe ndërtimit të së ardhmes, nëse vërtet na pret një e ardhme?
I telefonova profesor Françesko Gavazit, ekonomist dhe sociolog që e çmoj shumë, dhe përgjigjja e tij më la shakull: “PO”.
Merret vesh se pas po-së, unë dhe profesori u përfshimë në një bisedë të koklavitur rreth asaj se çka me të vërtetë do të sillte kjo “po”-ja në humbjen e dijes dhe përvojës që korrja do të bartte me vete, për faktin se njerëzit, sido që të jetë, nuk mund të konsiderohen thjesht dhe vetëm numra (këtu përjashtohet mendimi nazist, merret vesh), përveç se – Zoti më faltë – prej staticienëve. Ramë dakord se liria intelektuale ishte baza e kërkimit në çdo fushë, dhe mposhtja e virusit, a në sajë të ndonjë vaksine, a në sajë të ndonjë ilaçi, do të ishte kryekëput falë kontributit shkencor e filozofik të shumë të moshuarve e të ikurve nga kjo botë, por prapëseprapë, shkencat humane dhe liria intelektuale na detyrojnë që të bëjmë edhe pyetje të tilla perverse që ushqejnë edhe spirale perverse në fushën e kërkimit shkencor.
Korrja e madhe a mund të verifikohet disi si njëfarë e mire për të ardhmen?
Për momentin, common sense-i është një aleat i mendimit, e i dyshimit, që na vendos vetëm një kufizim: jeta dhe vlera e saj janë një horizont origjinal dhe finale e gjithçkaje, e të gjitha mendimeve dhe e gjithë dashurisë. E prapëseprapë, plaku i rrëmbyer e kalemxhi si dhe akademiku e sociologu i shquar ranë dakord, common sense-i u thotë se sot plakja e popullsisë është një problem i rëndë për botën. Ky common sense u thotë se shpenzimet për shëndetësinë e për pensionet janë shndërruar në barriera të pakapërcyeshme, dhe sado të jetë e vërtetë se familja, patriarkati e matriarkati kanë luajtur një rol të çmuar në zhvillimin e kësaj bote, është po ashtu e pamohueshme se rritja e jetëgjatësisë, mbipopullimi, para së gjithash shtimi në përqindje i organizmave të brishtë, të dobësuar nga patologji të ndryshme, përbën një problem, aq më tepër se këto organizma të brishtë janë të kushtueshëm dhe “kurat nuk e vlejnë më çmimin e produktit, si dikur kur kjo kategori kishte statistikisht një peshë tjetër – (Giavazzi)”.
Përjetuam tash së fundi një melodramë krejtësisht itaiane, mbyllim jetën, hapim jetën, mbyllim Milanon, çelim Milanon, por duhet të shkojmë përtej kësaj vale surrealizmi, rrjedhojë e faktit se nuk dinim ende si të orientoheshim (veç solidaritetin dhe talk-show-t kishim si garanci të pandryshueshmërisë). Kjo solli veç mjerimin e autoriteteve që duke mos ditur ç’të bënin, i ofronin popullsisë si zgjidhje veç larjen e duarve me dezinfektues.
Ndoshta mund të jetë thjesht një supergrip dimëror dhe kaq. Drejt këtij mendimi mund të na çojë edhe superimuniteti që po shfaqin në këto momente Afrika e nxehtë dhe Oqeania, pavarësisht se gjithçka mbetet të verifikohet në javët në vazhdim. Mund të ndodhë që pandemia, me të gjithë faktorët e saj beninjë, si ai i shërimit të mbi 90 % të të prekurve, të përparojë, por edhe me ato malinjë, ku do shohim spitalet e përmbytur nga të sëmurë e ku pacientët në moshë të shtyrë dhe me patologji të avancuara (ç’shprehje e frikshme) do mbeten si kurbane anagrafike të pandemisë.