Nga Rivelino Çuno
Kur PEISH – Partia për Europianizim dhe Integrim e Shqipërisë, u krijua në atë 29 dhjetor 2014, pak kush besonte se ne do tia dilnim.
Asokohe, shumica ishte skeptike.
Ngarkesa e lartë e mosbesimit dhe skepticizmit ishte pothuajse mbytëse.
Ne ishim një grup të rinjsh, djem e vajza të sapo dalë nga auditorët e Universiteteve që u bëmë bashkë si kërkues të të vërtetave të mëdha dhe të identitetit tonë.
Shumëkush na dekurajonte, shpërfillte, shpotiste.
Por ne besonim tek ideja jonë dhe tek nevoja jonë për ta njohur e nderuar identitetin tonë.
Ne e dinim dhe e donim identitetin tonë sepse ne besonim e besojmë tek mrekullia e Krijimit.
Zoti i ka krijuar njerëzit të barabartë.
Zoti i ndau njerëzit në kombe e raca.
Pra barazia jonë si qenie njerëzore dhe dallueshmëria jonë si kombe e raca, është pjesë e mrekullisë së Krijimit.
Këtu dhe në këtë pikë ne vendosëm të shpalosim identitetin tonë si egjiptianë të Shqipërisë.
Por çfarë kemi arritur ne në këto 5 vite si PEISH?
Arritjet tona janë në 3 rrafshe:
1. Rrafshin Politik dhe Social.
2. Rrafshin Ideor dhe Kulturor.
3. Rrafshin Praktik.
Së pari në rrafshin politik dhe social ne u dhamë egjiptianëve të Shqipërisë, një platformë politike, një shtëpi politike, një parti politike.
Vetë krijimi i PEISH është një fitore e madhe në vetvete.
Egjiptianët e Shqipërisë gjatë gjithë historisë së tyre përveçse kanë qenë të diskriminuar, paragjykuar, lënë pas dore e varfëruar, kurrë nuk kanë dalë përtej një përfaqësimi vocërrak dhe pa ndonjë vlerë reale sikurse ka qenë përfaqësimi në nivel shoqatash dhe ojf.
E keqja e këtyre shoqatave dhe ojf ka qenë e madhe sepse ato kanë punuar me projekte që janë gllabëruar nga pak duar e kurrë nuk kanë mbërritur tek egjiptianët në nevojë.
Nga ana tjetër edhe Partitë Politike në Shqipëri, nuk e kanë pas ndjerë kurrë nevojë e nuk e kanë pasur kurrë vullnetin që të bëjnë gjësend për të përfaqësuar në mendimin dhe strukturën e tyre politike egjiptianët e Shqipërisë.
Andaj, lindja e PEISH ishte një arritje e madhe ngase PEISH e ngriti në nivelin më të lartë politik mendimin dhe organizimin politik të egjiptianëve.
Pra identiteti ynë si egjiptianë nuk ishte më një çështje e jona individuale apo familjare, por edhe çështja jonë e përbashkët, e gradualisht në varësi të fuqisë sonë elektorale, edhe çështje e institucioneve dhe gjithë shoqërisë në Shqipëri.
PEISH arriti të kthehet në një partner të Partisë në qeverisje që në fillimet e veta, sepse natyralisht ne besonim se çështjet e egjiptianëve të Shqipërisë mund dhe duhet të adresohen më së miri pranë Qeverisjes.
Ne arritëm të mernim pjesë edhe në zgjedhjet lokale të qershorit 2015 ku edhe morëm mbi 3700 vota.
Kjo është një arritje shumë e madhe në vetvete, pikë së pari sepse ne ishim parti rishtare e sapoformuar, e së dyti sepse deri në zgjedhjet e 2015, komuniteti egjiptian kishtë qenë komuniteti më prekur nga fenomeni i shit – blerjes së votës për shkak të varfërisë ekstreme ku jeton ky komunitet. Ne si PEISH ia dolëm të shpëtojmë qindra e mijëra egjiptianë që nuk e shitën më votën por ia dhanë me idealizëm dhe vetëidentifikim e dinjitet partisë së tyre, partisë së vetme të egjiptianëve të Shqipërisë, PEISH.
Kur ne si PEISH kuptuam se qeverisja nuk kishte asnjë vullnet për ti adresuar çështjet, nevojat dhe interesat tona si egjiptianë, vendosëm ti bashkohemi Koalicionit me PD.
PD dhe personalisht Kryetari i PD z. Lulzim Basha kanë dëshmuar një kujdes të veçantë për PEISH dhe për Komunitetin Egjiptian.
Ne ia dolëm të zëmë një vend dinjitoz e të respektuar për PEISH dhe Komunitetin Egjiptian pranë Kryetarit të Opozitës dhe në Koalicionin Opozitar.
Edhe kjo është një arritje e madhe e jona.
Ia kemi dalë mbanë të bëjmë takime në çdo qytet të Shqipërisë me mijëra egjiptianë dhe kemi krijuar deri tani 32 degë të PEISH.
Makineria politike dhe strukturore e PEISH është e gatshme për tu përballur me çdo sfidë të ardhshme elektorale me ambicje dhe objektiva cilësore.
2. Në rrafshin ideor dhe kulturor ne ia kemi dalë mbanë të ndërtojmë një gjuhë tonën, ligjërimin tonë identifikues si egjiptianë por edhe si të organizuar politikisht.
Ne si PEISH kemi arritur të ngremë lart ndjenjat e vetënjohjes dhe shpalljes me dinjitet e pa droje të identitetit tonë si egjiptianë.
Prej ditës që ne jemi krijuar, qytetarët tanë që i përkasin komunitetit të egjiptianëve të Shqipërisë, e shohin veten e tyre si të përfshirë dhe motivuar nga ndjenja dhe nevoja për ti fuqizuar dinjitetin e tyre personal dhe komunitar nëpërmjet angazhimit dhe përkushtimit në PEISH.
PEISH u ka dhënë mundësinë e krijimit të një dimensioni të munguar të ligjërimit dhe përfaqësimit intelektual dhe politik, të gjithë egjiptianëve të Shqipërisë.
Kjo është një arritje e jashtëzakonshme sepse deri në momentin që është krijuar PEISH, kurrë më parë egjiptianët nuk kanë pasur njê shtëpi dhe një ligjërim e mendim politik për ta e nga ata.
Kulturalisht ligjërimi i ri politik që ka sjellë PEISH në Shqipëri dhe në Komunitetin Egjiptian është një fitore e jashtëzakonshme sepse ne tashmë nuk kemi vetëm sfidat personale të identifikimit si egjiptianë si dinamikë ekzistenciale, por jemi lartësuar në një nivel shpalosjeje dhe përballje për ta mbrojtur, lartësuar dhe përfaqësuar identitetin tonë të përbashkët.
3. Në rrafshin praktik ne kemi punuar fort duke lobuar pranë Komisioneve Parlamentare dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme që në Ligjin e ri për Minoritetet, për herë të parë të njihemi zyrtarisht edhe ne si Komunitet Egjiptian.
Ne si PEISH jemi vazhdimisht në terren aty ky janë nevojat e qytetarëve të Komunitetit Egjiptian.
Ne kemi mbështetur së fundmi të gjitha familjet egjiptiane që janë prekur nga tërmeti i 26 nëntorit.
Kemi adresuar nevojat dhe emergjencat e tyre.
Ne kemi bërë beteja për bursat dhe kuotat e studimit për studentët nga Komuniteti Egjiptian.
Kemi ngritur zërin tonë në Qeveri, nëpër Bashki dhe në Komisionet Parlamentare që të ngrihet asistenca sociale.
Kemi kërkuar me forcë që Qeveria të subvencionojë qeratë e banesave, energjinë elektrike të familjeve të varfëra dhe margjinalizuara të Komunitetit Egjiptian.
Ne jemi vazhdimisht në çdo ditë, aty ku nevojat dhe interesat e egjiptianëve të Shqipërisë janë.
Në vijim shpresojmë, besojmë dhe luftojmë që egjiptianët të ngrihen në një nivel të ri shpalosjeje dhe përfaqësimi.
Tashmë egjiptianët e kanë shtëpinë e tyre politike.
Së bashku do mbërrijmë çdo objektiv.
PEISH është e vetmja parti, e vetmja shtëpi politike e egjiptianëve të Shqipërisë.
E sotmja është plot shpresë.
E nesërmja do të jetë plot arritje të reja.
Rivelino Çuno
Kryetar i PEISH