Sokol Sadushaj, Ervin Pupe dhe Ilir Panda, janë 3 kandidatët e propozuar nga KLGJ për tu emëruar në Gjykatën e Lartë nga radhët e juristëve.
“Këshilli i Lartë Gjyqësor po vijon procedurën e verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore të kandidimit për kandidatin për pozicionin e katërt nga radhët e juristëve të spikatur, si edhe vendosi në mbledhjen e datës 26.2.2020 hapjen e procedurës së ngritjes në detyrë në Gjykatën e Lartë, nga radhët e gjyqtarëve, për plotësimin e pozicioneve të tjera të lira në Gjykatën e Lartë“, – thotë KLGJ.
Njoftimi i KLGJ
Këshilli i Lartë Gjyqësor njofton opinionin publik se pas plotësimit të kuadrit ligjor, hapi procedurat e kandidimit për në Gjykatën e Lartë, nga radhët e juristëve të spikatur, për tre pozicione të lira.
Një në fushën e të drejtës administrative, një në fushën e të drejtës civile dhe një në fushën e të drejtës penale.
Në përfundim të procedurave të kandidimit për secilin nga pozicionet e lira të shpallura, pas verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore të kandidimit për të gjithë konkurrentët, si dhe vlerësimin sipas meritave të kandidatëve të kualifikuar, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi t’i propozojë Presidentit të Republikës emërimin e tre kandidatëve, konkretisht:
Me Vendimin nr. 110, datë 27.2.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi: T’i propozojë Presidentit të Republikës emërimin në Gjykatën e Lartë, nga radhët e juristëve të spikatur, të kandidatit z. Sokol Sadushaj;
Me Vendimin nr. 111, datë 27.2.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi: T’i propozojë Presidentit të Republikës emërimin në Gjykatën e Lartë, nga radhët e juristëve të spikatur, të kandidatit z. Ervin Pupe;
Me Vendimin nr. 111, datë 27.2.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi: T’i propozojë Presidentit të Republikës emërimin në Gjykatën e Lartë, nga radhët e juristëve të spikatur, të kandidatit z. Ilir Panda.
Pas bërjes përfundimtar të vendimeve të mësipërme, sot Këshilli i Lartë Gjyqësor ia përcolli ato Presidentit të Republikës, për të vlerësuar dhe vendosur emërimin e kandidatëve të propozuar.
Këshilli i Lartë Gjyqësor po vijon procedurën e verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore të kandidimit për kandidatin për pozicionin e katërt nga radhët e juristëve të spikatur, si edhe vendosi në mbledhjen e datës 26.2.2020 hapjen e procedurës së ngritjes në detyrë në Gjykatën e Lartë, nga radhët e gjyqtarëve, për plotësimin e pozicioneve të tjera të lira në Gjykatën e Lartë.