Qeveria do të reformojë strukturën e pagave në administratën publike dhe efektet që do të ketë kjo nismë në buxhet pritet që të përllogariten këtë vit nga Departamenti i Administratës Publike dhe Ministria e Financës dhe Ekonomisë. Kjo do të mundësojë që të bëhet e ditur më hereët para zbatimit efekti i reformës. Në një projekt dokument zyrtar qeveria pranon se falë një mbështetje të hershme të projektit IPA 2014 “Zbatimi i reformës së shërbimit civil në administratën publike” i cili ndër objektivat specifikë të tij përfshin, forcimin e menaxhimit dhe kapacitetit mbikëqyrës të DAP-it në zbatimin e shërbimit civil dhe reformës së pagave, është hartuar një studim analitik, në mënyrë që të përcaktohet rruga për zbatimin e elementeve të rinj të sistemit të pagave të miratuar nga LSHC.
“Ky dokument përmban dy nën rregullime sa i takon strukturës së re të pagave në administratën publike, konkretisht (i) zbatimin e strukturës së re të pagave sipas legjislacionit të shërbimit civil dhe (ii) vendosjen e standardeve që do të shërbejnë si udhërrëfyes për përcaktimin e pagave për të gjithë administratën publike, duke mbajtur në konsideratë parimin “pagë e njëjtë për punë të njëjtë” si dhe shpërblimin e drejtë për përgjegjësinë dhe impaktin që jep puna e gjithë secilit në realizimin e funksioneve dhe detyrave të institucionit” thuhet në projektplanin kombëtar të integrimit 2020-2022.
Në të njëjtin dokument nënvizohet se për të diskutuar këtë draft dokument si dhe reformën e pagave, Departamenti i Administratës Publike ka organizuar më herët në vitin 2019 takime, ku morën pjesë nëpunës civilë të niveleve të larta nga ministritë e linjës. “Gjatë takimit, DAP prezantoi gjendjen aktuale të strukturës së pagave në shërbimin civil dhe draftin e politikave për diskutim. Në këtë tryezë morën pjesë më shumë se tridhjetë pjesëmarrës dhe u arrit në përfundimin se me qëllim diskutimin e mëtejshëm, ishte nevoja për një takim më të strukturuar me stafin kryesor menaxherial nga ministritë. Si rezultat, DAP organizoi një tryezë të rrumbullakët me ekspertë kryesorë nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe disa ministri të tjera. Takimi ishte produktiv (efektiv) për kuptimin më të mirë të politikës së propozuar të pagave dhe ndarjen e ideve në përmirësimin e skemës dhe nxitjen e një bashkëpunimi më të mirë për të ardhmen” thuhet në projektplanin 3 vjeçar.
Ndër të tjera qeveria pranon se dokumenti për reformën e pagave pas finalizimit do të diskutohet mes DAP në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë përgjatë vitit 2020 do të llogarisë implikimin në buxhet në këtë reformë të pagave në mënyrë që të zbatohet plotësisht.