Për të mbyllur procesin e legalizimeve, Qeverisë jo vetëm nuk do t’i mjaftojë ky mandat, siç edhe u zotua, por do t’i duhen edhe dy mandate të tjera.
LEGALIZIMET
Me zyrtarizimin e ligjit pritet të rihapet edhe një fazë e re aplikimesh. Me reformën e ndërmarrë këtu e 6 vite më parë përcaktohej si prag viti 2014, çka do të thotë se objektet e ndërtuara pas këtij viti s’mund të ishin pjesë e procesit.
Por në ligjin e miratuar dje në Parlament, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë”, ofrohet një mundësi e re.
“Ndërtimet për të cilat poseduesit nuk kanë aplikuar për ligjësim deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, trajtohen nga ASHK-ja, kryesisht, gjatë proceseve të regjistrimit fillestar ose përmirësimit të zonës kadastrale, apo nëpërmjet procedurës së evidentimit të ndërtimeve pa leje”, thuhet në nenin 14.
Për procedurat e legalizimit duhet veç genplanit të ndërtimit, edhe planimetria e çdo kati dhe sipërfaqet në m2, si dhe aktekspertizat nga një ekspert ose ent i licencuar për qëndrueshmërinë konstruktive të objektit, për ndërtimet me lartësi mbi 4 kate.
Brenda 60 ditëve nga kualifikimi i objektit, Agjencia e Kadastrës ka detyrimin të përmbyllë edhe procedurat e legalizimit dhe regjistrimit të pasurisë.
FAMILJET QË PËRJASHTOHEN
Familjet që përjashtohen nga procesi nuk do të mbesin në qiell të hapur. Ato do të kenë të drejtë të trajtohen me një nga programet e strehimit. Përveç këtij opsioni, do të ofrohet kompensim financiar jo në vlerë tregu, por mbi bazën e kostos së banesës.
“Për ndërtimet pa leje që nuk ligjësohen, njihet vlera e investimit deri në masën e kostos mesatare të ndërtimit të banesave nga enti shtetëror përgjegjës për strehimin, të përcaktuar në legjislacionin në fuqi, në kohën e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Ata trajtohen nga shteti nëpërmjet shpërblimit financiar dhe/ose programeve sociale të strehimit, ose formave të tjera alternative të trajtimit”, thuhet në nenin 29 të ligjit.
Sipas të dhënave të Kadastrës, janë mbi 90 mijë shtëpi që bien ndesh me kriteret e kualifikimit, pjesa më e madhe prej tyre në kryeqytet. PANORAMA