BallinaEkonomiVjedhjet e energjisë elektrike u rritën me 13% në 2019. Ja sa...

Vjedhjet e energjisë elektrike u rritën me 13% në 2019. Ja sa milionë euro..

spot_img
spot_img

Pak vite pas fushatës qeveritare kundër vjedhjes së energjisë elektrike, e cila u shoqërua me burgosjen e mijëra personave, vjedhjet në rrjetin e shpërndarjes, të njohura zyrtarisht si ‘humbje joteknike’ u rritën me 13% gjatë vitit të kaluar, sipas të dhënave të OSHEE të raportuara nga INSTAT.

Nga Gjergj Erebara-BIRN

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike humbi 530 milionë kWh energji elektrike me një vlerë tregtare të përafërt prej 53 milionë eurosh nga ‘humbjet joteknike’ gjatë vitit 2019, me një rritje të fortë prej 13% në krahasim me vitin paraardhës, bëhet e ditur nga të dhënat statistikore të sektorit të energjisë që publikohen nga Instituti i Statistikave dhe furnizohen nga operatorët e rrjetit, OSHEE, KESH dhe OST.

Humbjet joteknike, termi zyrtar që përdoret për të identifikuar vjedhjet e energjisë, ishin vitin e kaluar në nivelin më të lartë që nga viti 2015, kohë kur qeveria aktuale ndërmorri një fushatë masive arrestimesh mes popullsisë, arrestime që çuan mijëra shqiptarë në burg në rrethana jo gjithmonë të qarta si dhe sollën në mënyrë indirekte së paku një vetëvrasje.

Humbjet totale të energjisë elektrike në sistem u reduktuan me 7.3% gjatë vitit të kaluar duke rënë në 1.65 miliardë kWh ose në 21.7% të totalit të energjisë së hedhur në rrjet. Humbjet totale përbëhen nga vjedhjet dhe humbjet teknike. Këto të fundit konsiderohen në mënyrë abnormale të larta në Shqipëri ndërsa argumentohet se mosmirëmbajtja e rregullt dhe vjetërsia e lartë e pajisjeve në rrjet janë shkaktarët për këto humbje.

Humbjet janë reduktuar ndjeshëm gjatë katër viteve të fundit por reduktimi është shumë më i pakët nga sa ishte përcaktuar në programin e rimëkëmbjes së energjisë elektrike, një vendim qeverie i vitit 2015, në të cilin parashikohej rritja e tarifave të energjisë dhe luftimi i vjedhjeve me qëllim, krijimin e fondeve për investime, të cilat, do të sillnin reduktimin e humbjeve. Plani parashikonte reduktimin e humbjeve deri në nivelin 15% në vitin 2019, nga të cilat, humbjet teknike duhej të ishin 13% ndërsa ato joteknike, 2%. Në krahasim me këtë plan, humbjet joteknike janë reduktuar pothuajse në përputhje me planin ndërsa vjedhjet, jo.

OSHEE mbylli vitin 2019 me humbje financiare në masën 64 milionë euro sipas të dhënave paraprake të kompanisë. Pjesa më e madhe e humbjeve i detyrohet kamatëvonesave të mbajtura nga KESH për fatura të pashlyera në kohë, por nëse shohim të dhënat shumëvjeçare të kompanisë, vërehet se pas fushatës kundër vjedhjeve të dritave, kompania ka shtuar ndjeshëm shpenzimet për paga ndërkohë që sasia e energjisë së menaxhuar prej saj ka qenë në rënie.

Kështu, në vitin 2019 shpenzimet për paga ishin 6.1 miliardë lekë ndërsa në vitin 2015 kanë qenë 4.2 miliardë ose 16 milionë euro më pak. Në të njëjtën periudhë, konsumi i energjisë në Shqipëri është rritur nga 7.3 në 7.6 miliardë kWh, ose me një rritje më pak se 5%.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular